“Mohimi i ndërsjellë” politikë joproduktive e BFI-së

(Pas shkrimit të fundit, në të cilën, përciptazi fola për domosdoshmërinë e bashkëpunimit me të gjitha strukturat islame në vend e që nuk janë të themeluara nga BFI-ja, pata sërë kërkesash që pak më detajisht ta specifikoj dhe ta zbërthej këtë segment aq shumë të rëndësishëm dhe të padiskutueshëm për të mirën e fesë islame te ne, si dhe për një perspektivë të sigurtë të Bashkësisë Fetare Islame në RMV)

Shkruan Afrim Tahiri

Një hallkë mjaft e rëndësishme e zhvillimit të përgjithshëm të një shoqërie, të shtetit demokratik është edhe shoqëria civile, organizatat joqeveritare dhe ato jofitimprurëse. Në këtë hallkë përfshihen të gjitha ato organizata që veprojnë mbi baza vullnetare dhe që përjashton ato organizata që themelohen nga shteti, ato që i përkasin sferës tregtare dhe ato që kanë karakter fetar. Pikërisht kjo e fundit duhet t’i brengosë bashkësitë fetare.
Konkretisht, struktura e Bashkësisë Fetare Islame, si koncept, do të ishte tepër e thatë pa atë majanë e vet të përbërë nga elementë të vullnetit të mirë e me karakter islam. Pa dyshim, këta elementë do të ishin të gjitha shoqatat e organizatat që në fokus kanë zhvillimin dhe avansimin e jetës fetare islame por që, për shkak të karakterit laik të shtetit, përjashtohen nga familja e shoqërisë civile. Gabim shumë i madh! Por, a guxon që të njëjtin gabim ta bëjë edhe Bashkësia Fetare Islame?
Të përjashtuar nga shteti, të përjashtuar nga shoqëria, të përjashtuar nga komunitetet fetare – ku do të përfundojnë, apo, ku do të mbështeten ato?!
Për shëndet të mirë e për mbarëvajtje të suksesshme të punëve të Bashkësisë Fetare Islame, ky Institucion duhet gjithësesi që të cysë dhe të motivojë themelimin dhe funksionimin e më shumë organizatave joinstitucionale, në kuptimin e funksionimit mbi baza vullnetare, jashtë Institucionit por me detyrë dhe synim të përbashkët – ruajtja dhe kultivimi i vlerave të fesë islame. Nëse vetëm një hallkë e këtyre organizatave do të parapëlqente funksionimin oponent, atëherë fare lehtë do të arrinin bashkarisht ta identifikojnë si “mish i egër”, ndaj të cilit do të duheshin masa urgjente përjashtuese nga tërësia e organizmit islam në vend. As Bashkësia Fetare Islame nuk do të guxonte që të maniplonte dhe ta fuste në grushtin e vet ndonjë nga këto organizata joinstitucionale, apo ta damkoste në sytë e të tjerëve si organizatë pro-strukturave udhëheqëse të Instiucionit. Të gjitha organizatat e Institucionit si dhe ato që funksionojnë mbi baza vullnetare duhet t’i shërbejnë vetëm të vetmit ideal – gjallërimit dhe ruajtjes së vlerave të fesë sonë. Lidershipi shkon dhe vjen, ndërsa ky cikël i ardhje-ikjeve duhet të sigurojë dorëzim të shëndoshë të një Institucioni të fuqishëm në duart e çdo brezi!
Nëse do të shpreheshim përmes doktrinës luftarake, do të thoshim se asnjë nga fushatat e luftërave nuk nisni pa i ngjeshur radhët e vijës së parë të frontit! Struktura supreme komanduese nuk del para kësaj vije që u takon luftëtarëve më të shkathët por, nga zyra e shtabit të përgjithshëm përkujdeset për fitore. Pra, në këtë “vijë të parë të frontit” të zhvillimit dhe avansimit të jetës sonë fetare islame, do të duhej të ishin pikërisht këto organizata e shoqata me karakter islam, që veprojnë vullnetarisht dhe jasht Institucionit, por që garancë e funksionimit të tyre të shëndetshëm do të ishe, kush tjetër, veçse Institucioni i Bashkësisë Islame, sepse, çdo aktivitet i tyre do të ishte i aprovueshëm dhe i lejueshëm nga trupat gjegjëse të organit kolektiv apo të organit më të lartë të BFI-së. Si?
Bashkësia Fetare Islame do të duhej të ngriste platformën e vet të veprimit dhe të funksionimit, do të duhej të hartonte strategji, programe dhe projekte, realizues të të cilëve natyrisht që do të ishin organizatat dhe shoqatat e themeluara me karakter islam. Mbi baza të konkurseve dhe të thirrjeve të ndryshme që do t’i hapte BFI-ja, në to do të merrnin pjesë organizata apo shoqata me profile përkatëse islame dhe, bartës e realizues të synimeve konkrete do të ishin pikërisht këto struktura joinstitucionale, të cilat do ta konstruktonin edhe buxhetin e nevojshëm që do ta siguronin nga zëri i paraparë në buxhetin vjetor të BFI-së, nga sponsorët e ndryshëm si dhe nga publiku. Kësisoj, do t’i shmangeshim përjetë traditës korruptive që funksionon edhe sot e kësaj dite në BFI ku, projektuesi është “reisi”, ku zbatuesi është “reisi” dhe ku finansuesi është “reisi”! Po kush i raporton “reisit”? Vetë “reisi”? Kjo është bazë për vjedhje klasike, për korrupsion, për shkatërrimin e burimeve financiare të BFI-së. Pas çdo projekti, para organit kolektiv të BFI-së zbatuesi i projektit, do të raportonte për çdo cent të shpenzuar! Këto zhvillime pozitive dhe të mbara do ta nxisnin garën në mes të organizatave dhe shoqatave për të qenë sa më profesionale, islamikisht sa më të përgatitura dhe shumë të kujdesshme faqe Institucionit të vetëm fetar islam në vend, i cili, nga ana e vet, përkujdeset për një përfshirje sa më të gjërë të të gjithë organizmave në vend që e kanë brengë të sinqertë zhvillimin dhe avansimin e vlerave tona islame. Kjo gjithëpërfshirje do ta zbehte ndjenjën e të qenurit i përjashtuar, do ta eliminonte garën e veprimit destruktiv dhe do ta zhdukte armiqësinë e pakuptimtë ne mes të Institucionit dhe organizatave e shoqatave joinstitucionale (jo të BFI-së). Politikat përjashtuese të “reisit” aktual kanë bërë që sot në komunitetin tonë mysliman të kemi vetëm një “organizatë rinore” e cila është e stigmatizuar prej tij si filiale e UDB-së; të mos kemi asnjë organzatë për gruan myslimane, të mos kemi asnjë lloj sindikate, të mos kemi organizatë studentore, të mos kemi shoqatë të hafëzlerëve, të mos kemi shoqata akademike islame, të mos kemi shoqata, le të themi, të specializuara për debate, për tryeza të ndryshme, për organizim të manifestimeve të ndryshme, të turizmit fetar! Për më keq, BFI akoma nuk ka institucion (të paktën, në nivel të sektorit) për haxh, për kurban, për vakëf, për gruan myslimane), sepse me të gjitha duhet të merret ekskluzivisht “reisi”, dhe të plasin pastaj aferat nga më të pademantueshmet!
Janë me dhjetra shtëpi botuese në Maqedoninë e Veriut të cilat veprimtarinë e vet e zhvillojnë përmes botimeve të titujve të ndryshëm islam, të cilat, assesi nuk pranohen prej BFI-së, të cilat assesi nuk sponsorizohet nga BFI-ja, të cilat assesi nuk blihen nga BFI-ja, të cilat, assesi publikisht nuk blihen nga të punësurit në BFI, sepse sakaq do të shpallen armiq dhe do të fluturojnë nga puna. Botuesi më i madh në vend punësohet në BFI si drejtor i sektorin mjaft të rëndësishëm, kurse veprat e tij shpallen si “heretike”, “antiislame”! Veprimtaria botuese e BFI-së është turp i botës në krahasim me veprimtarinë botuese të cilësdo shtëpi botuese islame në vend. BFI-ja duhet të lidhë paqe me këta botues tashmë të dëshmuar katërcipërisht më profesionale se Institucioni ynë! BFI-ja duhet të merret vesh me ta dhe, ngjashëm si Ministria e Kulturës, të vihet në shërbim të botuesve. Të hap konkurse, të finansojë botime, të cilat, paraprakisht, recensionet dhe pëlqimin e botimeve do t’i siguronin nga subjektet akademike dhe njohës të thellë të islamit në kuadër të BFI-së. Gjithësesi, BFI-ja do të duhej të lidhte marrëveshje edhe me Bibliotekën Nacionale dhe Universitare si i vetmi subjekt në vend që ndanë numra CIP dhe që bën katalogizimin e çdo libri që botohet në vend. Libra pa CIP e pa katalogizim llogariten si botime të egra dhe trajtohen si vepra penale! Kjo marrëveshje do të konsistonte në atë që, asnjë numër CIP dhe asnjë katalogizim të mos bëhej pa pasur edhe deklaratën e BFI-së se pajtohet me titullin dhe që qëndron pas veprës që do të botohet! Natyrisht, BFI-ja nuk do të mund t’i përkrahte të gjitha titujt e botuesve me të cilët do të konkurronin. Diçka do të subvenciononte ndërsa do të hapte konkurs edhe për blerjen e ekzeplarëve të kufizuar nga titujt e pa financuar. Këta tituj do të shkonin nëpër biblioteka, si në atë qendrore po ashtu edhe në bibliotekat e xhamive të cilat detyrimisht që duhet të themelohen! BFI-ja duhet të mendojë edhe për projektin e domosdoshëm “Çdo xhami me bibliotekë”, madje me bibliotekë të digjitalizuar, sepse, do të ishte një vend ideal për rininë tonë, e cila, fatkeqësisht, dita ditës po na del duarsh. Projekti tjetër do të ishte ngritja e pikave “info-turizmi fetar”, pranë çdo objekti fetar apo sakral me vlera historike dhe të trashëgimisë kulturore. Duhet të ritheksohet tradita dhe të zbatohet: në asnjë xhami turistet të mos futen pa shami! Ku ta gjejë? Të futet në Pazar? Jo, ta blejë aty, brenda oborrit të xhamisë, ku do të mund të gjejë edhe ndonjë material informues mbi objektin që e viziton, të gjejë edhe ndonjë palë tespih, ndonjë sexhade, ndonjë panoramë me të dhënat esenciale mbi objektin-xhaminë, ndonjë gjë për kujtim, për dhuratë, ndonjë monografi (pë asnjë xhami shekullore nuk kemi monografi!!!)
Eu sa puna do të bëhej me këto organizata apo shoqata islame që aktivitetin e vet e ushtrojnë mbi baza vullnetare. Vetëm të ketë njeri që do t’i afrojë, që është i gatshëm të bashkëpunojë, të lidhë marrëveshje baskëpunimi në shumë sfera dhe të përbetohen se tërë aktiviteti do të zhvillohet në drejtim të zhvillimit dhe avansimit të jetës fetare islame si dhe në përforcim sa më të fuqishëm të BFI-së, si i vetmit Institucion fetar islam në vend. Këtu askush nuk guxon të ndjehet i përjashtuar, secili duhet të përkrahet dhe të ndihmohet në realizimin e idesë së vet që është në të mirë të islamit dhe të shoqërisë. Ky po që do të ishte uniteti i mirëfilltë i komunitetit tonë. Unitetin tonë nuk e shpreh “përkrahja masive” e “të madhit” në veprimtaritë e tij abuzive, për të cilat as nuk i kërkon vetes raport dhe as që ka nevojë të raportojë para “përkrahëve të vet”! Unitet në devalvim dhe degradim të Institucionit nuk i duhet askujt përveç atij që kërkon “të gjithë” të jenë në unison në punët të cilat nuk i kanë hije asnjë myslimani në botë.

(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)

Leave a Reply