Fjalori sheshelian si ky i Sulejman Rexhepit

Që kur ndodhi rasti i përshkruar në rrëfimet arabe, karavani i deveve as sot e kësaj dite nuk pajtohet që të udhëhiqet nga një gomar!  Edhe devet kërkuan drejtësi

Shkruan Elif Duraku

 

I.

 

Në një dëgjesë të zgjëruar të organizuar ditë më parë, ku morën pjesë qindra të rinjë, intelektualë e personalitete të ndryshëm, patëm rastin që, veç të tjerash, të bindemi nga drejtuesi i Lëvizjes së Myslimanëve për Reforma në BFI, H. Afrim ef. Tahiri, me një fakt sa të turpshëm aq tronditës, sa të poshtër aq edhe motivues që duhet t’i nxisë të gjitha instancat më të larta shtetërore për një veting urgjent e të thellë në të gjitha organet e drejtësisë.

Efendi Afrim Tahiri na e ofroi një dokument-përgjigje nga Këshilli i Prokurorëve të RMV-së, lidhur me kërkesën e tij për të ditur se pse tash e katër vite akoma nuk janë procesuar paditë e tij kundër Sulejman Rexhepit që kanë të bëjnë për keqpërdorim të pozitës dhe detyrës zyrtare, për nepotizëm, për vjedhje e zhvatje si dhe për shkatërrim të vakëfit në llogari të shtimit të pronës së vet personale e familjare.

Këshilli i Prokurorëve arsyetohet për këtë vonesë se i është dashur kohë deri në grumbullimin e fakteve me qëllim të verifikimit të të gjitha argumenteve që i ngërthejnë paditë. Dhe, nënvizohet në dokument, së shpejti do të nisë procedura gjyqësore, pasi që tashmë janë grumbulluar të gjitha faktet! Pra, prokuroria nuk i ka refuzuar paditë, nuk i “ka harruarr”, nuk i ka lënë pas dorë por, i është dashur kohë deri te verifikimi institucional i të gjitha atyre fakteve që përfshihen në paditë e efendi Tahirit.

II.

Çka flet ky dokument, kjo përgjigje e Këshillit të Përgjithshëm të Prokurorëve të RMV-së? Në rrafshin e të Drejtës dhe të Kodit Penal flet për dy anomali të ndëshkueshme: e para, kemi të bëjmë me një kriminel ordiner i cili pa meritë e gëzon lirinë e plotë si peshqesh nga organet e drejtësisë, të cilët, në rastin konkret na dalin si tepër të korruptuar dhe si lëndë që urgjentisht duhet të bluhet nga mekanizmi i vetingut! Në rrafshin e jetës publike, kemi të bëjmë me veprime dhe strategji nga recidivët e së kaluarës për t’i degraduar shqiptarët si popull që parapëlqejnë të drejtohen nga liderët kriminelë! Pra, mosndëshkueshmëria e deritanishme e Sulejman Rexhepit na del si “kërkesë absolute” e popullit shqiptar dhe mysliman të cilët janë jetikisht të interesuar që të drejtohen nga një person i tillë ndonëse me dosje të trashë prej krimineli!

Kanë ndodhur disa veprime johumane nga Sulejman Rexhepi, para të cilave absolutisht nuk është dashur të heshtë organi i drejtësisë! Nuk mund të njolloset vetëm populli shqiptarë, sepse, kjo mund të ndodhë në një shtet anarkik dhe jo në një shtet që pretendon se shpirtin e ka në organizmat euro-atlantik.

– Ndonëse e deklaron vetë Sulejman Rexhepi, atëherë, ç’ka pritën organet e drejtësisë, pse nuk e hulumtuan rolin e Sulejman Rexhepit në rastin e Lagjes së Trimave në Kumanovë! Apo ishte deklaratë e kurdisur në funksion të njollosjes së pastërtisë dhe idealit kombëtar të të arrestuarve dhe të të vrarëve shqiptarë!

– U mblodhën dhe u dorëzuan tek Sulejman Rexhepi mbi 400 mij euro ndihmë financiare nga e tërë bota shqiptare dhe më gjërë, për vëllezërit shqiptarë që përjetuan apokalispin e tmerrshëm me rastin e vërshimave katastrofale që ju ndodhën më vitin 2015. U përfol se të gjitha këto para i përvetësuan Sulejman Rexhepi dhe Mustafa Dauti! A nuk e panë të arsyeshme që të ndërhyjnë organet e drejtësisë për ta zbardhur këtë rast?

– E përkrahu Arabinë Saudite në aktin  makabër të likuidimit të gazetarit Xhamal Kashogi, kësisoj duke i involvuar rreth 1 milion myslimanë, qytetarë të Maqedonisë së Veriut, në një veprim të dënueshëm prej mbarë botës! Sulejman Rexhepi u rreshtua publikisht në anën e aktit kriminel, kurse para këtij fakti organet tona të drejtësisë i mbyllën sytë!

– Një shtet me miqësi të fuqishme dhe të përhershme me Maqedoninë e Veriut, Turqia, respektivisht, mediat turke, publikuan raportin mbi 100 faqe mbi veprimet kriminale të Sulejman Rexhepit dhe mbi kriminalizimin e BFI-së nga ana e tij, kurse asnjë nga organet e drejtësisë në RMV nuk e pa të arsyeshme që të nisë procedurë me qëllim që ta zbardhë figurën e një “lideri” të vet, duke i hulumtuar të gjitha ato fakte të ngërthyera në atë raport!

– I kërcënohet Kryeministrit (“kam bombë për të”) si dhe mbarë Qeverisë (“keni dhjetë ditë afat”) kurse organet e drejtësisë edhe më tej i mbajnë veshët në lesh!

– Publikisht dalin angazhimet kriminale të Sulejman Rexhepit në drejtim të uzurpimit të pronave si pasuri e përgjithshme dhe shtetërore, në llogari të shtimit të pasurisë dhe pronës personale e familjare, kurse organet e drejtësisë edhe më tej të “pafuqishëm” para këtyre veprimeve zhvatëse të Sulejman Rexhepit!

– Tani, pas shprehjes së urrejtjes prej një manjaku e psikopati kundër popullit maqedonas, Komiteti i Helsinkit ka dorëzuar padi në prokurori kundër Sulejman Rexhepit! Si duket u mbush kupa dhe, ky është rasti ideal nëse do të shpëtojë gjyqësori apo definitivisht do ta nxisë ngritjen urgjentisht të mekanizmit të vetingut! Sulejman Rexhepi mund të jetë boja e barëdhë apo e zezë e fytyrës së organeve të drejtësisë së RMV-së.

III.

Shqiptarët e viseve jasht kufijve administrativ të shtetit amë dhe, përgjithësisht myslimanët e viseve të ish-Jugosllavisë, ndonëse të shtypur e të torturuar, ndonëse të vrarë e të poshtruar, ndonëse të diskriminuar e të linçuar, kurrë nuk kanë folur për shtypësit e okupatorët si për një “popull të pashpirt, për një popull të egër e pa identitet”! Jo që nuk kanë përdorur të tilla fraza idiotike liderët, prijësit, udhëheqësit, apo komandantët e luftës, por as luftëtarët dhe as popullata civile që përjetonte tmerre të përditshme! Shqiptarët gjithmonë kanë folur për sistemet e egra, apo për struktura të caktuara shtetërore, ose edhe për grupe kriminelësh me etni të qartë!

Sulejman Rexhepi, i brymosur me mentalitet sheshelian, nuk mundet ta shmangë as fjalorin sheshelian sa herë që ka nevojë për ta shprehur një urrejtje. Ndërsa kjo urrejtje e tij kaq e shpeshtë, i tejkalon të gjitha kufijtë e njeriut normal. Nuk mundet që një lider fetar të shprehet me fjalor sheshelian duke i përgjithësuar dhe gjeneralizuar fenomenet. “UÇK-ja është një grup kriminelësh…”, “Populli arab është pa kulturë e pa civilizim…”, “Maqedonasit janë popull i egër e i pashpirt, prandaj dhe nuk kanë identitet dhe as që do ta kenë kurrë…” janë fraza që mund të rrjedhin vetëm nga truri i ngjizur me urrejtje patologjike shesheliane. Nëse Shesheli “u zbut” nga burgjet e ndryshme, ç’ka ka më tepër Sulejman Rexhepi që nuk i nënshtrohet një zbutje të tillë? Zbutja e tij si rezultat i ndëshkimit institucional do ta ruante sidomos popullin shqiptar dhe mysliman si vlerë e papërlyer e shoqërisë së përgjithshme së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për këtë pastërti kolektive duhet të angazhohen edhe strukturat tona partiake, dhe jo të angazhohen vullnetarisht për njollosje duke ia ngacmuar Sulejman Rexhepit kënaqësinë e të qenurit “lider i fortë” pranë tyre, në evente, në raste e në darka plotë haram që ua shtron vetëm e vetëm që të ndjehet si më i “privilegjuari” dhe “më i madhi në vend”! Që kur ndodhi rasti i përshkruar në rrëfimet arabe, karavani i deveve as sot e kësaj dite nuk pajtohet që të udhëhiqet nga një gomar!  Edhe devet kërkuan drejtësi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *