Një Komision i së Vërtetës për BFI-në

9 / 100 SEO Score

Historiku i komisioneve të së vërtetës flet se ata formohen në periudhën post-çlirimit qoftë nga okupatori, qoftë edhe nga regjimet diktatoriale e autoritare, me qëllim të hulumtimit dhe evidentimit të formave të shkeljes së të drejtave dhe ushtrimit të dhunës si dhe pasojat e tyre në komunitetin ku janë ushtruar. Së fundmi, këtij Komisioni i shtohen kompetencat edhe për hulumtimin e zhvatjes, vjedhjes dhe korrupcionit të pushtetit autoritar

Shkruan Adnan Shasivari, jurist

Organet e drejtësisë së Maqedonisë së Veriut nuk po nguten për ta “krehur” Sulejman Rexhepin, uzurpuesin e BFI-së, pa i eliminuar hijenat dhe çakajt e Sulejman Rexhepit që po sillen e po i turren BFI-së, me një marrëveshje paraprake me Sulejman Rexhepin, të cilët kanë për detyrë që t’i zhdukin të gjitha dëshmitë apo fare mos t’i përpushin ata dëshmi e fakte që mund ta përmbushin dosjen kriminale të Sulejman Rexhepit, në rast se ky përfundon në bangën e akuzës.
Pra, pushtetit dhe regjimit kriminal duhet bluar jo vetëm rrënjët por edhe degët dhe pipat qofshin ata edhe në fazën e sythit.
Gjithnjë kur kanë përfunduar epokat e krimit mbi një shoqëri, janë themeluar të ashtuquajturat komisione të së vërtetës, natyrisht pa fuqinë e ekzekutivit, por vetëm me autoritetin e hulumtuesve kredibël të së vërtetës, me peshë morale për ta siguruar një besim të përgjithshëm.

Kur formohet dhe pse është i domosdoshëm Komisioni i së Vërtetës

Sapo të çlirohet shteti, shoqëria, komuniteti apo institucioni me relevancë të pamohueshme dhe, në prag të reformave të thella dhe gjithëpërfshirëse, formohet Komisioni i së Vërtetës. Ato shoqëri që janë futur në tranzicion pa një komision të tillë, janë përballur me një tranzicion të stërzgjatur, të paefektshëm që ka gjeneruar vetëmse ndërrim të regjimeve kriminale.
Komisioni i së Vërtetës në të shumtën e rasteve merr peshën e materies përbërëse gjatë arritjes së marrëveshjeve për konsolidimin e paqes, të institucioneve. Është element kryesor gjatë negociatave për tranzicion drejtë rimëkëmbjes së institucioneve dhe rikuperimit të dëmeve që i ka shkaktuar një regjim gjatë fazës së okupimit eksploatues të institucionit, shoqërise apo komunitetit.
Komisioni i së vërtetës duhet të konsiderohet sj një hap gjigant drejt shkëputjes nga e kaluara e dhunshme dhe rivënie e themeleve morale të një shoqërie, ndaj dhe meriton nivelin më të lartë të njohjes dhe përkrahjes.

Kush e formon, si formohet dhe pse një Komision i së Vërtetës për BFI-në

Bashkësia Fetare Islame në RMV, është duke e ndjerë çlirimin e vet nga uzurpatori Sulejman Rexhepi dhe nga feudët e tij, të cilët gjithësesi që do të përballen me forcën e ligjeve të shtetit për shkak të kapadaillëkut të tyre dhe sjelljeve kriminale në një shtet të cilin praktikisht edhe nuk e njohin, duke u barrikaduar në një institucion të blinduar hermetikisht dhe duke krijuar simbolikën e paprekshmërisë nga dora e shtetit.
Bashkësia Islame dhe vetë Sulejman Rexhepi gjithësesi që shumë shpejt do ta përjetojnë krëhërin e organeve të drejtësisë. Në këtë rast (kjo është edhe në të mirë të uzurpatorit) sa më parë duhet të themelohet Komisioni i së Vërtetës, i cili nuk është as gjyq real, as virtual, as fiktiv e as moral por, thjesht, një filtër i të bëmave të vërteta nga të pavërtetet, shpifjet, akuzat me qëllim të komprementimit të procesit që i paraprinë reformës së domosdoshme dhe gjithëpërfshirëse.
Natyrisht, Komisionin duhet ta formojë përmes një dekreti Rijaseti i BFI-së si organ kolektiv. Në Komision duhet të aderojnë persona autoritativë, kredibël, me peshë morale, profesionale dhe të paanshëm.

Puna e Komisionit të së Vërtetës në BFI-në post-okupuese

Natyrisht, angazhimi i Komisionit të së Vërtetës nuk është hetim gjyqësore, sepse nuk e ka tagrin për të krijuar përgjegjësi penale individuale për krime e vepra të ndryshme penale. Komisioni nuk shpall dënime, dhe nuk guxon të përdorë standarde të proceseve të aplikueshme në gjykata. Komisioni i së vërtetës do të bazohet në dëshmitë paraprake të ofruara nga luftëtarët kundër regjimit uzurpues të Sulejman Rexhepit si dhe në dëshmitë nga bashkëpunëtorët e tij me qëllim që të ndihmohet hetimi penal, të plotësohet puna e gjykatave. Standardet për sigurimin e dëshmive duhet të jenë ekzakte dhe duhet të reflektojnë vullnetin e bashkëpunëtorëve për të qenë në krah të drejtësisë e në të mirë të perspektivës së shëndoshë të Institucionit.

Fokusi i hetimit

Fokusi i këtij Komisioni me mendat të kufizuar pranë BFI-së do të jetë hetimi i abuzimeve serioze të Sulejman Rexhepit dhe feudëve të tij, siç janë zhvatja, vjedhjet, haraçet dhe vjedhja dhe shkatërrimi i pronës së shenjtë të BFI-së, vakëfit. Pastaj do të hetohet pasurimi enorm i Sulejman Rexhepit si dhe prejardhja e asaj pasurie. Pra, do të hetohen krimet ekonomike dhe korrupsioni si pjesë e modeleve të zgjeruara të abuzimit dhe krimit të uzurpatorit autoritar.
Veç kësaj, Komisioni i së Vërtetës gjithësesi që do ta analizojë gjendjen e përgjithshme dhe do të hartojë raport të zgjëruar i cili do të publikohet dhe, me këtë do të rritet transparenca e cila do ta rikthejë besimin e humbur të myslimanëve ndaj Institucionit të BFI-së. Publikimi i këtij raporti do të ndihmojë edhe në disiplinimin e organeve si dhe në eliminimin e korrupsionit dhe vjedhjes që tashmë është shndërruar në traditë të shëmtuar që nuk ka kurrfarë piktakimi me normat islame, me dispozita e Institucionit si dhe me besimin në përgjithësi. Çrrënjosja e krimit nga Institucioni ynë është parakusht për t’u rikthyer nga tradicionalja dhe nga vlerat morale dhe të përgjithshme të trashëguara ndër shekuj tek besimtarët dhe te Institucioni i BFI-së.
Tërë ky synim që do të arrihet përmes Komisionit të së Vërtetës në fakt do të jetë një çelës që do të hapë portat e reformave të patjetërsueshme të BFI-së dhe organizimit të jetës fetare islame në vend.

Leave a Reply