Dergja e Mulla Sulës e ka zënë Shaqir Fetain

Si nuk i vjen turp Shaqir Fetait prej fëmijëve të vet, prej nipërve, prej farefisit të gjërë?! Të gjithë e dinë se ai u caktua si ushtrues detyre në krye të BFI-së deri në zgjedhjen e reisit të ri. Shaqir Fetai po prezantohet si “kryetar” dhe këtë po e bën fakt të kryer! Çdo lloj vjedhje është haram. Madje edhe posti i vjedhur është haram. A mund të urohet harami?

Nga Jasir Jashari

Nuk ngeli shqiptar në botë që nuk iu gëzua largimit të Sulejman Rexhepit nga Bashkësia Fetare Islame në RMV. Gëzim i madh dhe i papërshkrueshëm. Tani, dikush po përpiqet të manipulojë me këtë gëzim. Po tenton që ta vjedhë gëzimin dhe ta përkthejë si gëzim i myslimanëve për Shaqir Fetain që u caktua të udhëheqë me BFI-në? Po i radhitë njerëzit e urimet tamam si dikur Sulejman Rexhepit për gjëra të pameritueshme. Edhe Shaqir Fetai si duket i ka rënë dergja e Sulejman Rexhepit! Nuk rriten kualitetet dhe cilësitë e njeriut përmes urimeve, aq më pak përmes urimeve në punët haram! Nuk është vepër e teologut, nuk është vepër e hoxhës, nuk është vepër e myslimanit të devotshëm vjedhja qoftë edhe e vetëm një fare të lulediellit!
Të urohesh për një gjë të vjedhur është moment shumë i vështirë, shumë i turpshëm, i mëkatshëm, sepse, paraprakisht duhet të gënjeshë! Duhet ta gënjeshë tërë botën se je zgjedhur kryetar e reis që pastaj të të vijnë urimet!
Kush e zgjodhi Kryetar Shaqir Fetain! Si u zgjodh Shaqir Fetai, në çfarë procedure zgjedhore kaloi Shaqir Fetai. Fare në fund, kur u bë zgjedhja e tij, në cilën ditë u votua, në cilën ditë ia kaloi programin komisioni zgjedhor i BFI-së. Kush ia dha Menshurën, në cilën xhami u krye kjo ceremoni? Kjo vjedhje e postit në këtë mënyrë nuk ishte cilësi as e Sulejman Rexhepit i cili u shkarkua me Nenin 58 të Kushtetutës!
Kjo praktikë e Shaqir Fetait duhet të marrë sa më shpejt fund, sa më parë duhet të formohen komisionet e nevojshme dhe të nisë procedura e zgjedhjes së reisit. Le të zgjidhet kush të dojë, le t’ju gëzohet të gjitha urimeve dhe përshëndetjeve. Edhe për myslimanët duhet të jetë ditë gëzimi, ditë feste, sepse zgjedhja do të jetë legalisht, në mënyrë legjitime, me vota, me procedurë sipas rregullores zgjedhore. Kështu, siç “u zgjodh” Shaqir Fetai, në çdo moment, në çdo ditë, në çdo orë mund të ndodhë një “rizgjedhje” tjetër. Të dalë një grup kriminelësh, t’i kidnapojë myftinjtë veç e veç, t’ua kërkojë nënshkrimin dhe vulën në “deklaratën” ku shkarkohet Shaqir Fetai dhe përkohësisht caktohet të udhëheqë me BFI-në, për shembull, Stevo Bozharski!
Kjo Përpjekje e Shaqir Fetait për ta mbjellë këtë praktikë në BFI është jashtëzakonisht e rrezikshme, është hapja e dyerve të së keqes në BFI dhe marrja fund e këtij Institucioni. Nëse ky është misioni i Shaqir Fetait, atëherë, myslimanët e vendit do t’ia caktojnë fundin edhe më të zi se i Sulejman Rexhepit.
Shaqir Fetai për momentin duhet ta ketë misionin e zbardhjes të të gjitha të këqiave dhe harameve që ndodhën në BFI, pavarësisht se në të gjitha mund të jet i përfshirë edhe vetë ai. Shaqir Fetai duhet të tregojë se çka është bërë me kurbanat e dy viteve të fundit? A janë therrur a jo, ku përfunduan paratë e kurbanëve të myslimanëve që kanë paguar nëpër organet e BFI-së. Mish Kurbani nuk është shpërndarë te të varfërit, mishi i kurbanëve të këtyre dy viteve nuk është shpenzuar në guzhinën e Medresesë sepse nuk ka punuar! Ky mish duhet të jetë i magazinuar! Atëherë pse kërkon të paguhen kurbanët për Medrese, kur hala nuk është shpenzuar mishi i dy viteve të fundit! Nëse u.d. kryetari i BFI-së nuk ka guximin ta bëj këtë, atëherë
me të drejtë thuhet se një Sulejman Tjetër nuk i duhet BFI-së! Ec Shaqir Fetai, ec sa më shpejt. Ik! Ik e mos e turpëro edhe familjen! Mos u bëj mashë e huaj!

Leave a Reply