Venezuelë, Trump njeh liderin e opozitës si President. Maduro dëbon amerikanët

Situata në Venezuelë pësoi një përshkallëzim të menjëhershëm pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të njohur liderin opozitar, Juan Guaido, si President të përkohshëm të vendit.
Lideri venezuelian, Nicolas Maduro iu përgjigj sfidues këtij veprimi të Uashingtonit duke ndërprerë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara; diplomatëve amerikanë i janë dhënë 72 orë kohë për t’u larguar. Por, për SHBA-në, Maduro nuk ka më asnjë autoritetet, ndaj dhe veprimi i tij konsiderohet i pavlerë.

Maduro e ka qeverisur vendin që kur fitoi shumë ngushtësisht zgjedhjet në vitin 2013, pas vdekjes së udhërrëfyesit të tij, Hugo Chavez. Që prej atëherë, udhëheqësi venezuelian e ka konsoliduar kontrollin mbi institucionet kyçe shtetërore, përfshirë Gjykatën e Lartë si dhe atë që konsiderohet si burimi kryesor i të ardhurave të vendit, kompaninë shtetërore të naftës PDVSA.

Nën drejtimin e tij, ekonomika është rrënuar krejtësisht, duke e zhytur Venezuelën në varfëri të thellë e duke detyruar me miliona njerëz të largohen. Mbi regjimin e Maduros rëndojnë një sërë sanksionesh perëndimore. Ai bëri betimin për një mandat të dytë 6-vjeçar në krye të shtetit në muajin maj në zgjedhjet shumë polemizuese presidenciale të bojkotuara nga opozitarët e të kritikuara ashpër nga fuqitë perëndimore dhe shumica e vendeve të Amerikës Latine.

Tani, sytë janë drejtuar tek Maduro, pasi të gjithë duan të shohin nëse do të arrijë të shmangë frakturimin e elitës për të ruajtur kontrollin, sidomos mbi ushtrinë. Në Kilin fqinj sakaq, mijëra vetë dolën në protestë kundër tij, ndërsa një sërë vendesh të Amerikës Jugore e njohën gjithashtu kreun e opozitës Guaido si President të përkohshëm dhe Bashkimi Europian bëri thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në mënyrë që të rivendoset demokracia./TCH/

Leave a Reply