Zaev: E solla Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe sepse kisha guxim

Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë së Veriut, në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë” thotë se nuk e ka problem që të pranojë që kryeministri të jetë shqiptarë, por se nuk do të lejojë që kjo të arrihet përmes shantazheve.

Zaev thotë se Ligji për përdorimin e gjuhëve me të cilin mundësohet një shtrirje më e gjerë e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe është meritë e tij dhe guximit të partisë që drejton.

“BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim) ishte në pushtet për 17 vjet. Ishte pjesë e pushtetit edhe me OBRM-PDUKM-në edhe LSDM-në para se të vijë Zoran Zaevi dhe kjo kryesi e re e Lidhjes Social-Demokrate. Pse nuk e sollën Ligjin për gjuhën përderisa këtë e parasheh Kushtetuta?

Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe nuk e sollën për shkak se nuk kishin guxim as BDI-ja, as OBRM-PDUKM-ja e as udhëheqësitë e kaluara të LSDM-së, flas për periudhën gjatë vitit 2006 kur socialdemokratët ishin në pushtet.

Ne sollëm ligjin për shkak se kishim guxim, u sqaruam qytetarëve se nuk humbet askush asgjë me miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”, tha Zaev.

Zaev gjithashtu tha se Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet unitar. Të gjithë jemi qytetarë të barabartë, ndërtojmë shoqëri multi-etnike dhe absolutisht çdo lloj ndarjeje dhe nacionalizmash, për ne është e papranueshme. Këtu qëndron shantazhi.

“Unë nuk e kam problem që do të jetë kandidat shqiptar për kryeministër, kryetar të shtetit, për kryetar të parlamentit. E kam dëshmuar këtë. Por, nuk do të pranoj shantazhe sepse dikush ashtu mendon, nuk guxojmë ta bëjmë këtë për shkak të qytetarëve.

Qytetarët janë ata që vendosin se në cilin drejtim duhet të ecë shteti”, tha Zaev.

Leave a Reply