Zbogar: MSA e Kosovës, e njëjtë me ato të vendeve të tjera

Shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar tha para Komisionit parlamentar për Integrimin se, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit për Kosovën është e njëjtë me të gjitha MSA-të e tjera. Sipas tij, BE-ja e konsideron një hap tejet të rëndësishëm nënshkrimin e MSA-së me Kosovën.

Ai ka komentuar edhe veprimet e opozitës kosovare, duke i cilësuar ato si tejkalim të vijës së pranueshme.

“Në këtë rast, opozita e ka tejkaluar vijën, në momentin kur gazi lotsjellës është hedhur në Kuvend. Së pari, kanë bërë shkelje me hedhjen e vezëve, dhe pastaj edhe të gazit lotsjellës, e për këtë arsye ne nuk jemi duke fajësuar opozitën, por duhet t’ua bëjmë të qartë se këto veprime nuk janë të pranueshme për ne. Askund në rajon dhe as në botë nuk pranohen veprime të tilla, ndaj dhe Kosova nuk duhet të bëjë dallim prej vendeve të tjera. Kjo është arsyeja se, përse në mënyrë më publike jemi më kritikë ndaj opozitës, sesa kemi qenë më herët. Në këtë pikë është dallimi në marrëdhëniet me ne. Nëse njëra palë flet për demokracinë dhe sundimin e ligjit, atëherë kjo nuk përshtatet me taktikat e përdorura. Nëse njëra palë thotë se, ‘nuk e pranoj ftesën e prokurorit për t’u marrë në pyetje’, kjo nuk lidhet me sundimin e ligjit. Kjo është tejet e papranueshme dhe këtë e themi me zë të lartë, nuk pranohen veprime të tilla”, tha Samuel Zhbogar, shef i zyrës së BE-së në Prishtinë.

Deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Deda i kërkoi përfaqësuesit të Bashkimit Europian të ketë një ndërmjetësim të Brukselit, në krizën politike në të cilën gjendet Kosova, duke e krahasuar me ndërhyrjen e komisionerit Johannes Hahn për zgjidhjen e krizës në Maqedoni.

Por, përfaqësuesi i BE-së Zhbogar tha se, nuk ka nevojë për ndërmjetësues, meqë nuk është situatë e njëjtë me atë të Maqedonisë, kur komisioneri Johannes Hahn ndërmjetësoi gjetjen e një zgjidhjeje për krizën atje.

“Këtu kemi një situatë politike, e cila duhet të zgjidhet dhe adresohet. Ne u bëjmë ftesë palëve, që të ulen dhe të bisedojnë”, theksoi ai.

Ndërsa deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani shtroi çështjen e mundësisë, që Kosova t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të kërkuar interpretim rreth marrëveshjeve për Asociacionin dhe Demarkacionin.

“Komisioni i Venecias është i vetmi institucion, të cilin e respektojnë si opozita, edhe qeveria. Nëse zgjidhja është kaq e lehtë, përse nuk po e shfrytëzojnë këtë komision? Kush po i frikësohet këtij komisioni? Nuk duhet t’i mbyllim sytë para realitetit, se nuk ka besim në Gjykatën Kushtetuese. Të gjithë do ta respektonin një vendim për Asociacionin, nëse ai do të merrej në Komisionin e Venecias”, tha Vjosa Osmani.

Por Zhbogar e ka kundërshtuar këtë, duke thënë se Kosova duhet t’i shfrytëzojë të gjitha institucionet që ka, e jo problemet e veta t’i dërgojë te ky komision.

“Duhet të përdorni së pari institucionet tuaja. Nuk ju rekomandoj që ta anashkaloni Gjykatën Kushtetuese, duke u bazuar në vendimet që ajo ka nxjerrë. Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë që mbron Kushtetutën e Kosovës. Rruga e duhur është t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa pastaj, nëse duhet t’i drejtoheni Komisionit të Venecias për këtë nuk kam mendim, këtë duhet ta diskutoni ju. Nuk duhet t’i nxirrni problemet tuaja e t’i dërgoni te Komisioni i Venecias. Nuk duhet të kërkoni zëvendësim të Gjykatës Kushtetuese me Komisionin e Venecias. Keni gjykatën funksionale, e cila ka edhe gjykatës ndërkombëtarë, të cilët e bëjnë të besueshme këtë gjykatë”, tha më tej Zhbogar.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrimin ishte i ftuar edhe ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku, i cili ka folur më shumë rreth procesit të liberalizimit të vizave. Megjithatë, Çollaku shprehet i bindur se, në fund të dhjetorit, Kosova do të marrë një rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave.

Çollaku tha se ka pasur kërkesa të qarta që, për shkak të luftës së krimit ndërkufitar, Kosova të rikthejë kontrollin në hyrje dhe në dalje në pikat e kalimit kufitar me Shqipërinë.

Leave a Reply