Mbyllen rrugët për Trump

Gjykatat refuzojnë paditë, Biden drejt shpalljes zyrtare fitues

Sfida ligjore që po ndjek presidenti amerikan Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve duket se po hidhet poshtë nga shumë gjykata. Një gjykatës në Pensilvani ka hedhur poshtë një padi ligjore nga Trump që kërkonte të zhvleftësonte miliona vota postare. Gjykatësi Matthew Brann deklaroi se presidenti amerikan nuk ka prova nëse këto vota postare janë manipuluar.

Ky veprim i hap rrugën Pensilvanisë që javën e ardhshme të certifikojë fitoren e Joe Biden, i cili kryeson me më shumë se 80,000 vota. Kjo ishte goditja e fundit për Donald Trump, i cili po përpiqet të përmbysë humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale të 3 Nëntorit.

Ai ka refuzuar të pranojë dhe ka bërë akuza për mashtrim të gjerë zgjedhor, pa dhënë ndonjë provë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka humbur një sërë gjyqesh që kundërshtojnë rezultatet nga zgjedhjet duke kërkuar rinumërim në disa shtete si një përpjekje për të mos i dhënë fitoren Biden.

Ai gjithashtu ka kërkuar një rinumërim në shtetin Xhorxhia, ku zyrtarët certifikuan të premten rivalin demokrat si fitues, pas një verifikimi të çdo vote. Ekipi ligjor i Trump ka thënë se planifikon një proces gjyqësor në këtë shtet.

Në një sondazh të kryer nga kompania Morning Consult në fund të Tetorit, 70% e republikanëve shpreheshin se rezultatet e zgjedhjeve do të ishin të besueshme. Dhe Trump do të merrte sërish një tjetër mandat, por gjatë këtij muaji kjo shifër ra në 27%.

45% e republikanëve thonë se zoti Trump duhet të pranojë humbjen nëse nuk mund t’i mbështesë me fakte pretendimet për manipulimin e votave në zgjedhjet e 3 Nëntorit.

Leave a Reply