Në Honk Kong mposhtet qeveria e mbështetur nga Kina

Mbështetësit e protestave dhe për demokracinë e Honk-Kongut kanë korrur një fitore të thellë kundër partisë qeveritare. Në zgjedhjet lokale të së dielës, morën pjesë dyfishi i zgjedhësve të fundit. Guvernatorja e qytetit gjysmautonom thotë se do të reflektojë.

Demokratët e Honk-Kongut kanë mposhtur qeverinë e mbështetur nga Kina duke fituar mbi 90 për qind të këshilltarëve në zgjedhjet rajonale të së dielës.

Pjesëmarrja rekord dhe procesi pa incidentet i dërguan sinjal të qartë ekzekutivit, se qytetarët i mbështetin protestat gjashtëmujore, por edhe kauzat për më shumë demokraci dhe pavarësi.

Mësohet se kandidatët prodemokratë kanë fituar 390 nga 452 këshilltarët e përgjithshëm të shpërndarë në 18 ndarjet administrative të qytetit.

Mes fituesve janë edhe ish-studentë apo aktivistë që merrnin pjesë në protestat e muajve të fundit, të cilët tani do të vendosin për administrimin e qytetit.

“Mendoj se qeveria do të mësojë se problemet politike nuk zgjidhen duke na shtypur. Sot kishim zgjedhjet për këshillat rajonalë, ndërsa vitin tjetër kemi zgjedhjet për Kuvendin,” deklaron një banor i qytetit.

Guvernatorja Keri Lem tha të hënën se e respekton rezultatin e zgjedhjeve dhe do të reflektojë me përulësi.

Ndërkohë, edhe Pekini zyrtar i komentoi zhvillimet në Honk-Kong, duke sqaruar se qyteti gjysmautonom mbetet territor kinez çfarëdo që të ndodhë në zgjedhje.

Leave a Reply