Vazhdon seanca publike e Gjykatës së Apelit për dënimin me burg të Gruevskit

Gjykata e Apelit sot duhet ta vazhdojë seancën publike për ankesën e aktvendimit të shkallës së parë për Nikolla Gruevskin dhe Gjoko Popovskin për lëndën “Tanku”.

Gruevski dhe Popovski para këshillit gjyqësor duhet ta elaborojnë ankesën e dorëzuar, por siç paralajmëroi Gruevski dje në konferencën për shtyp në Kuvendin e RM-së nuk do të paraqitet në Gjykatën e Apelit, ndërsa në seancën për “Tanku”-n nuk do të marrin pjesë as avokatët e tij sepse, siç tha, edhe ashtu vendimi është sjellë politikisht.

Gruevski akuzoi se pushteti po zhvillon persekutim kundër tij, ndërsa gjykatësit janë profesionistë, por punojnë, siç tha, nën presion.

Gjykata e Apelit Shkup në tërësi i përgënjeshtroi pretendimet e dhëna në konferencën për shtyp nga Nikolla Gruevski lidhur me lëndën “Tank”, duke i vlerësuar si gënjeshtra dhe manipulime të ashpra me opinionin.

“Pretendimet e të akuzuarit janë në tërësi të pavërteta, të konstruktuara dhe tendencioze me qëllim që të diskreditohet Gjykata dhe të krijojë perceptim të rremë në opinion se gjyqësia është nën presionin e pushtetit dhe sjell vendime të porositura”, theksohet në kumtesën nga Gjykata e Apelit.

Në seancën të premten gjykatësi raportues e lexoi aktvendimin e shkallës së parë. Gjatë seancës u bënë disa pushime, për shkak të kërkesave të dorëzuara për përjashtim të këshillit gjyqësor, kryetarit të Gjykatës së Apelit, gjykatësit raportues dhe kryetarit të këshillit gjyqësor nga ana e avokatit Sterjo Zikov dhe të dënuarit Nikolla Gruevski. Të gjithë kërkesat u refuzuan.

Për rastin “Tanku”, ish-kryeministri Nikolla Gruevski si nxitës për kryerje të veprës është dënuar me dy vjet burg, ndërsa ish-zëvendësministri në MPB Gjoko Popovski me gjashtë vjet e gjashtë muaj burg.

Në Gjykatën Penale në Shkup për “Tanku”-n po zhvillohet procedurë e ndarë kundër ish-ministres së Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska.

Leave a Reply