Myslimani i sinqertë në çdo moment sakrifikon për hirë të Allahut xh.sh.

Urimi për Kurban Bajramin 2019

“Allahu e ka bërë Shtëpinë e Shenjtë të Qabesë, muajin e shenjtë, kurbanin dhe shenjat e tyre vlera të përhershme për njerëzimin, në mënyrë që ju ta dini se Allahu di gjithçka që gjendet në qiej e në Tokë dhe se Ai është i Gjithëdijshëm për çdo gjë” (El Maide, 97)

Vëllezër e motra! Të dashur besimtarë –
Le ta falënderojmë Krijuesin tonë që na e bëri të mundshme që ta presim këtë ditë dhe ta festojmë së bashku festën e Kurban Bajramit. Pra, kjo festë i kushtohet sakrificës për hirë të Allahut Mëshirëplotë. Kjo ditë shënohet përmers therrjes së kurbanëve dhe shprndarjes së mishit me qëllim që sofra e të varfërve, e të dashurve tanë, e fqinjëve tanë, të jetë më e begatë me rastin e kësaj feste madhështore. Pra, duke përmbushur një urdhër të Zotit tonë, ne ngjallim ndjenjën e humanes dhe dëshmojmë se këtë ndjenjë e kemi në po atë nivel e pikërisht ashtu siç i ka hije çdo pjesëtari të fesë islame. Pa dyshim, sakrificë për hirë të Allahut Mëshirëplotë është dhe zbutja e zemrës, harrimi i veprimeve që mund të na kenë zemëruar e hidhëruar për një çast, ndaj dhe, nuk e ka festën e përmbushur asnjëri që, për hirë të kësaj feste, nuk fal dhe nuk merr ngryk vëllain, pjesëtarët e familjes së gjërë, fqinjët, miqtë, të githë ata ndaj të cilëve ushqen zemërim.
Të sakrifikoshë nuk do të thotë detyrimish të derdhish gjak të gjësë së therrur! Sakrifikimi bëhet edhe përmes heqjes dorë nga një interes meskin, qoftë kjo pozitë, qoftë përfitim material, qoftë dëshmi naive e lojalitetit. Të sakrifikoshë do të thotë edhe të ngritesh kundër padrejtësisë, të reagoshë kundër vjedhjes institucionale, kundër zhvatjes institucionale, kundër shkatërrimit në emër të fesë e Zotit!
Përpjekja e parreshtur për një të mirë të përgjithshme, për një perspektivë të ndritshme për besimtarët, angazhimi për luftim të së keqes, për izolim të keqpërdoruesve dhe manipulatorëve, të “magjistarëve” e të pakurrizorëve, përkushtimi i natëeditshëm që të jemi të sinqertë e të devotshëm, të matur e të dashur – pa dyshim që edhe kjo është sakrifikim në emër të Allahut Fuqiplotë, është formë e “kurbanit” që e sakrifikojmë për hirë të Zotit tonë. Heqja dorë nga të ligat dhe “prerja” e asaj dore që i shkatërron institucionet islame – edhe kjo sakrificë është Kurban në emër të Allahut të Gjithëpushtetshëm.
Motra e vëllezër të dashur! Ai që është i pasur pa dyshim që do të therrë kurban, duke i zbatuar të gjitha dispozitat islame lidhur me këtë akt, kurse ai që nuk ka, pa dyshim që Zoti mund t’ia llogarisë sakrifikim çdo përpjekje të tyre që e shton kënaqësinë e Krijuesit tonë. Ta mbrojmë fenë nga manipulantët, nga keqpërdoruesit, nga të pafytyrët që nuk e kanë dert nëse veprojnë krime në emër të islami. Çdo refuzim i kërkesave, “i urdhërave”, i lutjeve, i kërcënimeve të të mallkuarve që i bëjnë në emër të islamit – është sakrificë e cila nuk e pret një ditë në vit për t’u realizuar, por është sakrificë e përditshme, që duhet të vie në shprehje në çdo ditë, në çdo orë, në çdo minut, në çdo sekond. Ndryshe, do të jemi bashkëpunëtorë të elementëve që shquhen me antislamizimin e tyre të zjarrtë. Zoti na ruajt nga të qenurit “”ushtar i shejtanit”!
Motra e Vëllezër, ju ftoj që të lutemi për vëllezërit dhe motra tona, për baballarët dhe nënat tona që i kemi në vendet e shenjta, në Haxh. Ishalla Zoti ua pranon ibadetet e kryera dhe të na kthehen shëndosh e mirë.
Ju ftoj që ditën e Kurban Bajramit ta kalojmë me dinjitet dhe ashtu siç na ka hije, të lumtur, të gëzuar, të paqtë e të pajtuar me të gjithë besimtrët. Rrezatoni vetëm dashuri, mirëkuptim dhe afrim. Shpreheni humanitetin sepse kështu do ta përplotësojmë besimin tonë në Zot si dhe do ta respektojmë praktikën dhe mësimet e Pejgamberit tonë, Muhamedit s.a.v.s.
Përjetë na qoftë për hajër Kurban Bajrami.

Afrim Tahiri
Drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së

Leave a Reply