Zhdukja e gazetarit, Trump dërgon Mike Pompeon në Arabinë Saudite

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, do të udhëtojë për në Arabinë Saudite për çështjen e gazetarit të zhdukur, Jamal Khashoggi. “Sapo kam biseduar me Mbretin e Arabisë Saudite, i cili mohon të ketë dijeni se çfarë ka ndodhur me shtetasin saudit”, tha Trump në një postim në Twitter.

Ai shtoi se do të dërgojë menjëherë Pompeon për të takuar mbretin Salman. Khashoggi, i cili ka shkruar për gazetën Washington Post dhe ka qenë kritik i fuqishëm i Qeverisë saudite, është parë për herë të fundit më 2 tetor, duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll. Zyrtarët turq besojnë se Khashoggi është vrarë në konsullatë nga agjentët sauditë, por Riadi e mohon një gjë të tillë.

Edhe Turqia, edhe Arabia Saudite janë aleate të SHBA-së. Trump ka kërcënuar me “dënim të ashpër” nëse provat dëshmojnë se agjentët sauditë e kanë vrarë Khashoggin. Megjithatë, presidenti amerikan e ka bërë të qartë disa herë se ai nuk do të rrezikojë marrëveshjet miliarda dollarëshe për shitjen e armëve në Arabinë Saudite.

Pas tensioneve në rritje, zyrtarët sauditë iu lejuan të hënën hetuesve turq të hyjnë në konsullatën e tyre./REL/

Çështja e gazetarit Jamal Khashoggi

Ndërkohë, në Stamboll, policia turke nisi të hënën një kërkim në konsullatën e Arabisë Saudite. Agjencitë shtetërore të lajmeve të të dy vendeve njoftuan se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe mbreti saudit Salman biseduan lidhur me këtë çështje, gjatë një telefonate që zhvilluan të dielën në mbrëmje.

Arabia Saudite iu kundërvu kërcënimit të Presidentit amerikan Donald Trump i cili paralajmëroi ndëshkimin e Riadit lidhur me zhdukjen e gazetarit, duke thënë të dielën se do të hakmerrej me veprime ekonomike “edhe më të ashpra” nëse Uashingtoni do t’i vendoste sanksione. Tregu saudit i aksioneve shënoi një rënie me shtatë për qind përpara se të ringrihej lehtë, por gjithësesi me humbje prej 5 për qindësh, pas intervistës së zotit Trump për rrjetin televiziv amerikan CBS.

Presidenti amerikan tha se Riadi do të “ndëshkohej ashpër” nëse do të arrihej në përfundimin që mbështet Turqia se Jamal Khashoggi u vra nga agjentë sauditë, brenda konsullatës së këtij vendi në Stamboll. Sipas autoriteteve saudite akuza është “e pabazë”, por nga ana tjetër ata nuk kanë dhënë asnjë provë që tregon se gazetari u largua gjallë nga konsullata, në të cilën hyri për të marrë dokumentet për martesën e tij të afërt.

“Mbretëria bën të ditur se në qoftë se do të jetë objektiv i ndonjë mase, do të reagojë me veprime më të mëdha. Ekonomia e mbretërisë ka një rol me ndikim jetësor në ekonominë botërore dhe ajo ndikohet vetëm prej saj”. Jamal Khashoggi jetonte në mërgim të vetë-imponuar në Shtetet e Bashkuara. Ai kishte kritikuar princin e kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman në disa artikuj të publikuar në gazetën “The Washington Post”.

Sipas njoftimeve në shtyp Jamal Khashoggi mund të ketë regjistruar vdekjen e tij me orën inteligjente Apple që mbante në dorë. Raportet thonë se në momentin që kishte hyrë në konsullatën saudite ai kishte ndezur butonin e orës që bën të mundur regjistrimin e zërit. Gjithashtu thuhet se kishte arritur të regjistronte jo vetëm momentin e marrjes në pyetje dhe torturat ndaj tij, por edhe momentin e vrasjes.

Sipas njoftimeve një grup prej 15 personash me shtetësi saudite patën mbrritur në Stamboll ditën kur Jamal Khashoggi hyri në konsullatë. Në shenjë proteste ndaj zhdukjes së tij disa drejtues biznesesh në Shtetet e Bashkuara anuluan pjesmarrjen në konferencën “Iniciativa e investimeve të ardhshme” e cila mbahet javën që vjen në Riad, e quajtur ndryshe si “Davos-i i shkretëtirës”, referuar takimit vjetor ekonomik botëror që zhvillohet në Zvicër. Megjithatë sipas Shtëpisë së Bardhë sekretari i Thesarit Stiven Mnuchin ka ende në plan të marrë pjesë në konferencë.

Leave a Reply