Malazezët votojnë për Parlamentin/ Në garë, forcat proeuropiane me ato proserbe

Pas një fushate thuajse të heshtur zgjedhore për shkak të kufizmeve të vendosura nga pandemia e koronavirusit, në Mal të Zi ka nisur procesi i votimit në zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare. Nga ora 7 e mëngjesit të sotëm, rreth 541 mijë qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin  mes 6 koalicioneve dhe 6 partive per 81 mandate në organin legjislativ.

Partia Demokratike e Socialistëve  e kryesuar nga presidenti Milo Gjukanoviç synon fitoren e njëmbëdhjetë pas 30 vitesh në pushtet, ndërsa opozita e renditur në disa blloqe, synon me ngulm ndërrimin e pushtetit. Zgjedhjet zhvillohen në atmosferën e një hendeku mes bllokut proeuropian dhe atij proserb, që u thellua pas miratimit dhjetorin e kaluar të ligjit për liritë fetare, të pasuar me konflikte mes shtetit dhe kishës ortodokse.

Ndërsa partia në pushtet i quan zgjedhjet vendimtare për mbrojtjen e sovranitetit të Malit të Zi nga nacionalizmi serb dhe kisha ortodokse serbe, për opozitën ato janë vendimtare për mbrojten e kishave dhe vendeve të shenjta. Me ndihmën e klerikeve, koalicionet opozitare „Për ardhmërinë e Malit të Zi” dhe „Kombi ynë është paqja” synojnë të fitojnë mbështetës dhe të rrëzojnë, atë që ata e quajnë, diktaturën 30 vjeçare.

Ndërkohë 5 parti shqiptare në Podgoricë do të jene në një koalicion të përbashkët pasi Liderët e Alternativës Shqiptare, Forcës së Re Demokratike, Lidhjes Demokratike Shqiptare, Unionit të Tuzit dhe Lëvizjes Qytetare Perspektiva ,nënshkruan një marrëveshje për të garuar se bashku.

Për fitoren e partisë qeverisëse PDS rol ndihmës mund të luajnë partnerët tradicionalë, partitë e pakicave. Në këto rrethana vota e shqiptarëve është me rëndësi për përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve.

Rezultati i këtyre votimeve, që konsiderohen si më të rëndësishmet që pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006, është më i paparashikueshëm se më pare dhe sipas analistëve do të varet tërësisht nga pjesëmarrja në votime.

Sipas autoriteteve zgjedhore në Mal të Zi, pjesëmarrja që në orët e para pas hapjes së qëndrave të votimit ishte 5.8%, pothuajse dyfish në krahasim me zgjedhjet e vitit 2016.

Leave a Reply