Mattis: Votimi në referendum është më i rëndësishmi në historinë e Maqedonisë

Referendumi i ardhshëm është vota  më e rëndësishme në historinë e kombit tuaj. Në referendum do të vendosni  për të ardhmen tuaj, të shfrytëzohet  mundësia për të shkuar  drejt një të ardhme të re dhe për këtë e keni përkrahjen e SHBA-së, porositi sekretari amerikan i Mbrojtjes James Mattis në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev dhe ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska.

“E njohim procesin kompleks politik i cili qëndron përpara dhe j’u përkrahim  në realizimin e votës tuaj demokratike dhe përgjegjësinë të votoni”, tha Mattis.

Ai theksoi se Marrëveshja e Prespës do të mundësojë  zbatim të reformave kyçe në procesin e inkuadrimit  në NATO dhe në BE,  do t’i përforcojë sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të Maqedonisë.

“Ju duartrokas për përpjekjet tuaja të palodhshme që ta arrini marrëveshjen historike të Prespës me Greqinë. E dimë se ajo ka kërkuar diplomaci të durueshme nga të dyja palët dhe kompromiset  janë gjithmonë të vështira”, tha Mattis duke u shprehur falënderime Zaevit dhe Shekerinskës për angazhimin e tyre në zgjidhjen e, siç tha, “kontestin e vështirë të emrit”.

Mattis përkujtoi deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg se me inkuadrimin në NATO, Maqedonia do të fitojë vend të barabartë  në aleancën ushtarake më të suksesshme së bashku me 29 vende të tjera anëtare të cilat, si tha ai, “obligohen  t’ju mbrojnë juve dhe sigurinë tuaj”.

“Kjo sjell siguri të përforcuar, si dhe zhvillim ekonomik të përforcuar”, tha sekretari shtetëror amerikan i Mbrojtjes dhe potencoi shembullin e Malit të Zi, ku investimet e huaja u shumëfishuan pas pranimit të tij në NATO.

Theksoi edhe se Aleanca mundohet edhe për ruajtje të integritetit territorial dhe ruajtje të lirisë dhe demokracisë.

“Ne jemi të gatshëm t’u dëshirojmë mirëseardhje si anëtarja e 30-të e NATO-s”, porositi sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së.

Kryeministri Zaev tha se është nder që sekretari amerikan i Mbrojtjes po e viziton Maqedoninë. Ai falënderoi Mattisin për mbështetjen që SHBA-të e kanë dhënë për shtetin.

“Është nder për ne që Mattis vjen në këtë kohë, pasi është moment i rëndësishëm për qytetarët tonë, të cilët duhet të japin mbështetje për marrëveshjen me Greqinë në referendum. Vizita juaj tregon edhe një herë mbështetjen e SHBA-ve për Maqedoninë. I kam treguar Mattis se angazhohemi për të realizuar referendum të suksesshëm. I thash se bëjmë thirrje për bashkim, pasi bëhet fjalë për qëllim të përbashkët – anëtarësim në NATO dhe BE. Vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësuara në BE dhe NATO, është siguri për mospërfshirjen e palës së tretë në rajon”, deklaroi mes tjerash Zaev.

Ndërkaq, ministrja e Mbrojtjes Shekerinska, tha se vizita e Mattis në Maqedoni është historike, pasi dy herë brenda vitit ajo ka realizuar takim me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, një në Washington dhe një në Shkup.

“Mbështetja juaj është konfirmim i qëllimit strategjik të Maqedonisë për të bashkëpunuar me SHBA-të. Për herë të parë në historinë e shtetit tonë, për më pak se një vit sekretari amerikan mban takim me ministren e mbrojtjes së Maqedonisë. Në kohët më të vështira ju keni qenë në anën tonë. Edhe këtë herë Maqedonia ka marrë mbështetjen nga SHBA-të. Qytetarët tonë e dinë mundësinë për anëtarësim në NATO dhe BE. Ata me votën e tyre do të vendosin ton të ri në rajon”, tha Shekerinska.

Leave a Reply