Mijëra njerëz në funeralin e Floyd/ Demokratët propozojnë reformë të thellë për policinë

George Floyd është përcjellë në banesën e fundit këtë të martë. Ceremonia funerale në Hjuston është shoqëruar nga mijëra njerëz.Vdekja e afro-amerikanit 46 vjecar frymëzoi protesta masive anti-raciste jo vetëm në SHBA por në të gjithë botën.

Anëtarët demokratë të kongresit, së bashku me kryetaren Nancy Pelosi, u ulën në gjunjë për t’i bërë homazhe viktimës. Ata propozuan një reformë rrënjësore në polici si përgjigje ndaj vdekjes së dhjetra njerëzve me ngjyrë nga dhuna e policëve të bardhë.

Projekt ligji synon rishikimin e statusit të sjelljes së policisë federale, për ta bërë më të lehtë ndjekjen penale të punonjësve të përfshirë në sjellje jo profesionale “me vetëdije ose në shpërfillje të plotë të rregullave”. Paketa gjithashtu do të ndryshojë dhe atë që njihet si “imunitet i kualifikuar”.

Në një reagim në rrjetin social “Twitter”, presidenti Donald Trump u shpreh se ky  vit ka parë numrat më të ulët të krimit në historinë e vendit  dhe tani Demokratët e majtë radikalë duan të gjymtojnë policinë. “Na falni, dua LIGJ & REND!”-shkruan Trump.

George Floyd  u vra më 25 maj nga ish oficeri Derek Chauvin i cili pasi e arrestoi për një faturë false me vlerë 20 dollarë, e ka shtypur me gju në pjesën e pasme të qafës për rreth 9 minuta.

Chauvin përballet me akuzat e vrasjes së shkallës së dytë duke rrezikuar 40 vjet burg ndërsa në fund të muajit do të mbahet seanca gjyqësore e radhës. Tre policët e tjerë që kanë marrë pjesë në ndalimin e Floyd janë pushuar nga puna dhe janë akuzuar për bashkëfajësi në vrasje.

Leave a Reply