Vjedhja e energjisë, 8 të arrestuar nga 29 raste vjedhjeje

Puna e përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe OSHEE-së, e cila është shtrirë prej javësh e muajsh në të gjithë vendin për evidentimin dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vjedhjes së energjisë elektrike, si dhe ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, është zhvilluar këtë javë me 85 grupe.

Janë kryer gjithsej 5324 kontrolle në të gjithë vendin, prej të cilave janë evidentuar në terren, mes abonentëve familjarë dhe bizneseve, 29 raste të vjedhjes së energjisë elektrike. Nga 29 autorët në fjalë shkelës të ligjit, 8 janë arrestuar, 12 të tjerë janë shpallur në kërkim dhe 9 ndiqen penalisht në gjendje të lirë.

Gjatë kësaj jave, siç njofton Policia e Shtetit, janë ndërprerë edhe 2616 lidhje të abonentëve debitorë, ndërsa janë kontrolluar 98 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen prej tyre.

Policia e Shtetit dhe OSHEE kanë deklaruar se do të vazhdojnë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së.

Leave a Reply