Nikolla i përgjigjet Bashës: Kur të marr zyrtarisht detyrën do ju ftoj për takim

Për dy ditë rresht Lulzim Basha ka sulmuar ministrinë e arsimit, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, e sot Lindita Nikolla, ministrja e ringarkuar me këtë detyrë i kthen një përgjigje shumë diplomatike.

Zonja Nikolla i bën me dije disa fakte Bashës, e në fund ajo i thotë se sapo të marrë zyrtarisht detyrën e ministres së Arsimit do ta ftojë atë në një takim për të dëgjuar çdo ide e sugjerim të tijin.

Më poshtë statusi i plotë i Lindita Nikollës:
Zoti Basha, mbase e keni harruar që prej më shumë se tre muajsh, dikasterin e arsimit e drejton një e zgjedhura juaj. Prandaj po jua kujtoj!
Mbase nuk e dini edhe që pavarësisht dorëheqjes, e zgjedhura juaj ka qënë shumë aktive në çoroditjen e dikasterit përmes vendimeve e veprimeve të paligjshme. Ndërkohë që mund të ju kish informuar për organizimin e shpërndarjes së librave duke i dhënë fund evazionit, si dhe për paketën e teksteve që lidhet me kurrikulën e re.

Prandaj po jua bëj me dije.

Dhe së fundi, mbase nuk e dini, por është e pavërtetë që librat shkollorë janë falas për të gjithë në të gjithë rajonin. Prandaj po iu informoj.
Megjithatë, me të marrë zyrtarisht detyrën e Ministres së Arsimit, Sportit e Rinisë, une do iu kërkoj një takim për të dëgjuar idetë tuaja dhe në vazhdimësi, do te dëgjoj me respekt çdo ide a sugjerim tuajin apo të grupit tuaj parlamentar.

Shumë faleminderit dhe suksese në detyrën tuaj si kryetar i opozitës në katër vitet e ardhshme.

Leave a Reply