Merkel e Macron, thirrje KE-së

Përgatituni për një valë të dytë pandemie të Covid-19

Gjermania dhe Franca dhe disa vende të unionit i bëjnë thirrje Komisionit Europian të përgatitet për një valë të dytë përhapjeje të koronavirusit.

Thirrjen ia kanë dërguar përmes një letre drejtuar Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Lajen, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Macron. Kjo letër është nënshkruar edhe nga liderët e Spanjës, Polonisë, Belgjikës e Danimarkës.

Sipas disa mediave europiane që kanë parë nga afër këtë letër, liderët e 6 vendeve anëtare të unionit kërkojnë që Komisioni të përgatisë një paketë masash kryesisht ekonomike për një reagim të përbashkët për t’i bërë ballë një vale të dytë pandemie.

Deri më tani vendet e Bashkimit Europian të marra së bashku kanë shënuar mbi 184 mijë viktima. Kjo shifër përbën 44.5% të numrit total të vdekjeve nga koronavirusi në gjithë globin.

Nëse vdekjet në vendet europiane llogariten së bashku, unioni renditet në krye të listës së viktimave të COVID-19-ës në botë, duke lënë pas Shtetet e Bashkuara që kanë aktualisht mbi 114 mijë të vdekur.

Disa vende europiane, përfshirë edhe Gjermaninë, po përballen me një rritje të lehtë të numrit të infektimeve gjatë ditëve të fundit. Ekspertët ia venë fajin edhe lehtësimit të masave për frenimin e përhapjes së pandemisë.

OBSH ka këshilluar të bëhet kujdes me liberalizimin e këtyre masave, pasi mund të zhbëhen të gjitha arritjet e deritanishme në frendimin e përhapjes së COVID-19 , nëse nuk respektohen rigorozisht rregullat e distancimit social.

Leave a Reply