Mitsotakis: Pakti detar nuk u finalizua prej fajit të Shqipërisë, kam shumë çështje për të diskutuar me Ramën

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka bërë me faj Shqipërinë për faktin që mes dy vendeve fqinje nuk ka akoma një marrëveshje për detin.

Në një konferencë për mediat të dielën, Mitsotakis konfirmoi takimin me kryeministrin Edi Rama dhe shtoi se ka shumë çështje për të diskutuar me të.

Takimi pritet të mbahet të mërkurën, sipas mediave greke. Mitsotakis tha se do të ketë një takim edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Verut, Zoran Zaev.

“Ajo që nuk është e mbyllur është zbatimi i saktë i një marrëveshjeje, sipas mendimit tonë, problematike. Dhe nëse kemi rezerva, kjo është diçka që ne padyshim do ta diskutojmë. Dhe, po, ne po flasim me z. Zaev. Në fakt, z. Zaev do të jetë në Athinë si pjesë e Konferencës së “The Economist” pas 3 ditësh, ashtu si edhe kryeministri i Shqipërisë, dhe unë do të takohem me të dy. Ne kemi çështje për të diskutuar. Ne jemi fqinjë. Nëse ka, siç ju thashë, çështje specifike që na shqetësojnë, ne do t’i diskutojmë me mirëbesim me ta. Por sigurisht që unë do të flas edhe me z. Zaev dhe z. Rama, me të cilin kemi gjithashtu një numër çështjesh për diskutim, veçanërisht pas vendimit për zgjatjen e ujërave territoriale. Ne do të duhet të gjejmë sërish mundësinë për të rinisur diskutimet. Marrëveshja detare, për fat të keq, nuk u arrit jo për fajin tonë, por për fajin e Shqipërisë. Këtë çështje unë do ta diskutoj me z. Rama.”

Edi Rama pritet të vizitojë Greqinë në 15 dhe 16 shtator. Ai do të jetë i ftuar në takimin e 24-ët të tryezës së rrumbullakët organizuar nga e njohura “The Economist”, nën titullin “Evropa: Të riforcojmë kohezionin në kohë të trazuara.

Leave a Reply