Kriminelët do ndërrojnë pushtet, nëse ne nuk ndërrojmë “kobure”

Nga Anri Bala/

Në lëmin e zullumqarëve, këta që shfaqen ekraneve, të befasojnë aq shumë, sa të vënë në dyshim, nëse njohuritë që t’i ruan për jetën në përgjithësi, apo dhe ato që ke mësuar gjatë kohës së nxënies akademike apo jetësore, të duhet t’i flakësh tutje, në ndonjë kosh plehrash, e t’i nisësh “studimet” nga e para.

Por, mos u dëshpëro! Përvish mëngët, se tani e ke fare të lehtë dhe pa asnjë pagesë! Profesorët e poshtërsive, të japin leksione çdo ditë falas, e t’i duhet vetëm t’i ndjekësh në televizion, në ndonjë gazetë print apo në morinë e pafund të mediave online, që këta “profesorë” i kanë të tyre, por na i paraqesin si në përdorim.

Madje, kur e kupton se sa e lehtë paska qenë, të bëjnë të ndihesh kaq keq me veten, sa dhe kur e sheh shëmbylltyrën tënde, të vjen t’i kërcasësh një gëlboqe surratit, sapo ajo të të shfaqet në pasqyrë. Të vjen keq për vrasësin, hajdutin, kriminelin, puthadorin dhe legenin deri në pështirosje, që su bëre kurrë…!

Nga “frika” su bëre… thuaj të drejtën?!

Kishe frikë… sepse ke menduar, që po të vrisje njerëz të pafajshëm, duke qëlluar në turmë me armë luftarake, pse ata po protestonin, se të urrejnë… të vrasësh teknologjikisht 26 njerëz, që nuk kishin asnjë lidhje me teknologjinë tënde, sepse ishin fëmijë duke luajtur me biçikletë, nëna që po ushqenin të miturit me gji në shtëpinë e tyre dhe ca të “këputur”, që punonin për bukën e gojës si skllevër, pa e ditur se ç’është teknologjia dhe arma jote që të vret në “aksident”… do vdisje nga pagjumësia!

Kishe frikë… sepse ke menduar, se po të vriteshin mijëra të tjerë, duke ngritur intrigën e “luftës civile”, më e pakta do të zgjoheshe me makthe natën, për secilën viktimë! Një natë për një viktimë, një natë për çdo familje…! Do mendoje për të vrarët… ndërsa me prishjen e gjumit, marrafrymjet do të ndalnin në mëngjes dhe ti do kishe vdekur!

Ata, profesorët do qeshnin me ty… nëse do ua pohoje, se edhe kur sheh një ëndërr të tillë, gëzohesh kur kupton, që s’paska qenë e vërtetë! Ragimi i tyre dihet: “Dava frikacaku…”, por ky do mbetet sekret i joni!

Shikojeni mirë Profesorin plak, shikojeni, se atë nuk e gjen asgjë! Madje, gjen kurajon dhe forcën të kërcënoi sërish përtej ekranit, edhe pse ka vrarë e veshur mijëra familje me të zeza, për 27 vjet. Sepse ai e di mirë, se ne jemi frikacakë, që si bëmë kurrë mësim, pësimet e tij, e nuk i ndaluam dhimbjet e duarve, nga përplasjet duke u qarë: Mirë na e bënë!

Do të vija bast, se do vdisje nga frika, po të vidhje edhe një bistak rrush në ndonjë pemë, e vrapin do e mbaje derisa zemra mos të ndalej! Por, shiheni pak krye Asistentin e profesorit… ka lezet! Goxha burrë, dy metra, bojalli, edhe pse forma e mjekrës të lë për të dëshiruar, e cila e vënë aty fare pranë gojës, të duket sikur po të flet me “tajare”. Por ama për vjedhje, nuk ja ha qeni shkopin…! Mjeshtër po të them, kategoria e shtatë! Por, i ka dhe lezet, e shihni si e gjen kohën të qesh?! Uriah Hipi i kohëve moderne, u bë dhe i pari i të poshtërve… pa identitet politik, vetëm se në bashkëpunim me Profesorin, vranë katër njerëz të pafajshëm, vodhën aq miliona dollarë, sa ti nuk do i shikoje dot bashkë, edhe sikur të punoje e jetoje 230 milion vjet! Lërini 6 miliardët në vit, me “lulëzimin” nën bekim të fushave të gjelbra të Kolumbisë së Ballkanit, që i kanë ndërmend ditë e natë!

Nuk të bëj me faj, se nuk kishe nga ta dije! Por sot, sot e ke të pamundur mos ta dish?! Ja tek i ke nxënësit e Profesorit dhe Asistentit, që në dirigjimin e tyre, ecin nëpër ekrane si puthadorë dhe legenë deri në pështirosje! Mjafton të hapësh televizorin e do t’i dallosh fare lehtë, nga mënyra si ecin… ja ashtu bythështrënguar! E kanë sëmundje profesionale, se kur mendojnë “hotelin pa pagesë”, instiktivisht mbledhin muskujt, nga frika e të dukurit… i frikësuar, i tmerruar!

Po nuk kam gjë me ata, jo! E kam me ty, që nuk vrave e vodhe kurrë, që s’dite të trillosh përralla dhe poshtërsi, për t’i shpëtuar burgut dhe për të na hedhur ne “studentëve”, trutë e gomarit! E kam me ty, që nuk pranon të bësh lëpirje nga maja e gishtit, e ta përfundosh në majë të majasëllit!

Ndaj, je i detyruar të vuash, si i lidhur përjetësisht me fatin tënd të keq: të durosh çdo lloj krimineli, hajduti, dallkauku e alifmatraku… që si profesionist i krimit, të të jap mësime për ndershmërinë, moralin dhe burrërinë… pa ju dridhur qerpiku!

E në këtë pikë, ty nuk të mbetet gjë tjetër dhe turfullon si një kal i tërbuar nga inati, kur do jesh duke “shijuar” shfaqjen e profesorëve të poshtërsive nga divani, dhe do mundohesh ta mbysësh revoltën prej keqardhjes… për veten!

Të vjen keq për veten, kur e shikon se ata kurrë nuk e pësuan, e ne kurrë nuk mësuam… edhe kur të fyejnë të pashqetësuar e të bëjnë mësim për tregëtinë e ndershmërisë dhe të “pastërtisë imorale”. Kështu, me ç’po dëgjojmë, do vij një ditë, që do “gëzohemi” me lot në sy, kur të vijnë në pushtet “zotërinjtë Kriminel” dhe do na e drejtojnë gishtin ne… si kriminel! Por, me ç’po shikojmë, zotërinjtë Kriminel, më duket se na e morën të keqen dalëngadalë, por duhet edhe pak e “shtyra” e jonë… kur të zgjohemi!/Ekskluzive.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *