Obstruksione dhe akuza në ditët e para të Qeverisë teknike

Akuza për obstruksione, mosnjohje të ligjeve dhe veprim në funksion të partive amë, i shënojnë ditët e para nga puna e dikastereve ku ka ndryshime kadrovike në Qeverinë teknike, që është zgjedhur më datë 3 të këtij muaji, njofton KOHA.

Zëvendësministrja shtesë e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska dje në konferencë për shtyp në Ministrinë e Financave shprehu dëshpërim nga, siç tha, obstruksionet e punës së saj në Ministri.

“Dje ishim dëshmitarë të një ngjarje jo të mirë ku nga Kabineti i ministres u dërgua një shkrim deri tek të punësuarit, në të cilën thuhet se në secilën kërkesë timen që do të parashtrohet deri tek secili udhëheqës i sektorit ose këshilltarit shtetëror, nuk do të përgjigjen drejtpërdrejtë, gjegjësisht përgjigjet së pari do të dërgohen deri tek kabineti i ministres dhe më pas tek unë”, ka thënë ajo.

Akuzat e tilla, ministrja e Financave, Nina Angelovska i komentoi me konstatim se nuk duhet të jesh zëvendës ministre plotësuese në Ministrinë e Financave që të shikosh çdo transaksion dhe ku shkon çdo denar. Këtë, siç tha, tani mund ta shohë secili përmes platformës “Financa të hapura”.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Rashella Mizrahi dje informoi se sipas të dhënave që i ka marrë nga qendrat për punë sociale për momentin ka parashtruar edhe 11.514 kërkesa të pazgjidhura për kompensim për ndihmë dhe kujdes nga personi tjetër. Kjo, sipas saj, flet se deri më tani Qeveria dhe Ministria i kanë fshehur problemet e qytetarëve.

“Të dhënat që i kemi marrë nga qendrat për punë sociale janë shqetësuese. Gjendja faktike është befasuese. Nga 8.500 kërkesat e parashtruara në periudhën nga 1 qershori deri në 1 tetor të vitit 2019 deri dje janë zgjidhur vetëm 1.589 kërkesa për kompensim për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër. Sipas këtyre të dhënave, deri tek dje në orën 16:00 janë parashtruar 4.603 kërkesa të reja të cilat aspak nuk janë lëshuar në procedurë për zgjidhje, ndërsa arsyeja ende nuk dihet. Kjo do të thotë se në këtë shtet në këtë moment ka, jo 8.500 por 11.514 kërkesa të pazgjidhura për kompensim për kujdes nga personi tjetër”, ka thënë ministrja Mizrahi.

Ndërkaq, zëvendësministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Sanella Shkrijell vlerëson se ministrja teknike Rashella Mizrahi me konferencën e djeshme për shtyp, në të cilën tha se nuk zgjidhen me kohë kërkesat për të drejtën e shtesës së ndihmës dhe kujdesit nga ndonjë person tjetër dhe se janë shkelur të gjitha afatet ligjore, tregoi se nuk e di Ligjin për mbrojtje sociale.

“Është shqetësues niveli i ulët i njohjes së ligjeve të ministres teknike të Punës dhe Politikës Sociale, Rashella Mizrahi. Me konferencën e sotme për shtyp ajo edhe njëherë vërtetoi se aspak nuk e kishte lexuar Ligjin e ri për mbrojtje sociale dhe mënyrën në të cilën funksionojnë 15 komisione. Nëse Mizrahi e lexon Ligjin e ri për mbrojtje sociale, do ta mësojë se afati për dorëzimin e lëndëve për ndihmë dhe kujdes nga ndonjë person tjetër është 60 ditë, e jo një muaj siç thotë. Mizrahi në konferencën e saj për shtyp i referohet një ligji të gabuar, e ai është Ligji për procedurë të përgjithshme administrative. Si për sqarim, afati është përcaktuar në nenin 282 të Ligjit për mbrojtje sociale dhe ai është përcaktuar në 60 ditë”, thuhet në reagimin e zëvendësministres Shkrijell.

Qeveria, shton ajo në reagimin, formoi Komisione të decentralizuara për ndihmë dhe kujdes nga person tjetër për dallim nga njëri Komision i centralizuar i cili, siç thotë, ishte vendosur në kohën e sundimit të VMRO-DPMNE-së dhe i paguanin 2.000 denarë për një kërkesë të parashtruar.

Leave a Reply