Një këshillë për Afrim Tahirin: si të rrëzohet Sulejman Rexhepi

Nëse shteti lejon që përfaqësues reprezentativ i myslimanëve të vendt të jetë një figurë e pistë, atëherë, kjo do të ishte një politikë shumë tendencioze e cila pastaj, mund të gjeneronte probleme të rënda për mbarë shoqërinë si në aspektin fetar ashtu edhe në aspektin kombëtar. Këtë fakt nuk guxon ta neglizhojë askush! BFI-ja dhe Sulejman Rexhepi si “problem i lokalizuar” fare lehtë mund të marrin përmasa të një problemi fatal për shëndetin e shtetit të Maqedonisë.

 

Shkruan Qani Fetahu

 

Afrim Tahiri, si njohës i më i mirë i problemeve të BFI-së, si dhe si një nga funksionarët më të suksesshëm në historikun e këtij Institucioni, doli me një shkrim autorial nga i cili ngriten mjaft shqetësime të rënda për myslimanët e vendit. Bëhej fjalë tashmë jo për uzurpatorin por për okupatorin e BFI-së, për Sulejman Rexhepin. Ku është dallimi në mes të uzurpatorit dhe okupatorit? Uzurpatori rrëmben një pronë të huaj, një vend apo një objekt të huaj dhe i del për zot, kurse okupatori jo që e rrëmben vendin, por i detyron të gjithë banorët e vendit që ta përkrahin dhe të pajtohen me ideologjinë e tij okupuese. Uzurpatori falsifikon akte juridike duke qenë shumë koshient se një ditë do të vie drejtësia dhe se do ta humbë gjënë e uzurpuar, kurse okupatori shkelë, mohon ligje të vendit duke imponuar ligje nga sistemi i tij okupues. Okupatori merr fund me ardhjen e lirisë!

Zgjatja e okupimit të një vendi arrihet përmes aleancave të ndryshm politike, përmes aleancave me më të fortit, përmes stimulimit të pushteteve të korruptuara, përmes ndarjes së interesave me aleatët në dëm të vendit të okupuar, në dëm të të mirave që i përkasin popullit të okupuar. A nuk ju duket se këtë veprim e ka kryer dhe po e kryen Sulejman Rexhepi që kur është futur në BFI: herë me komunistët, herë me neokomunistët, herë me vmroistët, herë me pdshistët e herë me bdistët. Aleatëve të vetë herë ju ka ofruar diçka nga interesi që i ka takuar popullit mbi të cilën ka ushtruar diktat, herë ju ka ofruar pasuri nga pronat e vakëfeve, herë duke hequr dorë nga interesat e myslimanëve të vendit, herë duke ua falur pronat të tjerëve (Sahat Kullat në Prilep e Manastir, Xhaminë në Prilep e Shtip, Burmali Xhaminë e pronën në Kala të Shkupit etj), e herë duke ju garantuar e siguruar “pushtete lokale”! Natyrisht, krejt ky veprim ia ka garantuar kontinuitetin e sundimit të tij.

Të shkelë njeriu kaq shumë akte normative dhe mos t’i ngulet një therrë në këmbë, kjo mund t’i shkojë ndorësh vetëm diktatorëve si dhe okupatorëve. Po si arrriti që ta okupojë Sulejman Rexhepi BFI-në? Fillimisht përmes strukturave komuniste kurse, më vonë, pasi do të bie nga “froni”, rikthimi i tij do të bëhet përmes një “revolucioni” të cilin ia udhëhoqi Menduh Thaçi!  U “pushtua” zyra e Reisul Ulemasë, u detyruan imamët e delegatët që të mblidhen një një sallë dhe, të gjithë ta votojnë, madje me dhunë, me krisma armësh e shpullash, Sulejman Rexhepin për Reisul Ulema të BFI-së. Ata që e sollën, përfshirë këtu edhe Afrim Tahirin, me të njëjtën metodë, duke e “pushtuar” zyren e Reisul Ulemasë deshtën që ta largojnë Sulejman Rexhepin sepse ishte mbushur kupa!

Megjithatë, Sulejman Rexhepi është dhelpër e egër, nga ato dhelprat që kurrë nuk mbanë përgjegjësi për “pasardhësit” e vet! Sulejman Rexhepi, që kur erdhi në krye të BFI-së me masa të dhunshme, e dinte fort mirë se me të njëjtat masa një ditë do të ik nga ky post, prandaj edhe, është shumë e natyrshme që të ketë menduar strategji se si mund të tejkalohet një situatë e tillë eventuale. Kjo dhe u pa! Afrim Tahiri me shokët e vet që ishin bashkëpunëtorë më të ngushtë të Sulejman Rexhepit, u futën në zyret e tyre kurse Sulejman Rexhepi e “dislokoi” Rijasetin komplet në restorante që shtrihen rreth shtëpisë së tij. Kurrë nuk mbajti mbledhje të zgjeruar, natyrisht edhe me aktorët e rrebeluar dhe, të informoheshin të gjithë strukturat kolektive të BFI-së me ngjarjen që po ndodhte, Sulejman Rexhepi, i thirri një nga një anëtarët e Rijasetit dhe, të gjithëve ua kushtëzoi mandatin me përkrahjen që duhej t’i jepej në këto ditë të vështira për të! Kur e siguroi këtë përkrahje, atëherë ua vuri lakun në fyt, i nënshtroi dhe, duke i përdorur si vegla të veta nisi ta shtrijë okupimin mbi tërë BFI-në. Dhe, tani çka? Si të dilet nga kjo situatë? Si të shpëtohet BFI-ja? Si të rrëzohet e të dëbohet Sulejman Rexhepi?

Sulejman Rexhepi ka dëshmuar se nuk i bën përshtypje “okupimi” i selisë së tij! Ai sakaq selinë e rihap në ndonjë mal. Si Hitleri që kishte ngritur plotë pika rezidenciale nëpër male të Gjermanisë! Sulejman Rexhepit nuk i bëjnë përshtypje as protestat, as demonstratat para BFI-së, sepse, ka dëshmuar që është në gjendje me javë të dislokojë BFI-në në oborrin e shtëpisë së vet. Ka dëshmuar se ka afinitete që nga një agresor i egër të “shpërfytyrohet” në viktimë e ngratë dhe të përthithë përkrahje institucionale. Natyrisht, këtë përthithje e bën duke korruptuar çdo pore të vlefshme të sistemit shtetëror.

Në shkrimin e vet të fundit Afrim Tahiri lë të nënkuptohet se në horizont është dalja e një Lëvizje të Imamëve për reforma në BFI, me synim parësor rrëzimin e Sulejman Rexhepit!

Sulejman Rexhepi nuk mund të rrëzohet me protesta e me demostrata, me tryeza të rrumbullakta e me fushatë mediale. Me këto masa vetëmse mund të sensibilizohet opinioni i gjërë me një situatë shumë të nderë që po mbretëron në BFI. Dhe këtë gjë deri më tani e ka arritur Afrim Tahiri. Ka zhvillar një fushatë brilante si në vend ashtu edhe nëpër botë dhe, sot, Sulejman Rexhepi, si Ali Pashë Tepelena – pasha i ngujuar në ishullin e Liqenit të Janinës, po bën jetën e vet prej një okupatori fundi i të cilëve karakterizohet me çmendurinë fatale.

Sulejman Rexhepi mund të rrënohet vetëm nëse tërë kjo energji, tërë ky aktivitet i Afrim Tahirit dhe i shokëve të tij orientohet kah institucionet shtetërore të drejtësisë. Është folur dhe dëgjuar disa herë se në Prokurorinë e Shtetit janë disa lëndë të ngritura kundër Sulejman Rexhepit. Në shkrimin e fundit të Afrim Tahirit kuptuam se ai posedon dokumente të ndryshme të cilat mbase mund të jenë edhe shumë kompromituese për Sulejman Rexhepin. Pra, jo më presion mbi Sulejman Rexhepin, jo më Lëvizje imamësh për ta sensibilizuar opinionin e gjërë, jo më protesta në oborrin e BFI-së, por, kjo Lëvizje le të marrë çadra e shatore dhe le t’i ngrisë para Institucioneve shtetërore të drejtësisë, le të nisin aktivitetet në këtë drejtim dhe le të përshkallzohen deri në nivelet ekstreme për shëndetin e njeriut, pra, le të nisin grevat e urisë për ta detyruar drejtësinë e vendit që të merret me aktpaditë e ngritura kundër Sulejman Rexhepit dhe mos të merren vetëm me numërimin e parave të korruptuara që ju shkojnë përmes Radovanit, avokatit të tij. Rrugë tjetër nuk ka! Sulejman Rexhepi është në pritje të një revolucioni të përgjakshëm që do të mund ta nxirrte si viktimë dhe si hero vetë atë. Por, nga ana tjetër, ai është shumë i vetëdijshë që fundin e ka në bankat e akuzës prej nga nuk do të mund të dalë e të ulet më në kolltukun e reisit.

Pse jo! Le të fillojnë proceset në gjykata prej nga mbase edhe mund të dalë i pafajshëm dhe i akuzuar fare pa baza e pa fakte! Le të nisin proceset gjyqësore. Shteti i detyrohet myslimanëve  të vet që ata të kenë një udhëheqës të ndershëm, të moralshëm dhe të pastër. Në të kundërtën, nëse shteti lejon që përfaqësues reprezentativ i myslimanëve të vendt të jetë një figurë e pistë, atëherë, kjo do të ishte një politikë shumë tendencioze e cila pastaj, mund të gjeneronte probleme të rënda për mbarë shoqërinë si në aspektin fetar ashtu edhe në aspektin kombetar. Këtë fakt nuk guxon ta neglizhojë askush! BFI-ja dhe Sulejman Rexhepi fare lehtë mund të marrin përmasa të një problemi fatal për shëndetin politik të shtetit të Maqedonisë.

Leave a Reply