Mbi një mijë protestues të arrestuar në Bjellorusi

Policia bjelloruse arrestoi më shumë se 1.100 njerëz më 15 nëntor gjatë protestave që u mbajtën në të gjithë vendin, për të kërkuar dorëheqjen e Alyaksandr Lukashenka dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale.

Zgjedhjet presidenciale u mbajtën në muajin gusht, mirëpo opozita dhe vendet perëndimore kanë thënë se ato ishin të manipuluara.

Grupi i të drejtave të njeriut Vyasna tha se shumica e arrestimeve u kryen në Minsk, ku forcat e sigurisë përdorën gaz lotësjellës për të shpërndarë mijëra demonstrues.

Ky është numri më i lartë i arrestimeve, në një ditë të vetme, që nga fillimi i protestave. Numri i përgjithshëm i njerëzve të ndaluar që nga gushti besohet të jetë mbi 25.000, sipas Vyasna.

Të paktën 23 gazetarë – përfshirë katër kontribues në Shërbimin Bjellorus të Radios Evropa e Lirë ishin midis atyre që u arrestuan në Minsk dhe qytete të tjera, sipas Shoqatës Bjelloruse të Gazetarëve.

Udhëheqësja e opozitës, Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila ka thënë se votimet ishin të manipuluara në favor të Lukashenkas dhe e konsideron veten fituese të ligjshme, bëri thirrje për mbështetje ndërkombëtare për demonstruesit.

“Ne i kërkojmë aleatëve tanë të qëndrojnë me popullin bjellorus dhe të drejtat e njeriut. Na duhet një korridor humanitar për të plagosurit, mbështetje për mediat, hetim ndërkombëtar i krimeve”, shkroi ajo në Twitter.

Tsikhanouskaya u largua nga Bjellorusia për në Lituani menjëherë pas zgjedhjeve të muajit gusht.

Shumica e udhëheqësve të opozitës së vendit janë arrestuar ose detyruar të largohen nga vendi.

Lukashenka, i cili ka drejtuar Bjellorusinë për 26 vjet, më 13 nëntor u zotua se nuk do ta dorëzojë pushtetin.

Lukashenka tha se vendi i tij duhet të integrohet me Rusinë dhe organizatat e drejtuara nga Moska për të shmangur atë që ai e quajti “revolucione me ngjyra” – një term i përdorur shpesh për të përshkruar përmbysjet politike pro-perëndimore.

Leave a Reply