Frika, ligji dhe terrori

Nga Ilir Yzeiri/

Gjithmonë e më shumë po bindem për një gjë : ne, shqiptarët, kemi dështuar në vendosjen e rendit dhe të sigurisë për shtetasit tanë, por jemi bërë problem edhe për shtetet e tjera. Personalisht, nuk jam larguar asnjë ditë nga ky vend dhe e kam jetuar periudhën e tranzicionit herë me intensitet e herë i tërhequr.

Nga viti 1991 e këtej, pothuajse, nuk jam shkëputur asnjë ditë nga media dhe në vitin e mbrapshtë 1997 vetëm me shumë pak miq, me Mero Bazen, Ylli Rakipin e ndonjë tjetër, kemi qenë në godinën e PD-së, atëhere kur Tritan Shehu kishte marrë edhe 5500 dollarët e fundit nga arka e PD-së për të rregulluar makinen e tij dhe e kishte çuar në një servis në Greqi, pra të kryetarit të PD-së, sepse këtë post mbante në atë kohë dhe, në atë tmerr të jashtëzakonshëm, kur RD ishte mbyllur dhe heronjtë e sotëm ia kishin mbathur, unë kam nxjerrë gazetën « Tribuna » që më pas u bë « Bulevard », dhe më kujtohet se ajo përvojë ishte si të punoje në kushtet e luftës.

Nuk më intereson më degjenerimi i mëtejmë i PD-së sapo gjakrat e u qetësuan, dhe sapo hienat u kthyen dhe zaptuan përsëri PD-në, të cilën e kanë katandisur ashtu siç është sot.

Nuk më intereson kjo. Tani vonë po e kuptoj gjithnjë e më mirë se trauma e vitit 1997 dhe shpërthimi i pakontrolluar i instinkteve shtazore të shqiptarëve për t’u pasuruar me çdo kusht dhe për të fituar me çdo çmim, rrënjosën përfundimisht modelin e një shoqërie të kriminalizuar. Nuk kam parë një statistikë të plotë për vrasjet e mbetura pa autor në Shqipëri, por jam i bindur se duhet të jenë shumë, jashtëzakonisht shumë.

Më kujtohet vrasja e pronarit të hekurit « Flevi » përballë ish-Pularisë, më vijnë ndërmend nja dy a tri vrasje në Vlorë pa autor, vrasja e fmashme e Artan Santos në zemër të Bllokut, pa autor, vrasja makabre e punonjësit të SHISH-it në Durrës dhe djegia në makinë, dhe tani në fund tri vrasje në Shkodër, përsëri pa autor. Ju kujtohet ai biznesmeni që u masakrua në rrugën e Rinasit ? Ditën për diell, po ashtu, pa autor.

U rrah në mes të ditës, madje kamerat i fiksuan agresorët e gazetarit Elvi Fundo, por ata nuk u gjendën kurrë. Edhe tani qëllohet në shtëpinë e prindërve të një gazetareje, por mund të kishte qenë edhe një tjetër banor, përsëri policia nuk e zbardh dot ngjarjen.

E përmenda pak më lart vitin e mbrapshtë 1997 për të thënë se, qysh nga ajo kohë, por ndoshta edhe më herët, në Shqipëri janë konsoliduar grupe të rrezikshme kriminale të cilët e kanë nënshtruar shoqërinë shqiptare, në disa raste, dhe e kanë përdorur policinë kur u është dashur puna. Shteti shqiptar i tranzicionit u ndërtua nga njerëzit më antishqiptarë që kishte njohur ndonjëherë historia e këtij vendi. Mendjelehtësia me të cilën u shkërmoqën institucionet e shtetit shqiptar të diktaturës dhe idiotësia, dhe provincializmi, dallkaukllëku dhe gjithçka e mbrapshtë në personalitetitn e njeriut me të cilën u ringritën gjoja institucionet e reja të shtetit shqiptar si ushtria, policia, shërbimet e inteligjencies, institucionet akademike e kështu me radhë, ishte për të vënë kujen. Pasojat e asaj mendjelehtësie po i vuajmë edhe sot.

Gjithmonë e kam pyetur veten se përse italianët nuk e shkërmoqën ushtrinë e tyre fashiste apo karabinierinë dhe shërbimet sekrete të Musolinit ? Senatori i famshëm McCain, që u nda nga jeta këto ditë, kishte luftuar në Vietnam dhe çmohet nga amerikanët si një hero. Të mos harrojmë se lufta në Vietnam u kundërshtua në atë kohë me forcë nga amerikanët dhe asnjëherë nuk u mbështet tërësisht prej tyre. Ndërsa, djemtë amerikanë që luftan atje, në imazhin kolektiv, janë heronj.

Në Shqipëri u shkatërruan institucionet që kishin gjëllitur në diktaturë, duke ngatërruar sistemin me institucionet e shtetit. Për fat të keq, në këta 30 vjet tranzicion, ne krijuam modelin e frikës nga bandat dhe talljen me shtetin. Shtetin mund ta sfidosh dhe policinë e drejtësinë mund të mos i përfillësh, sepse ato, për një bandë të vërtetë, nuk ekzistojnë. Policia dhe institucionet që parandalojnë krimin, këtu te ne, bëhen të forta vetëm kur arrestojnë ndonjë varfanjak apo ndonjë shkelës të rëndomtë ligji. Përballë bandave të rrezikshme, ato janë të pafuqishme, sepse organet e sigurisë këtu te ne nuk janë ndërtuar për të luftuar krimin, por për të mbajtur rendin në sipërfaqe.

Krimi i rëndë, ai që të vret dhe nuk i hyn gjemb në këmbë, e ka sfuduar me kohë shtetin shqiptar, sepse organet ligjzbatuese dhe të rendit në Shqipëri nuk janë ndërtuar për të kontrolluar territorin dhe për të eleminuar krimin, janë ndërtuar kryesisht që të mbrojnë ngjyrat e krahëve të politikës. Vetëm në Shqipëri ndodh që punonjësit e lartë të policisë janë dyngjyrësh ; të PD-së dhe të PS-së. Sapo ikën PD-ja nga pushteti, hierarkët e lartë të policisë nisin biznesin, po ashtu bëjnë edhe ata të PS-së dhe të dyja palët bashkë e dinë se cilat janë zonat dhe njerëzit që nuk duhen prekur dhe cilët janë ata që mund të preken.

Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që nuk ka një census të besueshëm, pra që nuk numëron dot popullsinë e saj dhe nuk i di se ku janë dhe çfarë bëjnë shqiptarët anë e kënd botës. Listat e votimit këtu te ne janë akoma me rekordet e vitit 1992 dhe askush nuk e di se sa votues ka në Shqipëri, sa janë emigrantë, madje nganjëherë nuk e dimë as se kush ka vdekur. Tani përfytyroni se çfarë të dhënash mund të ketë policia e shtetit apo organet e tjera ligjzbatuese për grupet kriminale.

Në çdo kohë do të ndodhin vrasje dhe krime, por policia e shtetit dhe organet që sigurojnë rendin e qetësinë në një vend, janë aty për të na siguruar se ato janë në gjendje që ta zbardhin ngjarjen dhe të na tregojnë se kush, si dhe përse u vra filan person. Përsa kohë nuk ndodh kështu, të gjithë kemi të drejtë të mendojmë se krimi dhe bandat e kanë mundur shtetin dhe se viti i mbrapshtë 1997 është një mallkim që nuk do të na shqitet kurrë, dhe se ndërtimi i gjithçkaje që erdhi më pas ka në themel pikërsiht luftën për ta pushtuar këtë vend me metodat e bandave dhe të krimit.

Dhe e fundit, këtij vendi i mungojnë heronjtë, ata që do të marrin përsipër luftën me të keqen. Askush nuk guxon të aplikojë për vendet bosh të organeve të larta të Prokurorisë dhe të Byrosë së Hetimit. Detyrohet Ambasada Amerikane që të ftojë dhe t’u lutet atyre gjyqtarëve apo prokurorëve të cilët kaluan vetingun, që të aplikojnë dhe askush nuk aplikon. Përse ? Çfarë dinë ata ? Kanë frikë ? Kanë humbur besimin ? Ndaj i jap të drejtë kolegut im nga Prishtina, Visar Berisha, që editorialin e fundit e kishte titulluar : « Kush ka mbetur që e do këtë vend… »

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *