Është e vërtetë që rumunët “nuk janë Shqipëria”

Nga Mero Baze /

Ka disa orë që në rrjet qarkullon një foto e montuar në të cilën është shkruar rumanisht “nuk jemi si Shqipëria”, vendosur në dorën e një protestuese rumune në Bukuresht.

Në fakt, me një kërkim të thjeshtë e zbulon se kemi të bëjmë me një fotoshop dhe se fotoja origjinale thotë “Drejtësi, jo korrupsion”.

https://i.f1g.fr/media/figaro/243x158_crop/2017/01/25/XVMbd2bac38-e2d5-11e6-a30c-7e0318ea1240.jpg

Nuk do t’ia vlente të merreshe më kët gjë, sikur kjo të mos reflektonte fiks problemin që ka opozita në Shqipëri, dhe protesta në Rumani.

Protestat rumune të cilat janë zgjeruar dhe me kthimin e emigrantëve për pushime, janë protesta për të mos bllokuar reformën në drejtësi. Ish- prokurorja speciale antikorrupsion u shkarkua nga shumica, pasi konstatuan një sërë shkeljesh dhe ka debate të dyshimta, nëse pas shkarkimit është frika e pushtetit të ri nga hetimi, apo vërtet tejkalimi i së drejtës nga ish- kryeprokurorja.

Sido që të jetë puna, është protestë për të vazhduar reforma në drejtësi, për të vazhduar hetimet ndaj politikanëve, për të mbrojtur efektet e reformës në drejtësi dhe për të çuar para drejtësisë politikanët.

Problemi që kemi në Shqipëri, është i kundërt. Vetëm disa muaj më pare, Parlamenti u kall në flakë dhe mes çizmesh që vërtiteshin mbi kokën e qeverisë dhe granat-hedhësve tymuese, u votua emërimi i kryeprokurores së re të përkohëshme, në vend të Adriatik Llallës, që sot është i pandehur.

Opozita jonë ishte gati të digjte Kuvendin për të mos zgjedhur kryeprokuroren e re, ndërsa Rumania është gati t’i vërë flakën vendit, për të mbrojtur ish- prokuroren speciale antikorrupsion, që ne akoma nuk e kemi zgjedhur, për shkak të pengesave të opozitës.

Ky detaj bën diferencën e madhe mes asaj që ndodh në Rumani dhe asaj që duhet të ndodhë në Shqipëri. Në Rumani janë në rrugë ata që duan reformën në drejtësi, ndërsa në Shqipëri, “qejflinjtë” e asaj proteste janë në fakt kundër motivit të asaj proteste.

Këtu lideri shpirtëror dhe real i opozitës ka hall, pse i kanë shkarkuar gjyqtarët e korruptuar dhe ish- kryeprokurorin, dhe jo pse nuk bëhet reforma.

Ndaj për të gjithë këta që po ngazëllehen nga ajo parrulla e montuar rumune “Nuk jemi si Shqipëria”, nuk ka asnjë zhgënjim.

Me të vërtetë ajo që ndodh në Rumani, nuk është si Shqipëria.

Në Shqipëri, opozita është duke luftuar për të kundërtën e asaj që luftojnë protestuesit rumunë. Janë duke mbrojtur të ardhmen e pasigurtë të Sali Berishës, fëmijëve të tij biologjikë e politikë, të atyre që kanë vrarë e vjedhur këto 28 vjet në Shqipëri.

Ndaj s’kanë për t’u bërë kurrë bashkë me popullin në sheshe, edhe pse u shkojnë jargët kur shikojnë foto të tilla qoftë dhe të montuara. Nuk janë në anën e popullit, por kundër tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *