Një dekadë “Gërdec”, “peshq të mëdhenj” dhe padrejtësia që të çon tek Kanuni

Nga Andrea Danglli/

Nëse dikush nuk të rrëfen se këtyre anëve ka ngjarë një tragjedi e kobshme, është e vështirë që sot t’i gjesh mbi sipërfaqe gjurmët e së shkuarës.

Në fillim na shfaqet një rrugë e shtrembër, disa shtëpi të vendosura në mënyrë të çrregullt dhe një qiell i nxirë si të jetë ngjyrosur nga ndonjë piktor abstrakti. Porsa lemë pas autostradën “Tiranë-Durrës”, një tabelë e vendosur shtrembtas na njofton se jemi në prag të fshatit Gërdec, apo thënë më saktë afër zonës së quajtur Marqinet 2 që thuhet se sasinë e shiut të rënë e ka pasur të barabartë me sasinë e lotëve të derdhur. Çdo hap që hedhim drejt banesave, duket sikur na çon drejt një heshtje të thellë që përpin çdo zhurmë. E vetmja gjë që dëgjohet është ndonjë fërfëllimë flete apo tek-tuk ndonjë pikë e brishtë shiu që troket mbi asfalt si për të trembur pranverën që sapo ka hyrë. Tjetër gjë vështirë të vijë në vesh.

Megjithëse ndjejmë një lloj frike për hir të historisë, peizazhi i parë që na prezantohet është aq i paqtë sa nuk ta jep përshtypjen se para 10 vitesh këtu janë shënuar 26 viktima dhe janë plagosur qindra të tjerë nga shpërthimi i fabrikës së improvizuar që demontonte armë. Edhe pse plasja shkatërrimtare dërgoi një klithje të fortë deri në bërthamë të Tokës, gjithçka duket se është rindërtuar me shpejtësi gati siç ka qenë. Objektet janë ngritur, rrugët janë shtruar, toka është ripërtërirë, pemët janë rritur, ndërsa plagët ngjan sikur kanë zënë kore dhe stepesh t’i gërvishtësh me pyetje gazetarësh që herë-herë bëhen të mërzitshme. Sidoqoftë është intriguese të zbulosh se çfarë fshihet mbrapa kësaj panorame rehabilituese kur ka kaluar plot një dekadë nga ora 12:05 e së shtunës më të zezë të atij marsi.

Një copë udhë e bëjmë me Ijen e Picarëve që na shoqëron deri pranë shtëpive të para të fshatit. Zonja e urtë me shami të bardhë hedhur mbi krye, na tregon edhe njëherë se si e pa me sytë e saj predhën mbi oborr dhe fëmijët që përplasnin këmbët të tmerruar nga ç’ka po ngjiste. “Sot duket sikur po tregojmë ëndrrën që kemi parë mbrëmë o bir, por ama atë 15 mars edhe varrit do t’ja rrëfej. Nuk e harroj dot skenën se si predhat shpërthyen mbi oborr ndërsa ne s’dinim nga të vraponim dhe s’dinim kë të përqafonim më parë. Do Zoti mos pafshim më ditë të zeza, për ne e për këta që po rriten këtu”, -thotë ajo teksa i lëmon flokët nipit 10 vjeçar që kohën e tragjedisë sapo kishte lindur dhe sot i duket sikur gjithçka e ndodhur është një përrallë e trilluar prej gjyshes plakë.

Jemi të bindur që secila prej familjeve ka se çfarë rrëfen nga e djeshmja. Ngjarja shënjoi një histori të trishtë për çdo banor që edhe pse nuk ka dëshirë, është i detyruar ta trashëgojë gojarisht. Një pjesë e madhe njerëzish stepen të flasin. Duket sikur janë lodhur dhe stërlodhur sa kanë ngritur të dyja duart përpara të keqes që e luftuan dhe se mundën dot.

Teksa ngjitemi dhe zbresim nëpër kodrina, një mesoburrë pak i kërrusur që gdhend disa kallama në mes të rrugës kryesore, na udhëzon se ku duhet të kthehemi për të shkuar tek vendi që dikur ngiheshin depot famëkeqe. Teksa e pyesim për të na folur mbi 10 vjetorin e katastrofës, ai tund gishtin tregues dhe vendos dorën mbi fytyrën e rrudhur nga frika se ndokush prej nesh do t’i shkrepë ndonjë fotografi.

Rruga “Gërdec” drejt vendit ku ndodhi tragjedia nis e griset sapo kthehesh për tek memoriali. Janë thjesht 50 metra të mbushura me gropa uji dhe baltë, që më shumë ngjasojnë si udhë për tek ndonjë tokë bujqësore, se sa për tek vendi ku papërgjegjshmëria shtetërore shndërroi në lapidar 26 vetë.

Është për të ardhur keq se si përkujtimorja e tyre është lënë në mëshirë të fatit duke lejuar që kafshët të kullosin dhe kryejnë nevojat personale në vendin ku është derdhur gjak njerëzor.

Edhe pse situata e pakëndshme duket si kokrizë rëre përpara oqeanit të padrejtësisë së bërë me këtë çështje, është e turpshme kjo mungesë respekti minimal nga vendimmarrësit lokalë.

Ecim thuajse rreth e qark hapësirës ku dikur ngrihej demek-fabrika që me kushte primitive synonte të asgjësonte pirgjet e 100.000 tonëve municione 40-50 vjeçare. Shtëpitë e vogla rreth saj u shembën dhe nuk u ngritën më, ndërsa disa prej familjeve u zhvendosën dhe e kanë të vështirë të rikthehen qoftë për të vendosur ndonjë buqetë me lule mbi memorial.

Teksa ndeshesh me të djeshmen dhe të sotmen, mendimet mbi kokë është vështirë t’i kontrollosh. Nëse e sheh kronologjinë e ngjarjeve nga sot, është çmenduri të mendosh se si nën hundën e shtetit u punësuan ilegalisht burra, gra dhe fëmijë pa pasur asnjë formim, trajnim apo eksperiencë mbi demontimin e municioneve.

Është çmenduri të mendosh se si “fabrika e vdekjes” u ngrit mbi mungesë totale të dokumentacionit përkatës, sigurimit teknik dhe specialistëve përkatës thua se bëhej fjalë për kunguj dhe jo për predha që demontoheshin me kazma, leva dhe sqeparë.

Po pse vallë demontimi i armëve nisi te kryhej thuajse në fshehtësi të plotë në disa magazina ushtrie në Gërdec, në një kohë kur fabrika e demontimit në Poliçan rezultonte bosh?

Si është e mundur që asnjë prej “peshqve të mëdhenj” të babëzitur për para nuk mori qoftë një gjemb, por si për ironi prezantohen në zonë si kandidatë për deputetë?

Si mundet që faktet ndaj 26 të dënuarve me vendime qesharake u “demontuan” shpejt për t’i hapur derën e qelisë?

Si është e mundur që pronari dhe administrator i impiantit të demontimit Mihal Delijorgji sot është ende i lirë?

Pse qeveria socialiste heziton të rikërkojë hapjen e një hetimi për të zgjidhur njëherë e mirë “misteret” e çështjes dhe demek-gjyqtarëve që i vunë flakën për së dyti fabrikës me vendimet e padrejta?

Materien e mendimeve dhe mërmëritjet nëpër gojë m’i shkëputi një grua e veshur thjeshtë që duhet të ishte rreth të gjashtëdhjetave. Ajo përpiqej të më tërhiqte vëmendjen së largu me dorë dhe më bënte shenjë të afrohesha sikur kishte diçka për të më thënë.

Nuk u gabuam. Zonja quhej Lule Muka. Ajo e përjetoi fare afër shpërthimin e madh pasi banesa e saj ishte thujse 50 metra larg fabrikës. M’u lut që të përcillte një mesazh të shkurtër për ligjvënësit.

“ Çuno! Shkruaje atje që mos ketë kurrë më ngjarje të tilla dhe qeveria të jetë me tru në kokë. Ne kemi ‘vdekur’ dhe kemi lindur sërish. Nuk ishin kafshë por ishin njerëz. Nipi im deri sa shkoi 5 vjeç nuk belbëzonte asnjë fjalë nga trauma që pësoi. U deshën mjaft ndërhyrje që ai të rehabilitohej dhe të arrinte shokët. Sa herë ka vetëtima apo ndonjë film me luftë në televizor, na tmerron akoma… akoma… dhe akoma…”,- fliste ajo teksa kujdesej të na rrëfente çdo detaj të historisë.

Vërtet mesazhi i tyre meriton të adresohet dhe dëgjohet. Ai vjen nga njerëz që kanë ndjerë mbi lëkurë zjarrin e gabimeve trashanike të qeverive që i përvëlon dhe zjarrin e indiferencës së opozitave që i shfrytëzon politikisht dhe harron të kujtohet pasi merr pushtetin. E si për t’i lidhur gojën të gjallëve dhe të vdekurve, ish-qeveria “Berisha” ka investuar shuma kolosale parash në zonë duke u përpjekur që të suvatojë dhimbjen, të lyejë tragjeditë dhe të llustrojë ngjarjen për të cilën me siguri do ta ndëshkojë historia.

Pas mesditës menduam të trokasim në portën e familjes “Durdaj” e cila humbi Esionin që këtë vit do të frynte 17 qirinj mbi tortë.

Trokas njëherë, trokas sërish dhe sërish mbi portën prej hekuri! Një zonjë e ëmbël që përpiqet të tendosë pakëz buzëqeshje mbi fytyrën e vrenjtur nga hallet, thërret bashkëshortin dhe na fton të hyjmë brenda. Burrë e grua pas 10 vitesh duket se i kanë shterur lotët, i kanë mbaruar fjalët dhe mbajnë pranë veç dinjitetin dhe shpresën se do vijë dita e gjykimit ndaç përpara ligjit, ndaç përpara Zotit.

Nëna e Ersionit është pak nëse do mund ta quajmë “heroinë”. Këtë përshtypje të jep kur hyn në bisedë me të. Përveç rolit të bashkëshortes dhe mamasë së përkushtuar, sot ajo duket sikur ka marrë edhe rolin e një juristeje apo “zonje të hekurt” që kërkon t’i shkojë deri në fund të vërtetës pavarësisht kostos që ka.

“Nuk kam ç’them më për dhimbjen pasi siç e dini plaga e një nëne nuk ripërtërihet kurrë. Duket sikur kanë kaluar 10 sekonda dhe jo 10 vite. Jemi si atë ditë që ka ndodhur, madje më të zhgënjyer se asnjëherë tjetër. I jam drejtuar sërish institucioneve pasi faktet janë kokëforta. Kërkoj të parashtrohet një proces i ri penal për organizatorët dhe pjestarët e kësaj katastrofe. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi: Ose ata që e bënë, ose ata që e hetuan ose ata që e gjykuan. Dikush gaboi dhe dikush u korruptua në këtë mes,”-shprehet Zamira e cila na tregon të gjithë “luftën” e pambaruar që ka bërë me institucionet e shurdhëta dhe memece.

Ndërkohë nga ana tjetër bashkëshorti Feruzan, thotë se sot gjendet i vrarë dhe i fyer me një grusht shprese që e ngushëllon për drejtësi. Ai nuk e përjashton as mundësinë e vetëgjyqësisë nëse drejtësia vijon të blihet dhe të shitet sipas oreksit të njërit apo të tjetrit.

“Jemi aq të vrarë dhe të fyer sa s’ka ku të shkojë më. Kjo heshtje po na vret më tepër pasi po na ha përbrenda çdo ditë. Ne i kemi rezauruar të gjitha hallkat por sipas informacioneve tona dyshojmë se kanë ndërhyrë edhe në Strasburg për të fshehur dosjen përmes juristes shqiptare. Nëse rrezohen të gjitha, atëherë edhe ne do të marrim vendimet tona si e vetmja rrugë që na ngelet,” –paralajmëron Feruzani teksa hera-herës nuk mund t’i fshehë dot sytë e mbushur me lot.

Tashmë ngjarja është bërë thuajse si gojëdhënë për ne që shkojmë dhe ikim. Por ndryshe nga legjendat, “Gërdeci” ka ndodhur me të vërtetë, ka veshur me të zeza dhjetëra nëna, ka hapur varre masive ashtu siç ka edhe mjaft përgjegjës.

Edhe pse koha ka qepur dhe shqepur disa herë plagët e gangrenizuara, gjithmonë do të dhembi kujtimi i atyre që nuk u përqafuan për herë të fundit.

Flaka përvëluese e fshatit të vogël duket se sot është më e madhe dhe më afër se dje. Ngjan sikur indiferenca e drejtësisë ka rindezur një zjarr të brendshëm tek çdo banor dhe i djeg ditë pas dite pak e nga pak.

Ky krim mbase nuk ka nevojë që të hetohet dhe faktohet. Ky krim sot ka nevojë thjesht të ndëshkohet pasi shumëçka mund të shihet qartë. Dhe nëse drejtësia vonon, atëherë nuk duhet të çuditemi kur të dëgjojmë se kanuni i Lekë Dukalgjinit do nisë të ngrerë pushkën e vjetër.

E vetmja gjë që mund të qetësojë të vdekurit dhe të gjallët sot është drejtësia që në këtë vend kushton aq sa nuk mund të blihet edhe me gjakun e 26 viktimave.

Gërdeci na priti i vrenjtur dhe po na përcjell me një shi të lehtë që e spëkati shpejt asfaltin.

Mbase nuk janë reshje, por lotët e atyre që s’flasin dot më… A thua vallë na dëgjojnë?!

Leave a Reply