U arrestua për korrupsion/ Gjykata e Elbasanit liron dekanin, vuan nga diabeti

Gjykata e Elbasanit ka liruar nga burgu dekanin e Fakultetit të Shkencave Humane Albert Riska, i cili nga arrest me burg, tashmë do të hetohet në masën e sigurisë arrest shtëpie. Në seancën e mbajtur një ditë më parë pa prezencën e medias trupa mbrojtëse kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë për shkak të gjendjes shëndetësore.

Burime konfidenciale bëjnë me dije se dekani i akuzuar për korrupsion prej kohësh vuante nga diabeti, ndaj për këtë arsye një vit më parë ka prerë dhe gishtin e këmbës. Po ashtu të njëjta burime garantojnë se Riska kishte probleme edhe me gangrenën.

Pasi shqyrtoi kërkesën dhe raportin shëndetësor, gjykata e Elbasanit vendosi zëvendësimin e masës së arrestit, duke e lënë në arrest shtëpie.

Kujtojmë se Dekani Albert Riska në bashkëpunim me shefen e departamentit të gazetarisë Elvira Lumi pedagogen e fakultetit të ekonomikut Erjola Calja dhe 4 sekserë të tjerë u arrestuan më datë 9 maj nga policia, e cila asokohe bëri me dije se personat e arrestuar në bashkëpunim me njeri-tjetrin në kohë të ndryshme, duke shpërdoruar funksionin publik, dyshohet se kanë kërkuar dhe ushtruar ndikim të paligjshëm në rolin e sekserit dhe pedagogut në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan për marrjen e notave kaluese nga studentet gjatë sezoneve të provimeve.

Vendimi i gjykatës së Elbasanit

Dekani Albert Riska arrest shtëpie
Shefja e Departamentit të Gazetarisë Elvira Lumi arrest me burg 60 ditë
Pedagogia Eriola Calja arrest shtëpie
Studenti Marjus Calja arrest burg
Studenti Adem Ngjela arrest shtëpie
Sekseri Petrit Kodra arrest me burg
Sekseri Admirim Kala arrest shtëpie

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *