Me “krëhër vetingu”

Mjafton vetëm një shembull si Sulejman Rexhepi për ta njollosur dhe damkosur me njollë përfundimisht të pashlyeshme gjyqësorin dhe drejtësinë e Maqedonisë. Ndërsa ky shtet ka plotë Sulejman Rexhepa që e mbajnë peng sistemin e drejtësisë, prandaj, pa eliminimin e këtyre personazheve negativë si dhe të atyreve që i mbajnë të gjallë këta personazhe, vështirë se mund të flitet për fillimin e procesit të reformave në drejtësi

 

Shkruan Samet SALLAHU, jurist (Phd, kandidat)

 

Qeveria aktuale e Maqedonisë, ndonëse jo bindshëm, megjithatë ka fituar përkrahjen masovike të popullatës së gjërë falë promovimt të iniciativave shtetërore për reformim të gjithanshëm. Mbi të gjitha, është folur dhe premtuar së tepërmi për reforma të domosdoshme në institucionet e drejtësisë, të gjyqësorit. Natyrisht, çdo gjë do të jetë farsë politike, nëse edhe Maqedonia nuk vendos për një krehje të thellë të institucioneve nën varshmëri të digasterit të drejtësisë, edhe atë me “krëhërin e vetingut”! Modeli në fjalë tashmë po funksionon në Shqipëri, mbetet vetëm vullneti për t’iu qasur reformës me një përkushtim të pakthyeshëm!

Pse pikërisht me “krëhërin e vetingut”!? Sepse, nuk ka reformë pa përgjegjësi të të gjithë atyre subjekteve që e kanë sjellë në këtë nivel të turpshëm gjyqësorin tonë. Nuk mundet që të ketë reformë efikase pa i nxjerrur para drejtësie të gjithë ata gjykatës që kanë manipuluar, që janë korruptuar dhe që i kanë shërbyer politikave ditore. Korrupsioni qeveritar, partiak, familjar si dhe vënia në shërbim të politikave ditore, kanë ndikuar që me dhjetra raste të dalin të montuara dhe të dergjin nëpër burgje dhjetra qytetarë absolutisht të pafajshëm. Të gjithë ata gjyqtarë të korruptuar, ata prokurortë të shitur, vegla në duart e aparatçikëve partiakë, që nuk dëshirojnë t’i nënshtrohen kësaj “krehje” atëherë, të kenë një deadline për vetëtërheqje, duke mos iu nënshtruar pastaj procesit të pastrimit të figurës së gjyqtarit (deklarimi i pasurisë, konfiskimi i pasurisë apo edhe burgosja e tyre)!

Deri më sot kemi lexuar me qindra shkrime që flasin për një personalitet super të denjë për largim nga skena publike dhe për burgosje të tij, ndërkohë që deri më sot nuk e ka gërvishur qoftë një gjemb! Ose, si ka mundësi që organet e drejtësisë të lejojnë që të njolloset figura e personalitetit të një kleriku fetar siç është Sulejman Rexhepi, i vetëshpalluri reis i BFI në RM! Nëse janë të vërteta argumentet që i sjell oponenca e Sulejman Rexhepit, atëherë ky duhet të përfundojë në burg, ndërsa nëse të gjitha ato argumente janë shpifje nga ana e opozitës, atëherë, është krejt normale që prijësit e kësaj opozite të BFI-së së Mulla Sulës, të përfundojnë në burg.

Është për t’u çuditur me një sinkronizim te hatashëm të qëndrimeve të mediave të vendit me gjyqësorin e vendit! Asnjëri dhe as tjetri “organ” nuk merren me aferat, argumentet dhe paditë e njeri tjetrit, në mes të BFI-së së Mulla Sulës dhe opozitës së saj, Nismës për reforma në BFI!

Ky qëndrim kaq shumë i sinkronizuar dhe në mënyrë kaq perfide të heshtur karshi aferave nga më të ndryshmet, flet për një korruptim të thellë të shoqërisë sonë, aq të thellë sa, të gjitha përpjekjet për reforma në këtë digaster duken vetëm një farsë e kotë.

Është shkruar e folur se Sulejman Rexhepi na qenka i vetëshpallur, do me thënë, nuk e ka kaluar procedurën e zgjedhjes së tij si reis ul ulema i BFI-së? A është verifikuar një pohim i tillë apo është injorizuar në formën “copa u bëfshin ata në BFI”! A janë kontrolluar procesverbalet e zgjedhjes së reisit, a është kontrolluar rregullroja e re e zgjedhjes së reisit, kush kanë qenë komision i kësaj rregullore, kush ka nënshkruar rregullore e procsverbale zgjedhore! Janë të nevojshme këto procedura, sepse, pastaj duhet të shihet se si është deponuar nënshkrimi në Regjistrin qendror shtetëror dhe, nëse është falls kush do të mbajë përgjegjësi?

Kjo për më tepër është e nevojshme të kontrollohet sepse, pas kësaj procedure të falsifikuar, sipas Nismës për reforma në BFI, kanë pasuar një sërë vendimesh, dokumentesh të nënshkruar, e arsyetimesh me nënshkrim falls. Vendimet, doumentet e arsyetimet do të duhej të shpalleshin nult, ndërsa fallsifikatorët të përfundojnë përtej grilave!

Është shkruar e përfolur edhe nënshkrimi i një vendimi me një sipërmarrje ndërtimore për blerjen e dy apartamenteve superluksoze në Ohër në vlerë prej fiks njëmilion euro! Kush e solli këtë vendim? A u formua ndonjë komision i dalur nga Rijaseti! Si rrodhi ideja deri te një vendim të tillë!

Flitet se BFI e Mulla Sulës ka blerë dy-tre makina për përdorim zyrtar, ndërsa të gjitha janë blerë në mënyrë kaçakçe! Janë shkruar sërë shkrimesh për këtë dukuri, me të cilat kanë qenë të njohtuar edhe organet e drejtësisë? Nuk është e qartë se si kanë heshtur të gjitha organet gjegjëse që merren me kontroll të shpëlarjes së parave! Kush ka sjellur vendim për blerjen e atyre makinave, a ka pasur tender, a ka pasur oferta, cili komision u përcaktua për një ofertë; si u sollën vendimet që me paratë e BFI-së familjarët e Mulla Sulës të udhëtojnë jasht shtetit dhe atje t’i blejë makinat me arsyetim se janë më lirë?

E tërë Maqedonia, madje përmes CNN amerikan dhe e tërë bota është njohuar me krahasimin se vetëm dy prej “liderëve” të vetëshpallur në botë mbajnë në dorë orë ROLEX: Al Bagdadi i ISIS-it si dhe Mulla Sula i BFI-së! Është shkruar e stërfolur se ajo orë i është dhënë dhuratë Mulla Sulës nga një bisnesmen maqedonas! Pse i është dhënë? Cili ishte shërbimi i Mulla Sulës për këtë bisnesmen që ta meritojë prej tij një orë aq shumë të vlefshme? Cila është vlera e një dhurate që  mund ta marrë sipas ligjeve të Maqedonisë një personalitet publik?

Fare në fund, po flitet edhe për një aferë korruptive ndërsa organet e hetuesisë dhe më tej heshtin dhe nuk ndërmarrin asnjë veprim konkret! Po flitet se në oborr të Mulla Sulës po lulëzon një pallat i tij, si rezultat i njëzet përqindëshit nga “qendra” që do të ndërtohet në Gostivar!

Është folur e shkruar për sërë aferash finansiare në BFI e në Medrese, është folur e shkruar se më tepër hanë mish kurbani qentë dhe zagarët e Mulla Sulës se sa vetë nxënësit e Medresesë, është folur e shkruar për nepotizmin, mbi të gjitha, është folur e shkruar për aktet dhe veprimet kriminale që janë ndërmarrur në BFI nga vetë njerzit e Mulla Sulës, ndërsa deri më sot asnjë hap konkret nga ana e organeve të hetuesisë! Mjafton vetëm një shembull si Sulejman Rexhepi për ta njollosur dhe damkosur me njollë përfundimisht të pashlyeshme gjyqësorin dhe drejtësinë e Maqedonisë. Ndërsa ky shtet ka plotë Sulejman Rexhepa që e mbajnë peng sistemin e drejtësisë, prandaj, pa eliminimin e këtyre personazheve negativë si dhe të atyreve që i mbajnë të gjallë këta personazhe, vështirë se mund të flitet për fillimin e procesit të reformave në drejtësi.

Ta themi troç para qytetarëve – ky është problemi i Maqedonisë dhe jo emri i tij që e frenon inkuadrimin e këtij shteti në struklturat euro-atlantike.

Leave a Reply