Mbyllet totalisht Greqia, izolim i plotë deri më 11 Janar

Qeveria greke ka shtrënguar masat duke vendosur rregulla të ashpra për pandeminë.

Zëdhënësi i qeverisë greke ka dalë sot në një deklaratë për mediat ku ka njoftuar se duke filluar nga dita e nesërme 3 Janar ora 06:00 e mëngjesit do të mbyllen të gjitha njësitë e shërbimit.

Masat e reja do të qëndrojnë në fuqi deri në datën 11 Janar në orën 06:00 të mëngjesit.

Të gjitha njësitë e shërbimit që ishin hapur gradualisht për festat e fundvitit, do të mbyllen tërësisht deri më 11 Janar duke vendosur kështu izolim total në Greqi. Edhe gjuetia dhe peshkimi pezullohen sërish, njoftoi zëdhënësi i qeverisë greke.

Qarkullimi i automjeteve do të kufizohet dhe do të ndalohet nga ora 21:00 deri në orën 05:00. Përjashtim do të bëjnë kategoritë e përcaktuara nga autoritetet greke.

Sipas Kryeministrit Mitsotakis dhe qeverisë që ai drejton, qëllimi i këtyre masave është frenimi i pandemisë dhe ulja e numrit të të infektuarve.

Duke filluar nga 11 Janari, Greqia synon që të hapë shkollat në të gjitha nivelet. Po kështu, do të rikthehen edhe disa njësi shërbimi. Edhe kishat do të hapen nga 11 Janari, por gjatë këtyre ditëve ritualet do të kryhen nga priftërinjtë, por pa besimtarë.

Në fund të javës së dytë të Janarit, do të bëhet një rivlerësim i situatës epidemiologjike në vend. 

Leave a Reply