Meta: Pas 21 qershorit, pushtet vendor real. LSI, njerëz të aftë për qeverisje

Ilir Meta, në takimin e komitetit drejtues të fraksionit rinor të LSI-së, ka shprehur bindjen e tij se në zgjedhjet vendore kjo parti do të arrijë rezultatet e dëshiruara.

Sipas Metës, për herë të parë që pas rënies së diktaturës Shqipëria do të ketë një pushtet vendor real, falë reformës së re administrativo-territoriale, të cilën ai nuk ngurroi ta quante “historike”.

“LSI është në një lëvizje të pandalshme, të vazhdueshme, në aksion me shpirtin e iniciativës dhe sipërmarrjes dhe kjo do të dëshmohet më së miri në zgjedhjet vendore. Për herë të parë në 21 qershor do të themelohet një pushtet real vendor, sipas ndarjes së re territoriale. Reforma territoriale ishte historike pasi ndau për herë të parë pushtetin vendor nga regjimi i vjetër”, deklaroi Meta.

Në fjalën e tij para të rinjve, kreu i Kuvendit theksoi se pas 21 qershorit do të krijohen shanse të reja për rininë shqiptare, ndaj dhe sipas tij duhen persona të aftë për të menaxhuar këto oportunitete.

“Pas 21 qershorit do të ketë shanse të reja, ndaj duhen jo vetëm kandidatë por edhe njerëz të tjerë të aftë për të ndryshuar qeverisjen e deritanishme dhe për të sjellë një qeverisje vendore të re. Kjo qeverisje e re duhet të zhvillojë komunitetet dhe t’u shërbejë atyre në mënyrën më të denjë”, u shpreh Meta.

Në këtë aspekt, Meta cilësoi si tejet të rëndësishëm dekriminalizimin e politikës, proces që sipas tij duhet të largojë politikën arrogante dhe ata politikanë që ai i quajti “primitivë”, si dhe reformën në arsim, e cila duhet t’i japë fund diplomimit fiktiv.

“Jam i bindur se zgjedhjet e 21 qershorit do të konfirmojnë një mbështetje të gjerë për Aleancën për Shqipërinë Evropiane, pasi ajo ka bërë përpjekjet më të mëdha për zhvillimin e vendit dhe ka hedhur themelet për një perspektivë të re”, shtoi Meta.

Leave a Reply