Antivlerat si mall në tezgën presidenciale

Ilir Meta do të bëjë krim kombëtar nëse vendos që për një grusht parashë t’ua imponojë shqiptarëve të Maqedonisë si vlerë njeriun më të mëkatshëm kombëtar (ai vetëm fetar nuk mund të jetë) siç është Sulejman Rexhepi. Institucioni i dekoratave presidenciale do të degradojë deri në tezgë presidenciale për shitjen e antivlerave

Shkruan Zeqie Veseli

 

Dikur, personalitetet e ndryshëm të cilët dekoroheshin për të arriturat e tyre jetësore, në lloj-lloj fushash, shikoheshin si heronjë të gjallë, si njerëz më me fat në rruzullin tokësor. Të tjerët, mezi prisnin t’i takojnë, e llogarisnin për nder të madhë nëse arrinin që ta preknin personalitetin e dekoruar e lëre më të pinin kafe me të. Të tillët perceptoheshin si personazhë me një bagazh gjigant suksesesh, të arriturash jetësore, shikoheshin si model që duhej ndjekur, llogariteshin si pasuria unikale kombëtare. Për tërë këtë mbiçmim human përkujdesej institucioni i dekoratave që ishte në kompetenca të Presidentit të Shetit, i cili i nënshtrohej rregullave të parapara me ligjin përkatës. Po si është sot?

Jemi dëshmitarë të një sërë shkrimesh, madje edhe të një letre të hapur të ish-sekretarit të BFI në RM, z. Afrim Tahirit, (si njohës më i besueshëm i Sulejman Rexhepit) drejtuar Presidentit Ilir Meta, të cilin e lutë që mos ta dekorojë njeriun më kontravers, më të korruptuar e më zhvatësh që ka kombi shqiptar, uzurpatorin e postit të Kryetarit të BFI në RM, Sulejman Rexhepin, i cili tashmë ashiqare flet se, Ilir Meta është i detyruar ta dekorojë pasi që tashmë i ka marrur të gjitha paratë! Do me thënë që, Presidenti Meta tashmë Institucionin e dekoratave presidenciale e paska shndërruar në tezgë të cilës mund t’i afrohen të gjithë njerëzit, edhe meritorët edhe matrapazët, mjafton që të kenë lekë për të paguar për mallin që do ta marrin, a!

Tepër e dhimbshme dhe shumë shqetësuese! Në rastin konkret, nëse ndodhë kjo që po përflitet e që po shkruhet, atëherë na del puna se Ilir Meta është rehabilituesi i vetëm ndër shqiptarë i hajnave, i udbashëve, i tradhëtarëve dhe i kriminelëve! Se me cilin ligj, se me cilin vendim, se me cilën rregullore dhe në bazë të cilave merita Ilir Meta do ta dekorojë Sulejman Rexhepin, këtë vetëm ai mund ta dijë. Sulejman Rexhepi tashmë ashiqare i dihet nofka policore “Zharko”, nuk ka bashkësi fetare në rajon që nuk e njeh si përçarës, si hajdut, si dekoratoman, si bashkëpunus me elementet antikombëtare dhe, përjashto të gjitha këto cilësime, a nuk mjafton vetë fakti që është në gjendje të ofrojë qindra e mijëra euro vetëm që të kamuflohet si “vlerë”, ndonëse kutërbon në njeri shumë të rrezikshëm!

Këto ditë, në redaksinë e portalit 1kliklarg është paraqitur njëri nga këshilltarët e ish-presidentit Bujar Nishani, me lutje që të mbetet anonim për lexuesit por jo edhe për sekserin shumë të poshtër i cili ka ngrirë këtë fundjavë kur e ka parë me bisht të syrit duke drekuar në një lokal në Strugë me Sulejman Rexhepin, por që më herët është vërejtur në tryezë të përbashkët ku kanë drekuar Ilir Meta e Sulejman Rexhepi! Ish-këshilltari i Bujar Nishanit pohon se, në kohën e tij, po i njëjti sekser ka keqpërdorur afërsinë me ish-Presidentin duke i afruar një shumë të konsiderueshme parashë nëse vendosë t’ia ndajë një çfarëdo dekorate Sulejman Rexhepit! Natyrisht, Presidenti Nishani jo që e ka refuzuar një ofertë të tillë kriminele por edhe e ka dëbuar nga Presidenca atë sekser i cili ka dalur duke murmuritur nëpër dhëmbë “më le pa njëzet përqindëshin, heeeej pa 40 mij euro”! Sipas kësaj murmuritje çmimi i sekserit për dekorimin e Sulejman Rexhepit ka qenë 200 mij euro prej të cilave ai do t’i merrte 40 mij euro, 20 për qind, kurse Presidenti (në rastin konkret Ilir Meta) do t’i merrte 160 mij euro! Tani, gjithnjë sipas ish-këshilltarit, po ky sekser, që profesionin gazetarë e keqpërdorë sa për t’iu futur në prehër  figurave shtetërore të cilët kanë të drejtën e ndarjes së dekoratave, nuk i ndahet Presidentit Iir Meta si dhe Sulejman Rexhepit. Pra, dekoratat janë kthyer në një treg shumë përfitues, në një kontrabandë të antivlerave që i imponohen kombit shqiptar.

Nëse një ditë do të dëshmohet praktikisht i tërë ky matrapazllëk, do të shtrohet vetëm një pyetje: i cilit komb na ishte president Ilir Meta? Turpi do të bie mbi kombin shqiptar, sepse matrapazët veprojnë sipas llogjikës: “I di Meta punët e veta”! Por edhe qindra mijëra shqiptarë të Maqedonisë i dinë punët e ndyta të Sulejman Rexhepit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *