Mediu: Në 25 prill shqiptarët i bashkohen të ardhmes evropiane

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu deklaroi se në 25 prill do të vendoset fati i shqiptarëve. Gjatë një takimi me strukturat në Fushë-Krujë, Mediu tha se që Shqipëria të hedhë hapa drejt BE, duhet që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë e lartë.

“Zgjedhjet e 25 prillit janë zgjedhjet me një rëndësi jashtëzakonisht të madhe kombëtare, sepse do përcaktojnë përfundimisht që shqiptarët dhe Shqipëria t’i ndahen kësaj të keqe dhe për t’ju bashkuar të ardhmes Europiane. Por që të ndodhë kjo, është e rëndësishme pjesëmarrja jonë. Është e rëndësishme që ne po ashtu të komunikojmë dhe të debatojmë me njëri-tjetrin, të kemi ide të qarta se çfarë duam të ndërtojmë. Unë kam bindjen që me reforma të thella dhe me një luftë kundër krimit të organizuar, me një luftë kundër korrupsionit, duke ndërtuar institucione të fuqishme, duke bërë reforma të rëndësishme në arsim, shëndetësi apo dhe në sektorë të tjerë të rëndësishëm, Shqipëria brenda 4 viteve mund të bëhet vend anëtar i Bashkimit Europian.”

Ai foli edhe për largimin masiv të të rinjve nga vendi, duke e konsideruar këtë një problem të thellë të Shqipërisë.

Leave a Reply