Moti apokaliptik tmerron banorët

Viktima, të plagosur e dëme të konsiderueshme në Francë

Breshëri me madhësinë e topit të pingpongut theu xhama makinash dhe shkatërroi të mbjellat në Francë. Stuhia përfshiu rajonin e Auvergne-Rhone-Alps, që mori edhe dëmtimet më të mëdha të dielën.

Një 51-vjeçare gjermane humbi jetën pasi erërat e forta rrëzuan një pemë mbi çadrën e saj të kampingut, ndërsa një turist u mbyt rreth 50 kilometra në veri të Zvicrës, në Liqenin Gjenevë.

Pamjet e publikuara në internet tregojnë breshërin që thyen xhamat e makinave dhe rrugët të cilat përmbyten me shpejtësi, ndërsa pamje të tjera flasin për të mbjella, ferma e shtëpi të shkatërruara.

Ministri francez i Bujqësisë, Didier Guillaume tha se shteti do të shpallte emergjencën natyrore, për t’u përballur me pasojat.

Mediat lokale raportojnë për të paktën 12 të lënduar dhe mbi 2 mijë shtëpi të cilat mbetën pa energji elektrike, mbrëmjen e së dielës.

“Ishte apokaliptike”, tha për France Info, Marie-Helene Thoravaldes, kryebashkiakja e Romans-sur-Isere.

Leave a Reply