NATO: Rusia duhet t’u përgjigjet pyetjeve serioze rreth Navalny-t

Pas një takimi urgjent të ambasadorëve të NATO-s të premten për të diskutuar helmimin e udhëheqësit rus të opozitës Alexei Navalny, u tha se Rusia duhet të bashkëpunojë plotësisht me një hetim të pavarur nën mbikëqyrjen e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike.

Duke folur para gazetarëve pas takimit në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se “përdorimi i armëve kimike tregon mosrespektim total të jetës njerëzore dhe është një shkelje e papranueshme e normave dhe rregullave ndërkombëtare“.

Vendet anëtarë të NATO-s ranë dakord se përpara Rusisë shtrohen pyetje serioze të cilave Kremlini duhet t’u përgjigjet siç tha zoti Stoltenberg.

Kremlini i ka hedhur poshtë akuzat se qëndron pas helmimit të papritur të politikanit kryesor opozitar rus.

Reagimi pasoi njoftimin se një hetim i kryer në Gjermani arriti në përfundimin se zoti Navalny ishte helmuar me një agjent të ndaluar ushtarak të prodhuar gjatë periudhës sovjetike.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha ngjarja ishte qartësisht një përpjekje për t’i marrë jetën politikanit opozitar nga aktorë të sponsorizuar nga shteti rus.

“Alexei Navalny ishte viktimë e një sulmi me një agjent nervor kimik të grupit Novichok. Ky helm mund të identifikohet pa asnjë dyshim nëpërmjet testesh. Ka disa pyetje serioze të cilave vetëm qeveria ruse mund t’u përgjigjet”, tha zonja Merkel.

Kremlini hodhi menjëherë dyshime mbi diagnozën, duke thënë se bazuar në analizat e kryera nga mjekët rusë, përpara se zoti Navalny të dërgohej në Berlin nga një spital siberian më 22 gusht, nuk kishin rezultuar shenja të agjentit nervor dhe aq më pak helmim.

 “Para se pacienti të nisej për në Gjermani, në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare, u bë një seri testesh në Rusi dhe nuk u gjet asnjë substancë helmuese“, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, duke reaguar ndaj deklaratës së zonjës Merkel./VOA

Leave a Reply