Libri

Libri nuk është prodhim i shtëpisë botuese, as prodhim i ministrisë së kulturës! Libri është vepër e shkrimtari, është copa e shpirtit të tij, është shkëndijë e mendjes së tij, ndaj i vetmi që duhet të përfitojë është shkrimtari, autori

Shkëlzen HALIMI

Çka është libri? Mbi të gjitha, libri është pronë intelektuale e shkrimtarit! Nuk mund të jetë pronë as e shtëpive botuese, as e ministrisë së kulturës apo institucioneve gjegjëse të librit. Libri për vulë ka autorësinë e shkrimtarit!  Për librin mund të flasin vetëm shkrimtarët, ndërsa dashamirët e librit mund të japin ndonjë vlerësim kryekëput subjektiv! Libri shkruhet për ta dëshmuar gjuhën si shtyllën kryesor të kulturës së një etnie, libri nuk shkruhet për t’u bërë mall tregtie apo për përfitime të segmenteve të caktuara që librin e shohin vetëm si relikt tezgash! Kohëve të fundit nga disa individë (me mentalitet manipulues) theksohet se ministritë përkatëse (në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë e Shqipëri) po bëjnë gabim që sponsorizojnë autorë. Pra, sipas tyre, asnjë autorë nuk duhet të vetë-botohet, por në kuadër të shtëpisë botuese dhe, rrjedhimisht, kontratat duhet të lidhen ekskluzivisht në mes të ministrive të kulturës dhe shtëpive botuese!

Panairi i Frankfurtit

A e kupton shoqëria jonë se çka është ministria e kulturës si dikaster qeveritar? E dinë pronarët e shtëpive botuese se cili është funksioni i tyre parësor, pse ekzistojnë ato, çka pasqyrojnë ato në një shoqëri bashkëkohore? Në botën e civilizuar ministritë kulturore shërbejnë ekskluzivisht për arritje dhe realizime të politikave të larta kulturore të shtetit përkatës, dhe jo për blerje të heshtjes intelektuale përmes “sponsorizimeve” të projekteve të paverifikuara nga asnjë profil krijues i sferave të ndryshme të artit e të kulturës. Vjen një diletant politik i cili kurrë në jetën e vet nuk e ka lexuar një tregim për fëmijë dhe ai të vendosë për kulturë?!

Ministria e kulturës në botën e civilizuar, veç të tjerash, e përcjell edhe aktivitetin e shtëpive botuese dhe automatikisht i margjinalizon të gjitha ato “shtëpi botuese”, aktiviteti i të cilëve është matrapazllëku dhe, me këto politika, vetvetiu nisin e profilizohen shtëpitë botuese profesionale, pa ndikuar në politikat e tyre redaktuese e botuese. Domethënë, profilizimi i tyre arrihet me vlera, me promovim të vlerave dhe me ekskluzivitet në tregun e librit dhe jo me pozicionime politiko-partiake dhe me “dhurim buxheti” nga programet vjetore të ministrive kulturore.  

Në Perëndim, bie fjala në Gjermani, konkretisht në Panairin e Frankfurtit, libri nuk trajtohet si patëllxhan i palosur në tezgë, si spec, si qepë, apo si produkte të tjera bujqësore! Këto panaire kryesisht organizohen për takim dhe për “gjuajtje” të ndonjë autori që ia vlen të botohet, në gjuhë të ndryshme! Në stafin e shtëpive botuese serioze merr pjesë edhe një përkthyes, edhe një kritik, një njohës i rrjedhave të letërsisë botërore, edhe një jurist për kontratat eventuale! Përfaqësuesit e shtëpive botuese flasin mbi veprat më të mira të botuara, dikush mund të shprehë interesim për ta botuar në gjuhën e lexuesve që i përfaqëson aty. Thjesht, drejtuesit e shtëpive botuese janë në gjah pas autorëve të cilët do t’ua shtonin popullaritetin, famën dhe seriozitetin. Dhe tërë kjo pastaj përkthehet në përpjekje për të përfituar materialisht nga një aktivitet kulturor. Kjo pastaj është pjesa që flet për menaxhimin e librit dhe për ngritje ekonomike prej tij! Që të arrihet kjo, shtëpia botuese (pra, jo ministritë përkatëse) kontaktojnë me autorin, e marrin të drejtën ekskluzive për botim dhe, praktikisht, vitin e parë e shndërrojnë autori në “rob” të tyre, sepse shtëpia botuese pas botimit të veprës, do të ketë shumë aktivitete promovuese, publike e mediale, si të veprës ashtu edhe të autorit. Shto këtij aktiviteti edhe nja 4-5 recensione, kritika letrare dhe ja, brenda një kohe të caktuar, ikë komplet tirazhi, pastaj nis ribotimi, me kontratë tjetër me autorin, botimi i tretë, i katërt etj.

“Mbështetje kulturore” për akulturim

Cila shtëpi botuese te ne i ka të blera të drejtat autoriale të një autori bashkëkohor? Çka na servirin shtëpitë botuese? Kush i redakton dhe kush vlerëson se cili libër duhet të botohet? Këtu mund të botohet vetëm ai autor që paraprakisht do të heq dorë nga honorari në këmbim të dhjetë librave që do t’i marrë! Libri nuk është prodhim i shtëpisë botuese, as prodhim i ministrisë së kulturës! Libri është vepër e shkrimtari, është copa e shpirtit të tij, është shkëndijë e mendjes së tij, ndaj i vetmi që duhet të përfitojë është shkrimtari, autori! Prandaj, ministria e kulturës duhet të lidhë kontratë me autorin, i cili duhet të kalojë nëpër sitën e “shkrimtarëve, kritikëve të kombit”. Shtëpitë botuese duhet të jenë në gjah të këtij autori që ka kaluar këtë sitë, t’ia blejnë të drejtën autoriale për botim dhe, pastaj le të fitojnë sa të duan shtëpitë botuese prej atij libri! Por, për të ardhur deri te fitimi, ata duhet të bëjnë një sërë aktivitetesh kulturore mbi atë libër, sepse botimi në vete nuk paraqet kurrfarë eventi kulturor. Shtëpitë botuese janë biznes privat i personit që ka vendosur të pasurohet ose të mbijetojë përmes librit! Paramendoni një dyqan me plotë rafte, me produkte ushqimore të cilat ua ka paguar ministria ekonomike, që të kenë se çfarë të shesin dhe të fitojnë pa kurrfarë shpenzimi!

Mbi të gjitha, kjo që ndodhë te ne është një politikë e arritjes së ujdisë për “heshtje intelektuale”, sepse, kur i sponsorizon qeveria, apo ministria e kulturës gjithë ato shtëpi botuese ku frekuentojnë dhjetëra shkrimtarë dhe qindra pseudoshkrimtarë, që të gjithë pastaj e humbin të drejtën dhe kredibilitetin që të kritikojnë qeverinë apo ministrinë. Dhe kjo pastaj ndikon në vrasjen e shpirtit të një populli! Popullit, të cilit arrin t’ia partizosh dhe t’ia politizosh shkrimtarët, atë popull e ke mbytur fare, e ke lënë pa shtresën disidente, pa elitë kombëtare, pa përkujdesës të vlerave kulturore e civilizuese.

Kultura politike dhe politikat kulturore

Prandaj, sot shkrimtarët e Maqedonisë së Veriut, në çdo fshat kanë nga një “shoqatë të shkrimtarëve”, “klube letrare”, “pseudo-recitale” etj. sa për t’i shëruar frustrimet e shkronjësve që assesi nuk arrijnë të bëhen shkrimtarë. Dhe, fjalia e parë që ua shëron frustrimet përgjatë “takimeve letrare” është “këtë libër e sponsorizoi ministria e kulturës”!

Ministria e kulturës në shtetet perëndimore, përveç përkujdesit për politika të larta kombëtare, përkujdesen ekskluzivisht për trashëgiminë kulturore të kombit të vet. Në këtë kornizë i fusin edhe shkrimtarët, artistët kombëtarë, që me vlerat e tyre dëshmojnë se kanë arritur stadin e artistit apo shkrimtarit unversale, botëror dhe, ndodhë që këtyre ua sponsorizon ndonjë komplet librash, ndonjë koncert grandioz, ndonjë film që rritë vlerat e kombit, ndonjë shfaqe që do ta bëjë krenar kombin etj. Por, nuk i pengon që edhe shtëpitë përkatëse artistike-botuese të merren me aktivitete kulturore, pa i përkrahur me asnjë cent. Le të punojnë të gjitha ato shtëpi botuese, produksione filmash e teatrosh që kanë ide për kulturë, për vlera, për përfitime dhe taksën t’ia japin shtetit!

Sa i përket botimeve shqip në Maqedoninë e Veriut, siç u nënvizua më sipër, kemi një partizim dhe politizim të skajshëm, i cili institucionalisht po e degradon kulturën tonë. Kulturalisht do ta marrim të mbarën vetëm kur do të stopohet institucionalisht kjo çka po ndodhë me librin dhe, përgjithësisht, me “kulturën” tonë në Maqedoninë e Veriut! Pra, vetëm të ndalohet kjo praktikë, pastaj do të jemi më në nivel kulturor. Kemi mjaft nga ajo që mund të quajmë trashëgimi kulturore e shpirtërore. Atë çka po e bëjnë politikat tona në drejtim të kulturës sonë kombëtare, është diletantizëm si dhe, fatkeqësisht blerje e “heshtjes intelektuale” që do të duhej t’i shkërmoqte këto politika të akulturimit tonë.

Le ta përmbyllim këtë shqetësim me një “pikëpyetje” që shtrohet nga “parazitët” simotra – si po ia arrin të mbijetojë me sukses Shtëpia botuese LOGOS A, e cila edhe boton, edhe i paguan autorët si dhe përkthyesit? Derisa kjo Shtëpi botuese nga më produktive në hapësirat shqiptare punon, ka shumë të tillë që “brengën” e tyre e shtrojnë duke pyetur: “Kush po qëndron prapa kësaj shtëpie, kush po e financon që po arrin të botojë brenda një viti me dhjetëra e dhjetëra tituj?” Është mirë që mos ta bjerrin kohën me të tilla pyetje, thashetheme e vlerësime kuturu! Le të kërkojnë nga kjo shtëpi t’ju organizojë work shop-e, t’ju mbajë ligjërata, mbase do ta zbërthejnë ”enigmën” që aq shumë po i mundon! Me kulturë duhet të fitojë vetëm kombi dhe askush tjetër! Me aktivitete kulturore le të fitojë secili që është i zoti, që ka afinitete për ngjarje të mirëfillta kulturore. 

Leave a Reply