Lukashenko: NATO kërkon të sulmojë Bjellorusinë

Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko pretendon se Fuqitë e Mëdha po organizojnë ndërhyrje ushtarake në vend. Këtyre pretendimeve u është përgjigjur NATO që ka hedhur poshtë çdo aludim të tillë.

I veshur me veshje ushtarake, Lukashenko doli para kamerave dhe tha se ka vendosur në gatishmëri të lartë forcat e armatosura të Bjellorusisë. Edhe të shtunën vazhduan protestat në Minsk, ku demonstruesit i kërkuan Lukashenkos që zgjedhjet presidenciale të ribëhen.

Udhëheqësi bjellorus që qëndron në pushtet prej 26 vitesh, pretendon se NATO po përpiqet që të caktojë një President të ri në Bjellorusi. Ai u shpreh se trupat ushtarake të NATO në Poloni dhe Lituani janë duke u përgatitur për ndërhyrje ushtarake. Ndërsa theksoi se vetë ka vendosur në lëvizjen ushtrinë e vendit, duke e zhvendosur në kufirin perëndimor.

Sikundër NATO, edhe Lituania e Polonia hodhën poshtë pretendimet e Lukashenkos, duke thënë se nuk po ndërmerret asnjë veprim ushtarak kundër Bjellorusisë.

Deklaratat e Alexander Lukashenko i kanë konsideruar “propagandë të regjimit që kërkon të largojë vëmendjen nga problemet e brendshme”.

Leave a Reply