Gjithë Shqipëria në Vetting

Nga Artur Ajazi/

Viti 2017 do të hyjë në histori për shqiptarët, si viti i nisjes së Vetting-ut, si viti i nisjes së reformave rradikale në drejtësi, si viti që ka përcaktuar qartazi rrugën e sigurtë të vendit drejt BE. Viti 2017, do të mbahet mend gjatë, pasi qysh javët e tij të para, nisën procedurat e zbatimit të ligjit të Vetting-ut, motorit të reformës së shumëpritur në drejtësi. Ligji tashmë ka nisur të bëhet funksional pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese,duke rrëzuar kërkesën e PD për ta shpallur atë “antikushtetues”pa asnjë bazë ligjore. Gjykata Kushtetuese me shumicë votash, votoi pro ligjit të Vetting-ut, duke lënë në fuqi atë, pas ankimit të PD-së, sipas së cilës ligji në fjalë “cënonte të drejtat e njeriut dhe i mundësonte qeverisë kontrollin e sistemit të drejtësisë”.

 

Gjykata Kushtetuese ka patur edhe mbështetjen e Komisionit të Venecias, trupës më të lartë këshillimore të KE, që dha opinion pozitiv për ligjin e Vetting-ut, duke theksuar faktin se “dispozitat e ligjit nuk shkelin nenet e Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut, ky ligj është pozitiv është i nevojshëm për Shqiperinë”. Por nuk duhet harruar se në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndikim kishte edhe presioni në rritje i shoqërisë civile me peticione dhe thirrje të shumta (edhe ndaj PD që e kundërshtonte) për të mos u bërë pengesë në zbatimin e reformës.

Gjithashtu nuk duhet harruar edhe roli i politikanëve të BE-së, të cilët i bënin thirrje Partisë Demokratike se “duhet filluar pa vonesë zbatimin e reformës në organet e drejtësisë”. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pa asnjë mëdyshje do të konsiderohet historik në rast se kemi parasysh konfliktin e intertesit që gjyqtarët kanë me Vetting-un, pasi edhe ata nuk përjashtohen nga kontrolli pasurive e pastërtisë së figurës. Reforma në drejtësi është mbështetur qysh herët nga BE dhe SHBA, duke i dhënë mbështetje ndërkombëtare kësaj reforme.

Nga ana tjetër KE do të deklaronte se “do ta mbështesim Shqipërinë për kryerjen e një procesi Vettingu të besueshëm, duke udhëhequr Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit”, kurse DASH vazhdimisht ka bërë thirrje që “të gjitha partitë politike të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese , të punojnë me shpejtësi, për të zbatuar të gjitha reformat historike të sistemit të drejtësisë”.

Ndërkohë kryeministri Rama , një ndër mbështetësit e zbatimit të Vetting-ut, vazhdimisht ka mbështetur dhe përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke u shprehur se “PD e vonoi por nuk mundi ta ndalojë Vetting-un, tashmë ka ardhur koha të shohim zbatimin e tij në praktikë”. Zbatimi i Vetting-ut, do të bëjë që shumë shpejt në Shqipëri të mos ketë më të “fortë” në organet e drejtësisë, të paprekshëm në ato institucione, për të zbuluar, arrestuar dhe dënuar jo “peshqit e vegjël” por “peshkaqenët” dhe ata që në 27 vjet i kanë mbështetur ata politikisht.

Procesi i vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përcaktohet nga 71 nenet e Vetting-ut, të cilat do të kalojnë në “sitë” pasuritë, apo lidhjet e mundshme me krimin e organizuar dhe aftësitë profesionale, duke patur vazhdimisht mbikqyrjen e vëzhguesve të huaj. Zbatimi i ligjit të Vetting-ut , përbën kushtin kryesor nga BE-ja për Shqipërinë, për hapjen e negociatave të anëtarësimit në muajt e ardhshëm.

Forcimi i një gjyqësori të paanshëm, të pavarur, të përgjegjshëm, efikas dhe profesional, ka rëndësi për sundimin e ligjit në këtë vend. Shqipëtarët kanë pritur gjatë, kanë vuajtur gjatë nga shlekjet ligjore, nga vendimet e padrejta, që kanë patur edhe kosto të lartë, ndaj ata sot meritojnë një sistem gjyqësor të besueshëm. Përgjatë vitit 2017, shqiptarët panë dhe dëgjuan se si PD (për gjoja paqartësi teknike) u mundua ta bllokonte ligjin e Vetting-ut, ta anullonte dhe ta quante “antiligjor” procesin, dhe kjo patjetër për interesat e saj. Procesi i Vetting-ut, është padyshim ndër arritje më të suksesshme të kësaj qeverie dhe të kryeministrit Rama, pas shumë përpjekjesh që lidheshin me zbatueshmërinë e reformave. Paralelisht me organet e drejtësisë, duket se Vetting-u do të shterihet edhe në institucionet e tjera të shtetit, duke nisur nga policia, e cila duhet të spastrohet edhe ajo nga të paaftët dhe të kompromentuarit.

Përgatitjet janë bërë në bazë të konsultimeve intensive, për të zbutur sa më shumë pasojat e mundshme. Zbatimi i procesit të Vetting-ut edhe në polici, do të kërkojë përkushtim, guxim dhe gatishmëri profesionale. Me shkarkimin e gjithë drejtuesve të institucioneve vendore dhe qëndrore nga kryeministri Rama, si dhe nisja e testimit rigoroz duke zbatuar çdo kriter profesional për drejtuesit e rinj, tregon se Vetting-u ka nisur të ketë shtrirje në gjithë vendin. Shqipëria kishte vite që kërkonte një Vetting, dhe jo vetëm në organet e drejtësisë, por edhe në polici, në shëndetsi, në arsimin parauniversitar dhe thellësisht atë universitar, në Akademinë e Shkencave dhe gjithkund ku zbatimi i ligjit ka patur deformime në këto 27 vjet.

Procesi i Vetting-ut do të zhvillohet në tre pista kryesore, tek e shkuara, tek pasuritë dhe tek vlerësimi i aftësive profesionale. Kërkesa e qytetarëve për ndryshim, duket se është bërë realitet nga kjo qeveri, duke shpresuar se zbatimi reformave dhe kryesisht i Vetting-ut, do të gjenerojë ndryshime pozitive në institucionet e shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *