Vjet u harxhuan rreth 10 milionë euro mëditje për udhëtime jashtë vendit

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka treguar se gjatë auditimit kanë gjetur se shteti i Kosovës ka paguar 892 mijë euro, në nivel kombëtar, për vonesa në zbatimin e projekteve.

Këto para, sipas tij, janë marrë kryesisht nga borxhi publik.

“Po të ishin zbatuar me kohë punët, ashtu siç janë parapa, sigurisht që këto mjete nuk do të ishin paguar”, ka thënë Osmani në “Puls” të KTV’së.

Osmani ka thënë gjithashtu se gjatë auditimit kanë gjetur edhe se vlera e pa tërhequr e kredive në fund të vitit 2017 ka qenë 295 milionë e 800 mijë euro.

“Ne kemi shumë shqetësime rreth mospërdorimit të këtij borxhi. Edhe pse parat janë marrë, nuk janë përdorur menjëherë. Mospërdorimi i borxhit nënkupton pagesa shtesë për tarifa të zotimit”, ka thënë Osmani.

Osmani ka treguar se gjatë vitit 2017 shpenzimet për mëditje, për udhëtime jashtë vendit janë harxhuar 9 milionë 417 mijë euro.

Nga ana tjetër, Isuf Zejna ka thënë se është shumë e rëndësishme që shkeljet të cilat i gjen Auditori të mos përsëriten edhe në vitin e ardhshëm, gjë e cila, sipas tij, ndodh në shumë raste në institucionet e Kosovës.

Ai ka thënë se Qeveria duhet të marrë masa administrative.

“Mund të bëjë ose në trajnimin e nëpunësve aty ku shihet e nevojshme ose të merren masa ndëshkuese për ata që keqmenaxhojnë apo keqpërdorin”, ka thënë Zejna.

Leave a Reply