Turqia ka disa kërkesa për Bashkimin Evropian

Turqia po u bën presion liderëve të Bashkimit Evropian për një numër koncesionesh, përfshirë dyfishimin e fondeve nga blloku, në këmbim të një bashkëpunimi më të thellë për të frenuar rrjedhën e migrantëve në Evropë.

Këtë e kanë bërë të njohur diplomatët, të cilët po marrin pjesë në negociatat që po vazhdojnë në Bruksel.

Përfaqësuesit nga Bashkimi Evropian po bëjnë përpjekje që të arrijnë një marrëveshje me Ankaranë, për të siguruar përshpejtimin e kthimit të migrantëve në Turqi, të cilët kanë lëshuar vendet e tyre për arsye ekonomike.

Agjencia e lajmeve Reuters raporton se korrespodenti i saj e ka parë një draft propozim të BE-së, e cila do t’i ofronte Turqisë përfundimin e regjimit të vizave, deri në fund të qershorit.

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu tha se synimi i Turqisë është që t’i dekurajojë refugjatët që bëjnë përpjekje të shkojnë në Evropë dhe të luftojë trafikimin me qenie njerëzore.

Leave a Reply