Zbardhen përgjimet që çuan pas hekurave gjyqtarin Miri

Alibia e gjyqtarit të arrestuar Shkëlqim Miri ishte se 300 milionë lekët që iu gjetën në banesë i mbante për t’u kuruar, pasi vuan nga një tumor në kokë. Të njëjtën gjë tha edhe avokati për mediat, por prokuroria ka nxjerrë provat e saj.

Balkanweb  shkruan se organi akuzës ka publikuar përgjime që vërtetojnë se gjyqtari ka marrë ryshfet nga familjarët e Gentian Dodës, pasi i burgosuri mbante dy celularë në qelinë e tij.  Ai komunikonte vazhdimisht me vjehrrin e tij Nezirin dhe mikun e ngushtë Alban Bucin.

 

“Do të vijë një mik të sjellë 15 mijë. Gjeti dhe 15 të tjera dhe dorëzoji”, i shkruan ai Bucit.

Sipas prokurorisë bisedat dhe komunikimet janë përgjatë muajve mars-maj.

Pasi ishte rënë dakord për pazarin, sipas të cilit në këmbim të parave vendimi i Matit të mbetej në fuqi, Doda kërkon të dorëzohen paratë.

Caktohet data 30 maj. Alban Buci dhe vjehrri i Dodës shkojnë në një lokal në Fushë Krujës, në pronësi të kushëririt të gjykatësit. Në pamjet e kamerave të sigurisë – thuhet në dosje – shfaqen Buci dhe Neziri, të cilët bëjnë dhe dorëzimin e zarfit në duart e Kujtim Mirit. Ky i fundit kushëri i largët me gjykatësin.

Pas këtij momenti Albani i shkruan mikut të tij të dënuar: “Rri pa merak i dorëzuam dokumentat. I thamë s’kemi gjë tjetër vetëm të japim shpirtin. Do dalësh nga mesi i muajit tjetër”.

Me 7 qershor 2017 Apeli vendos të lërë në fuqi vendimin e gjykatës së Matit për dënimin me 8 vite për 39-vjeçarin. Organi i akuzës u kërkon burgjeve të ushtrojë kontroll dhe sekuestrojë dy celularët e të dënuarit dhe celularët bllokohen për llogari të hetimit, raporton Balkanweb.

Po natën që qelia e te dënuarit u kthye përmbys, policia ndalon Alban Bucin për verifikim dhe arrin t’i kontrollojë celularin dhe të sigurojë mesazhet komprometuese. Pasi siguroi të gjitha këto prova prokuroria vendosi të veprojë duke çuar në pranga gjykatësin dhe kushëririn e tij në kuadër të operacionit të Koduar “Një vrasje e dytë”.

Balkanweb  raporton se Kujtim Miri pritet të dalë të hënën përpara gjykatës. Gentian Doda dhe miqtë e tij të përfshirë në skemën korruptive deri më tani nuk janë vënë në pranga.

Leave a Reply