Diktatura nuk është rrëzuar, por ka vënë maskë… nomeklaturë milionerësh?!

Nga Anri Bala /

Unë isha fëmijë dhe nuk munda ta rrëzoj sistemin diktatorial, por im atë dhe plot shokë dhe miq të tij ulërisnin: E rrëzuam qelbësirën! Për të mos u mburrur, familja e tim eti, nuk rridhte nga shtresa e të persekutuarve, por nga shtresa e të pakënaqurve, ashtu siç ishin pjesa dërrmuese e shqiptarëve. Mirëpo unë, atë ditë, pashë aq ngazëllim dhe shpresa, sa edhe sot nuk më hiqen nga mendja ato fytyra… të lumtura.

Atëherë, nuk mund ta imagjinoja dhe as të kuptoja, se çfarë ka ndodhur me mijëra të persekutuar, të internuar, vrarë dhe pushkatuar, burgosur e përçudnuar, vetëm sepse ishin pjesë e një fisi, që ishte kundër regjimit politikisht, pa i lyer duart me gjak. Nuk e imagjinoj, sepse është e paimagjinueshme dhimbja e gjatë, e kthyer në gëzim… papritur.

Por sot, i kuptoj shumë mirë dhe më vjen keq, për të gjithë sojin e tyre dhe gjithë ato shqiptarë si puna e tyre, që gëzuan se diktatura u rrëzua. Diktatura nuk është njeri, nuk është frymorë, nuk është materie, por shprehje abstrakte, që kthehet në realitet i prekshëm, atëherë kur shohim ato që e përfaqësojnë, e praktikojnë dhe nuk ndalojnë, vetëm kur bie grushti i revoltës mbi ta.

Diktatura nuk u rrëzua, por u rrëzua fantazma, ashtu siç mund të hiqet një dordolec nga ara… kurse ajo e vërteta, mbijetoi nga bastardë, që vinin nga padituria dhe bashkëjetesa me kafshët, që u shkolluan për t’i civilizuar, për të jetuar, gëzuar gjithë të mirat, që sistemi i’u jepte shërbëtorëve dhe ushtarëve të betuar. Këto njerëz u bënë politikanë, udhëheqësit e së ardhmes, që të ardhmen e dërguan në shtëpitë tyre, duke na ofruar ne të kaluarën, nën modelin e drejtësisë hibride!

Demokracia erdhi për persekutorët dhe inkuizicionistët e tmerrshëm të diktaturës, për ato “Pons-Pilat”, që askush nuk u kërkoi të lanin duart e gjakosura, por i thirrën përsëri… të na gjykonin! Si lukuni ujqërish, u shfaqën Rustemët, Kostat e Kristot, Dvoranët e Ymerët, Ndrecët e Dizdarët, Martinët e Hanëmet, Mirelat dhe Ardianat, që nxorrën shpatën, për ta rikthyer dhe njëherë lirinë njerëzore, aty ku e kishin patur… nën këmbët e tyre.

Diktatura jeton, gjallon dhe lulëzon, duke ua ngrirë buzëqeshjen në buzë gjithë të shkatërruarve dhe të rrënuarve të sistemit, kur shikojnë se përballë kanë ato gjyqtarë e inkuizitor, që tashmë nuk të çojnë tek turra e druve, por të kërkojnë “turrën” e parave, për të deklaruar me mburrje, se të kishin dënuar, e ti kishe fituar, duke u bërë… i persekutuar. Diktatura është liria, për të dhunuar me të gjitha format, deri tek padrejtësia, e këto persekutor, me mantel të zi nga e sotmja, e me dosje të zezë nga e kaluara, e kanë patur me leje… pa limit.

Sot, tmerrohesh kur i shikon, se si janë katandisur të persekutuarit e tyre dhe se është hazdisur diktatura e prekshme… me fytyrë dhe formë njerëzore me ish-egërsirat, sot njerëz të qetë e babaxhanë, me vila, makina, miliona dhe po ato! Pra heshtni, sepse nuk keni rrëzuar diktaturën, por hijen e saj, që sado e madhe tu paraqitet sot, nuk tremb askënd, thjesht është alibi për komunistët udhëheqës, që mbetën ato që ishin, por me emër të ri, as mish as peshk… “demokomunist”. Fytyrën e diktaturës, akuzator, gjykues, persekutor, xhelat dhe shërbëtor i kemi përpara syve, por, si të shpërblyerit e demokracisë tonë të rrejshme… nomeklaturë milionerësh.

Ndaj, nuk ka vetting që merr hak për ne, për atë që na bëri “kryedekomunisti”, i cili e përmbylli me sukses misionin, për të shkatërruar edhe njëherë ato që ishin ndërtuar dhe për t’i vrarë për së dyti, armiqtë e partisë!/Ekskluzive.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *