A ka frikë Policia Financiare nga Sulejman Rexhepi

Këto ditë Policia Financiare ndërmori një aksion me çrast burgosi dhjetra funksionarë të ndryshëm që kanë marrur pjesë në shitjen dhe tjetërsimin e tokës shtetërore. Paralajmëroi edhe sërë arrestimesh të reja! A e di Policia Financiare se sa dëm i shkaktuan shtetit familja e Sulejman Rexhepit me uzurpimin e tokave shtetërore, me kriminalitetin finansiar në BFI-në e uzurpuar, me keqpërdorimin e pronave të vakëfit

Shkruan Hamdi Agushi

Policia Financiare në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk e ka me gjithë mend luftimin e krimit finansiar, bisnesin e egër, uzurpimin e pronave shtetërore, vjedhjen e pronave të përbashkëta të komunitetit. Të paktën jo kur është në pyetje Bashkësia Fetare Islame, Sulejman Rexhepi dhe gjithë ajo pasuri përallore e tij, e arritur sa mbyll e hap sytë!

Policia Financiare me “futjen legale” të herëpashershme në BFI krijon përshtypjen se këto aksione i ndërmerr me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit të tmerrshëm që bëhet aty, sikur e ka detyrë zyrtare që ta mbrojë Sulejman Rexhepin, sikur e ka një frikë të pashpjegueshme, ose një korrupsion “të pazbulueshëm”; ose, sikur e ka detyrë historike që në tërë këtë krim fnanciar t’i tolerojë dhe t’i bëjë bashkëfajtorë edhe organet e BFI-së së uzurpuar prej Sulejman Rexhepit.

Pistat e hetimit janë shumë të qarta për sa i përket kriminalitetit të Sulejman Rexhepit! Kush është ai subjekt që i jep leje t’i zaptojë dhe t’i rrafshojë kodrat e Zotit; kush i dha leje tjetërsimi të cilësimit të asaj prone shtetërore: a ishte kullosë, ishte park nacional, apo parcelë ndërtimi; kush e dha lejen e ndërtimit në atë tokë shtetërore, si u sigurua sistemi i ujit, i rrymës, i filtrimit; cili inspekcion e dha lejen për atë kompleks pishinash të paparë në vend e më gjërë! Ministri Spasovski sikur pat thënë se, do të futen në veting të gjithë ata policë që me rrogë modeste të policisë kanë arritur të bëjnë pasuri përallore! Pronar i këtij kapitali si dhe i disa të tjerave është pikërisht polici “modest” i Spasovskit!

Pse u hesht pista e hetimit të uzurimit të tokave shtetërore në bregun e Liqenit të Matkës si dhe në brendi të Parkut Nacional të Matkës ku kanë mbirë si kërpudha disa villa (të Sulejman Rexhepit dhe familjarëve të tij) të mbështjella me flamuj amerikan!

A ka pyetur ndonjëherë Policia Financiare se, sa makina zyrtare ka blerë Sulejman Rexhepi, ku janë ato, a janë në parkun e makinave të BFI-së apo të shqepura gjithandej “dynjasë”, a ka pyetur ndonjëherë kjo Polici se si janë blerë ato makina, si janë tjetërsuar e si janë shitur; a i ka kërkuar dosjet e këtye makinave?

Kjo Polici Financiare a është vetëm në shërbim të shtetit apo edhe të popullit?! A janë popull myslimanët e Maqedonisë, me paratë e të cilëve mbushete buxheti vjetor i BFI-së?! Vetë Sulejman Rexhepi ka deklaruar me dhjetra herë (natyrisht, të vetmën të vërtetë që e thotë ai) se BFI-ja financohet ekskluzivisht nga popullata myslimane! Si financohet? Nuk na e merr mendja se Policia Financiare nuk e di se si financohet! E di madje edhe faktin që gjatë grumbullimit të këtyre parave, bëhet shkelja e një sërë procedurave ligjore, ushtrohet kriminaliteti dhe vjedhja masive e popullatës por dhe dëmtimi i buxhetit shtetëror duke i fshehur taksat që i takojnë shtetit. Nëse Policia Finansiare dhe organet e tjera gjegjëse kanë toleruar që vazhdimisht të manipulohen nga interpretimet kriminale të Sulejman Rxhepit se BFI-ja nuk i detyrohet me asnjë taksë shtetit, atëherë në ndërgjegjen e saj rëndojnë të gjitha krimet financiare të BFI-së dhe Sulejman Rexhepit.

A i ka kërkuar ndonjëherë Policia Financiare kuponët për të shikuar se si paguhet anëtarësia, ku paguhen dhe ku përfundojnë ato para? Sektori Financiar i BFI-së jo njëherë ka kapur kupona false të shtypura nga organet e papërgjegjshme të BFI-së, me të njëjtat numra serikë, me qëllim që taksat t’i mbledhin përmes kuponave false kurse BFI-së t’i kthehen kuponat origjinale me shpjegim se kaq kanë paguar sivjet myslimanët. Këto kupona bëhen sidomos për zeqat ku shuma e parave të dorëzuar nëpër organet e BFI-së është goxha e lartë! Kjo vjedhje është konstatuar, unanimisht është dënuar verbalisht dhe, kurrë nuk është stopuar dhe nuk është paraqitur në organet e hetuesisë!

Në botën e civilizuar ka kohë që janë zhdukur format e pagesave të tilla që ushqejnë krimin financiar, vjedhjet masive të parave të përbashkëta, keqpërdorimet e djersës së huaj. Në botën e civilizuar qoftë edhe një cent, paguhet përmes bankave, asgjë kesh e në dorë! Pse anëtarësia, fitri dhe zeqati të mos paguhen përmes xhirollogaisë. Pse edhe më tej merren paratë në dorë dhe jepen kupona, pa dyshim, të fallsifikuara!

Tani kemi ligjin e ri dhe, këtë e di edhe Policia Financiare që, pagesa kesh nuk mund të tejkalojë vlerën e 500 euro! Si do të paguhet Haxhi që kap vlerën e 4500 euro?! Agjencitë që do të çojnë haxhilerë, si do t’ia paguajnë vizat e haxhit Sulejman Rexhepit, në kesh apo përmes fletëpagesave në banka! Policia Financiare e di fare mirë se ato viza tash e 5 vite rresht i shet Sulejman Rexhepi, ndaj dhe do të ishte e udhës që kompanive turistike që merren me organizim të haxhit t’u kërkojë dokument se si i kanë blerë ato viza! Pse të gjitha të hyrat mos të hyjnë në BFI përmes xhirollogarisë së saj dhe, të dihen saktësisht se çka dhe sa janë mbledhur nga aksionet e ndryshme fetare!

Sivjet një kurban do të kushtojë 120 euro! Një numër i konsiderueshëm i myslimanëve të vendit, sidomos ata që vijnë nga diaspora, çdo vit paguajnë për therrje nga 5 e më tepër kurbanë, do me thënë e tejkalojnë shumën prej 500 euro! A do të kontrollohet BFI-ja e Sulejman Rexhepit me qëllim që të shikohet se sa organet e saj janë në zbatim të ligjit para të cilit të gjithë duhet të jenë të barabartë! Policia Financiare duhet të dëshmohet se është organ që përkujdeset edhe për popllatën myslimane të vendit. Të dijë se, sa para hynë në BFI, nga hynë dhe si shpenzohen, si ndryshon dedikimi i tyre, ku shkojnë, ku përfundojnë.

Ndryshe, keqpërdorimi i finansave stimulon vjedhjen, vjedhja stimulon korrupsionin, korrupsioni stimulon shantazhin, shantazhi gjunjëzohet para krimit, krimi motivon ceculat e para të terrorimit, terroristët marrin ligjin në duart e veta duke i refuzuar të gjitha dispozitat civilizuese të një vendi, të një shtetit.

Policia Financiare dhe organet e drejtësisë si tepër shumë deri më sot e kanë toleruar Sulejman Rexhepin dhe, tashmë nuk po kuptohet, a është i mirë ky farë “lideri” apo të gjithë janë bërë palë me të në grabitjen e gjysmës së popullatës të këtij shteti! Me mënyrën e financimit të BFI-së kurrësesi nuk mund të shkohet në Europë, madje as që mund të merret datë e nisjes së bisedimeve paraprake! Pas reformave të thella në drejtësi, Europa do të ketë edhe një kusht për Maqedoninë: ta ngrisë sistemin bankar dhe finansiar në përputhje me normat dhe tashmë traditat e vendeve perëndimore, të cilat trajtohen si shkallë kryesore që shpiejnë kah vlerat civilizuese. Sa më herët aq më mirë. Tashmë, për Policinë Financiare janë të hapura të gjitha pistat e hetimit në BFI dhe ndaj pasurisë marramendëse të Sulejman Rexhepit. Ishalla e ka hallall por… /kendveshtrime/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *