CNN: Trump gjeni? Ai s’ka strategji, thjesht e mendon diçka dhe e bën

Nga Chris Cillizza*

 

Të shtunën në mëngjes, para se shumica e njerëzve të ishin zgjuar, Presidenti amerikan Donald Trump postoi në Twitter se ishte jashtëzakonisht inteligjent, shkruan CNN.

 

“Gjatë gjithë jetës sime, dy cilësitë e mia më të mira kanë qenë stabiliteti mendor dhe të qenit me të vërtetë i zgjuar”, shkroi Trump. “Hillary Clinton gjithashtu i përdori shumë këto karta, dhe siç e dinë të gjithë, u dogj. Ndërsa unë, nga një biznesmen shumë i suksesshëm u bëra një yll televiziv dhe më pas President i Shteteve të Bashkuara (që me përpjekjen e parë). Mendoj se kjo më kualifikon jo vetëm si të zgjuar por një gjeni… dhe një gjeni shumë të qëndrueshëm!”, shkroi numri një i Shtëpisë së Bardhë në Twitter.

Postimet e tij erdhën në reagim të portretizimit të tij jo shumë vlerësues në librin e ri të Michael Wolff “Fire and Fury”, në të cilin Trump përshkruhet si një fëmijë nga stafi i tij dhe duket sikur vepron si i tillë. Vetë autori i librit Wolff u shpreh se personat afër Trump besojnë se ai po përkeqësohet nga ana mendore. Menjëherë pas deklaratës së Wolff, Trump ju përgjigj më një seri postimesh në të cilat këmbëngulte se ai ishte gjeniu më i madh në botë.

Ajo çfarë postimet e tij provojnë pa asnjë hije dyshimi është se ideja se ai është një lloj gjeniu politik që po zbaton një strategji shahu tre dimensionale që vetëm ai mund ta shohë është thjesht e gabuar. Një debat mbi aftësinë e tij mendore nuk është diçka që Trump do dëshironte.

Debati nëse ai është i zgjuar, i aftë mendërisht ose në gjendje mendore të përkeqësuar është një debat i humbur për të. Politikanët strategjikë luftojnë vetëm aty ku e dinë se janë të favorizuar ose e kthejnë debatin në favor të tyre. Ata nuk futen në debate që nuk mund t’i fitojnë. Dhe me sa duket debati “Unë jam një gjeni shumë i zgjuar” nuk është një “fitore” për Trump. Ndoshta për arsyen se Trump nuk ka një strategji të fshehtë. Ai thjesht e mendon diçka dhe e bën. Ai vepron dhe më pas reagon. Njerëzit që e vënë në dyshim këtë duhet të kujtojnë se Trump kurrë nuk i planifikonte ditët e tij kur ishte biznesmen. Siç e shpjegon në faqet e para të librit “Arti i Marrëveshjes”, ai nuk kishte takime të planifikuara, as agjendë të përcaktuar, gjë që funksionoi për të, ai u bë miliarder, yll televiziv dhe tani President. Mungesa e strategjisë së Trump është në një mënyrë të çuditshme gjëja më e qëndrueshme rreth tij. Ndoshta bota politike e ka të vështirë ta pranojë këtë fakt pasi i sheh presidentët dhe presidencat të lidhura së bashku në një lloj rrethi narrativ dhe që çdo deklaratë, vendim politik apo postim është pak a shumë në mbështetje të një agjende më të gjerë.

Presidenca e Trump është e pazakonshme në të gjitha mënyrat. Por ndoshta gjëja më e rëndësishme për të kuptuar është se i mungon çdo lloj narrative. Janë vetëm reagimet e tij ndaj gjërave. Dhe kjo gjë, nuk ka rëndësi nëse ju pëlqen Trump apo e urreni atë, nuk është shenjë dalluese e një super gjeniu që luan shah tre dimensional./CNN/BalkanWeb

*Redaktor CNN

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *