Drejtësi nga e para

Nga Artan Xh.Duka

Reforma në drejtësi është jo vetëm kusht për integrim i vendosur nga të tretë por dhe domosdoshmëri për ne që 30 vjet vijmë rrotull pa “bereqet” demokratik.

Duke mundësuar me Kushtetutë përfshirjen e drejtëpërdrejtë të perëndimit në këtë proçes, i kemi dorëzuar atij “timonin”, një lajm ky i keq por dhe i mirë njëkohësisht.

I keq se dëshmon se dështuam kaq vite për të bërë reforma reale demokratike në vënd por i mirë se kësaj rradhe, jo thjesht rriten gjasat për reformimin e drejtësisë por se ky proçes e të tjerë në vijim, bëhen të pashmangshëm dhe të pakthyeshëm për shkak të pranisë perëndimore e SHBA në këtë mes.

“Steka” e abuzimit!

Ndonse kur flitet për drejtësi, debatohet shumë për peshqit në “detin” e abuzimit, përtej spekulimit politik e retorikës së ditës, “rrjeta” e drejtësisë presupozohet se nuk bën dallim dhe debatet rreth etiketimeve peshk i “madh” apo peshk i “vogël” nuk kontribuojnë në klimën e favorshme për drejtësi.

Përkundrazi, duke etiketuar haptazi apo tërthorazi këtë apo atë si “peshk” të madh, “imunizohet” apriori më tej rasti në fjalë dhe drejtësia përballet me emocione dhe ndjeshmërira shtesë politike dhe publike që nuk e lehtësojnë punën e përditshme të saj. Vajtja apo dalja e dikujt nga dyert e prokurorisë e gjykatave nuk ka pse të jetë lajm i bujshëm mediatik apo politik dhe nuk ka pse spekulohet me të.

“Peshk” i madh apo i vogël, vetëm “peshorja” e drejtësisë e vendos këtë gjë ndaj dhe cilësimi i një rasti apo tjetri ul dhe ngre artificialisht një “stekë” që implikon për ekuivalencë lista emrash lart e poshtë asaj, që ndërsa është absurditet në vetvete, mund të provokojë pritshmërira “jakobine”, publicitet ky që nuk i vlen kujt.

Drejtësia nuk ka nevojë për bujë e etiketime spekulative politike por për mundësi për të bërë punën e saj e lirshme, pa presion e paragjykime politike, mediatike e publike rreth saj. Qoftë kur zhbën padrejtësi apo edhe kur konfirmon pafajësi.

Drejtësia me “sytë” pas!

Reforma në drejtësi u motivua nga perceptimi se sistemi i drejtësisë vuante nga kapja e politikës dhe ishte i korruptuar në masë të konsiderueshme me kosto për qytetarin, demokracinë, partnershipin me perëndimin etj, gjë që bënte të domosdoshëm vetingun (verifikimin e trupës së drejtësisë).

Hamëndja që ngrihet me këtë rast është nëse për rastet e abuzimit në të shkuarën do të ketë vetëm masa ndaj përgjegjësve apo edhe do të mundësohet rivendosja e së drejtës së shkelur në vënd, sado e largët në kohë ajo?

Fundja, ishte akumulimi i padrejtësisë në tre dekada me pasoja për qytetarin, institucionet, interesin e shoqërisë etj, që i bërë “mullar” e bën reformën në drejtësi domosdoshmëri. Çdo “arkivim” i padrejtësive të së shkuarës me arsyen “miratuar nga parlamenti”, “ka kaluar etapat e gjyqësorit”, “vendim i formës së prerë” etj (përveçse vulosur nga Strasburgu), do të tingëllonte alibi sepse do të vinte në dyshim vetë motivin e ndërmarrjes së reformës në drejtësi që sesa marrjes me emra, duhet të krijojë kushte për zhbërjen e padrejtësive pa dallim kohor.

Nëse ka patur padrejtësi apo ka qytetarë, grupe interesi e institucione që kanë vuajtur padrejtësinë këto tre dekada, duhet të parashikohet një proçes rishikimi për pretendimet në fjalë.

Nga çështjet private (pronësi, abuzim etj), tek çështjet dhe legjislacion me interes publik si ai i shumëpërfolur 7501, abuzimi me pronat (pronarë ende të pakompensuar, pronësi në kundërshtim me ligjin) etj, diskriminimi social e ekonomik mes shtresave në shoqëri (përjashtimi nga privatizimi i banesave shtetërore, diferencime mes pensionistëve për kompensime etj), piramidat e kriza e 1997, Gërdeci, 21 janari, ndarja e detit, shpenzimet tek rruga e Kombit, konçesionet vënd e pa vënd në dëm të komuniteteve e më gjërë, ndërtimet pa kriter dhe planet urbanistike problematike, abuzimet elektorale etj.

Jo gjithshka që perceptohet si padrejtësi mund të jetë e tillë dhe jo çdo vendim gjykate i së kaluarës është i padrejtë por, nga mënyra se si perceptohet nga publiku e portretizohet nga perëndimi sot sistemi i drejtësisë, ai mbetet i paragjykuar dhe të tilla edhe shumë vendimarrje të tij.

Drejtësia nuk ka afate kohore; në perëndim rishikohen edhe çështje të shekullit të 19 e më poshtë dhe ne vetë po vëmë drejtësi për padrejtësitë në sistemin që kaloi. Shteti u detyrohet drejtësi qytetarëve dhe nëse vullneti është, kosto financiare mund të ndahet edhe me palët e interesuara për drejtësi. Ia vlen!

Ndërsa dështuam të bëjmë vetë drejtësi, syresh që kanë humbur toruan dhe kërkojnë t’i futin shkopinj” nën rrota perëndimit kur na ndihmon për një gjë ku përfituesi më i madh mbetet qytetari, duhen lënë në vetminë e tyre.

E vetmja “mosbindje” është ajo e abuzimit te tranzicionit ndaj drejtësisë dhe perspektivës europiane në vënd.

Ndoshta në BE do të integrohemi tepër vonë për një brez të tërë, ndoshta nuk do të bëhemi fare pjesë e tij se mbase BE nuk do të ekzistojë deri atëhere apo vetë ne do të ndryshojmë qëndrim etj, kjo nuk i dihet, por ajo që ndjehet është se përmes reformave reale, do të mund të importojmë “BE” në Shqipëri pa humbur më kohë.

Duke filluar nga drejtësia, pasuar nga vetingu në politikë dhe një ligj zgjedhor që bazohet në meritë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *