BFI-ja ”kështjellë” ku veprat penale janë të lejueshme

Rreth BFI-së dhe Mulla Sulës si uzurpator i saj, tashmë është folur e stërfolur shumë, është shkruar dhe vazhdimisht po dalin afera që po e dridhin në themel myslimanizmin në Maqedoni. Organet shtetërore gjegjëse, as nuk po i demantojnë dhe as nuk po i investigojnë ato fakte, argumenta e dokumenta. Po heshtin dhe po i inkurajojnë kryrësit e veprave penale, duke e bërë BFI-në si të vetmën ”kështjellë” në të cilën veprat penale janë të lejueshme dhe falen

Shkruan Bardhyl Stavileci

Po lexoja një shkrim të botuar në disa portale e që kishte të bëjë rreth Sulejman Rexhepit, alias Mulla Sulës, në raport me Medresenë ”Isa Beu”, vatër arsimore islame kjo e cila mirëmbahet dhe financohet nga xhepi i myslimanëve të vendit. Nga ajo që lexova, nëse vetëm një për qind është e vërtetë, atëherë, unë si jurist, konstatoj që në këtë çast se kemi të bëjmë me vepër të rëndë penale, për të cilën minimumi është 3 vite burg! Por, më sa pashë unë, nga shkrimi, aty paskemi një korpus veprash penale të Sulejman Rexhepit për të cilin vështirë se mund të grumbullohen të gjitha veprat në një dhe të jepet vetëm një dënim, si rëndomë që bëhen me kriminelët të cilët përfshihen në një dyzinë veprash penale!
Në bazë të shkrimit, del se Mulla Sula deri më tani paskësh konsumuar veprën penale, zhvatje, nepotizëm, punësime joadekuate, korrupsion, partizim, keqpërdorim, dhe veprën e vjedhjes!
Ajo çka më habit më së shumti është mosreagimi as i këshillit të arsimtarëve, as i drejtorit, as i zëvendësdrejtorit, as i sekretarit dhe as i arkatarit! A ka organe në këtë Medrese a jo? A bie përgjegjësia vetëm mbi Sulejman Rexhepin, apo mbi të gjithë këta organe? Sjellja prej diktatori i Sulejman Rexhepit, sikur edhe i të gjithë diktatorëve, ka ndikuar që organet e kësaj Shkolle të ngulfaten, të paralizohen dhe të jenë vetëm vështruese pasive e të gjitha veprimeve kriminale të Sulejman Rexhepit. Juridikisht, as këta organe nuk mund t’i shpëtojnë përgjegjësisë penale, madje që të gjithë do të mund të akuzohen si bashkëpjesëmarrës në kryerjen e veprave penale. Mosdenoncimi i këtyre veprave, fshehja e tyre, apo neglizhenca institucionale në raport me veprën penale, është krim kolektiv i realizuar nga ‘kryekomandanti”, qoftë edhe i mbetur në tentativë!
Të gjithë aksionet fetare, që rezultojnë me tubimin e të hyrave materiale të BFI-së, bëhen në emër të kësaj Medrese që ndikon në zhvillimin dhe avansimin e jetës fetare. Vendimet i parasheh Reisul Ulema, si organ më i lartë, gjegjësisht Sulejman Rexhepi si uzurpator i këtij posti, ndërsa i miratojnë anëtarët e Rijasetit (në rastin konkret ilegjitim), si organ kolektiv më i lartë i BFI-së! Pra, vendimet për grumbullimin e parave bëhen në emër të Medresesë dhe kjo vuloset me votat e Rijasetit, të cilën kryesisht e përbëjnë organet e BFI-së, respektivisht, trembëdhjetë myftinitë e BFI-së! Në fakt, thuhet se janë trembëdhjetë myftini vetëm në rast kur Mulla Sulës i duhet ndonjë vendim që shkon ekskluzivisht në xhep të tij, ndryshe, vetëm disa që ia mbajnë iso-n në vjedhje dhe shkatërrim të BFI-së i trajton si myfti, të tjerët janë si kordinatorë që akoma nuk e kanë pjekurinë e mbajtjes së peshës se organizimit të jetës fetare. Kësisoj, ata janë të varurit direkt nga Mulla Sula, të cilët nuk marrin frymë pa pëlqimin e tij dhe kjo bëhet për shkak të servilizmit të skajshëm dhe duke shpresur në titullin ”myfti”, kurse myftinjtë e emëruar janë në rolin e rëndë të vasalit dhe bëjnë vetëm atë çka ju thotë ”sllavopronari i tyre”, Mulla Sula!
Së këndejmi, a mund të flitet për një përgjegjësi po aq të madhe sa e organeve të Medresesë, edhe e organit kolektiv të Rijasetit, apo të myftive dhe kordinatorëve veç e veç?! Natyrisht që po! Medreseja nuk është institucion privat i Mulla Sulës, është Institucion i të gjithë myslimanëve për të cilin miratojnë vendime edhe përfaqësuesit e tyre, myftinjtë dhe kordinatorët e ndryshëm! Të gjithë këta myfti, drejtora e hamama të hyrës, sjellin vendime, caktojnë çmime, hartojnë programe finansiare dhe plane se si të tubohen financat nga myslimanët e vendit dhe në të mirë të mirëmbajtjes së Medresesë. Apo! Pra caktojnë çmimin dhe angazhohen për mbledhjen e financave nga shitja e kurbanëve, nga caktimi dhe grumbullimi i fitrit, zeqatit, nga çmimi për haxh etj. Dhe, tërë kjo financë në emër të mirëmbajtjes së Medresesë “Isa Beu”! Dakord por, a e dinë këta organe se çka po ndodhkëka me këtë vatër arsimore? Ku po shkuakan paratë e grumbulluara për këtë vatër arsimore islame? A kanë kërkuar ndonjëherë raporte punë dhe raporte financiare dhe a i kanë miratuar të njëjtat! Si mund t’i miratojnë në paket raportet dhe mos të kërkojnë përgjigjësi nga asnjë organ, mbi të gjitha këto të vërteta që po dalin nëpër media mbi këtë Medrese dhe mbi “pronarët” e saj të vërtetë ndonëse jo të ligjshëm! Natyrisht, i miratojnë ashtu siç i miratojnë edhe raportet mbi shpenzimin e letrave me vlerë, bonove të thesarit, të cilat lëshohen për kompensim të vakëfit, pra, nga vakëfi për ta shtuar vakëfin, dhe jo për t’i shpenzuar për rroga të Sulejman Rexhepit. Kësisoj, Mulla Sula e tëhuajëson vakëfin, e ha atë dhe e vjedh! E miratojnë raportin financiar të Medresesë ashtu siç miratojnë edhe raporte mbi vjedhjen e kurbanëve, siç do ta miratojnë edhe raportin për vjedhje të haxhilerëve të sivjemë. Do ta miratojnë këtë raport hajdutësh siç do ta minimizojnë deri në absurd edhe dëshirën e flaktë të haxhilerëve për t’i falur 40 vakte të namazeve në Xhaminë e Pejgamberit dhe që sivjet patën rastin t’i falin vetëm 10 vakte. Tërë jetës kanë ëndërruar dhe në fund edhe kanë paguar majmë për t’i falur 40 vakte të namazeve te Xhamia e Pejgamberit, kurse Mulla Sula ua mjafton këtë dëshirë vetëm në 10 vakte, duke ua ngrënë pesë ditë qëndrim në Medine. Pse? Sepse duhet të ngelë buxhet nga ky haxh për të pasur mundësinë e ushtrimit të zejes së hajnisë!
Për këtë hajni, natyrisht që përgjegjësia bie ekskluzivisht mbi Sulejman Rexhepin, por, në asnjë mënyrë nuk mund të amnistohen bashkëpunëtorët e tij që ia bëjnë atë organin kolektiv që sjell dhe miraton vendime (madje edhe vendime dhe raporte të atilla që janë në kompetencë ekskluzive të Kuvendit të BFI në RM)! Kjo dëshmon se BFI-ja është shndërruar në një çerdhe banditësh e cila, në momentin që do të bie përdhe nga pesha e veprimeve të tyre kriminale, atëherë të gjithë do të dalin para drejtësisë. Të kota janë pritjet e tyre të asaj dite kur do të ik Mulla Sula, e kotë është shpresa e tyre se do të mund ta zëvendësojnë duke i qëndruar kaq afër dhe kaq besnik, sepse, me rënien e Mulla Sulës, përfundon epoka e tyre, ngjashëm si ajo e ”Ali Babës me dyzet hajdutët”! Nuk do të kenë kurrfarë të drejte morale që të futen në garë për postin e reisit, në fakt, nuk do të kenë lirinë dhe të drejtën, sepse, të gjithë do të përfundojnë atje ku e kanë vendin hajdutët dhe kriminelët…

 

(në fotografi janë: drejtori i Medresesë I.Idrizi nga fsh.Sullare, Z.Rexhepi- punëdrejtuesi, djali i Sulejman Rexhepit dhe Q.Sulejmani, arakatari, vëllai i Sulejman Rexhepit!)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *