Mbi 10 mijë të shëruar nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

Numri i të shëruarve nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 10,025, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë, duke e vlerësuar të si të suksesshme punën e institucioneve shëndetësore në luftën kundër koronavirusin të ri.

“Në javët e fundit kemi një rritje të numrit të njerëzve që shërohen nga koronavirusi dhe numri i atyre aktivë është në rënie. Vetëm së bashku mund të parandalojmë përhapjen e virusit. Mbani maskë mbrojtëse, mbani distancën fizike dhe pastroni duart rregullisht. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se shëndeti dhe jeta e njeriut”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe.

Sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publike, në 24 orët e fundit janë testuar 1,733 mostra dhe prej tyre 159 persona janë diagnostikuar me sëmundjen COVID-19, 75 janë shëruar dhe gjashtë pacientë kanë vdekur.

Numri më i madh i të infektuarve është në qytetet e Shkupit, Kumanovës dhe Gostivarit.

Sa i përket viktimave; katër janë regjistruar në Shkup të moshës 77, 80, 85 dhe 86 vjeç, një në Gostivar dhe një tjetër në Shtip. Më këto numri i të vdekurve ka arritur në 563, pjesa dërrmuese të të cilave në Shkup.

Nga 13,458 persona të infektuar me koronavirus, aktivë janë ende 2,843 persona.

Në Maqedoninë e Veriut deri tani janë kryer 136.051 teste për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë ka njoftuar edhe për procedura të reja për testimin e personave me COVID-19.

Nga kjo fundjavë më nuk do të ketë teste kontrolluese për të infektuarit me koronavirus. Deri më tani çdo person i infektuar, në ditën e dhjetë i nënshtrohej një testi kontrollues dhe pas dy javësh edhe një testi të dytë, pas çka konstatohej nëse është shëruar apo jo nga COVID-19. Vendimi për heqjen e testeve, siç ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Filipçe, është marrë pas studimit të ekspertëve të Akademisë së Shkencave se asnjë person i sëmurë me COVID-19 nuk ka rezultuar pozitiv në testet pasuese, kështu është vlerësuar e panevojshme bërja e testeve.

Nga tani e tutje, gjendjen e personave të infektuar me koronavirus pas ditës së dhjetë do ta ndjekë mjeku familjar dhe në rast të ndonjë komplikimi, atëherë do të ketë trajtim nga specialistët./REL/

Leave a Reply