Tsipras, takim urgjent me Juncker në Bruksel. Hollande: Marrëveshja, çështje orësh

Pak orë para takimit shpresëdhënës me kreun e KE-së Jean Juncker, kryeministri grek Aleksis Tsipras në bisedat e tij telefonike që ka pasur me kancelaren gjermane Merkel dhe presidentin francez Hollande ka rënë dakord se duhet një zgjidhje urgjente për Greqinë në negociatat e saj me partnerët që kanë mbërritur në limitin e tyre, por ende nuk shihet një kompromis mes palëve.

Para se të nisej për në Bruksel, i ftuar nga Juncker, Tsipras ka shfaqur edhe njëherë besimin se udhëheqësit europianë do të shohin me realizëm kërkesat e palës greke.

“Po shkoj për të diskutuar propozimin grek, për t’i shpjeguar Presidentit Juncker se sot, më shumë se kurrë më parë, është e nevojshme që institucionet dhe kryesisht udhëheqja politike e Europës, të shoh me realizëm, njëjtë sikurse qeveria greke po vepron tre muajt e fundit, duke negociuar të drejtat e popullit grek për të mirën e një Europe të bashkuar”, është shprehur kryeministri Tsipras.

Më herët edhe Presidenti francez Hollande ka deklaruar se Greqia dhe huadhënësit ndodhen disa ditë, ndoshta dhe disa orë, larg një marrëveshje e cila duhet të jetë e balancuar.

“Sot, Greqia na shqetëson përsëri. Ne jemi disa ditë larg, ndoshta disa orë, nga një marrëveshje e mundshme. Çdo gjë duhet të bëhet, në kushte që të respektohet populli grek, por të respektohen edhe rregullat që Europa i ka dhënë vetes, për të negociuar një zgjidhje afatgjate”, ka deklaruar Hollande.

Hollande ka shtuar se po të kërkohet shumë nga Greqia mund të asfiksohet ekonomia e saj, por po të kërkohet pak, pasojat mund të jenë të dëmshme për Eurozonën. Në listen me reforma që Greqia u ka paraqitur orët e fundit partnerëve, ka kërkuar që teprica primare për vitet 2015 dhe 2016 të jetë 0.8% dhe 1.5%, ndërsa kreditorët kërkojnë respektivisht 1% dhe 2%.

Vlen të përmendet se vijen më të ashpër në gjirin e huadhënësve të Greqisë mban Berlini, me ministrin e Financave Shcauble, që ka deklaruar se nuk sheh përparim në negociata duke kërkuar, ashtu si edhe FMN-ja, zbatimin e reformave të ashpra për Greqinë deri në vitin 2018, reforma të cilat Tsipras deri tani nuk i pranon si kusht për marrjen e kredive të mëtejshme, pavarësisht se nuk ka mundësi financiare për të shlyer detyrimet ndaj huadhënësve brenda këtij muaji.

Leave a Reply