New Yari

Nga Mero Baze/

Heqja e mustaqeve nuk mund të ketë lidhje me ndonjë përbetim politik siç ndodh rëndom…

Fotografit zyrtar të Presidentit, do t’i duhet të bëjë një foto të re zyrtare të Presidentit pa mustaqe. Për fat të mirë nuk do t’i duhet të printojë shumë copë, pasi Edi Rama e ka zëvendësuar portretin e tij me atë të Ismail Bej Vlorës, por sidoqoftë disa qoka duhet t’i bëjë me imazhin e ri. I vetmi problem i tij është se nuk di të japë shpjegim si shumë të tjerë, përse i hoqi tani mustaqet.

Kur e propozuan për Ministër të Brendshëm në vitin 2007, disa miq të tij i këshilluan heqjen e mustaqeve. Në momentet e para nuk refuzoi, por të nesërmen u tha se nuk mund ta bënte dot, pasi vajza e tij e vogël ishte mësuar me to. Ishte një shpjegim bindës, po të kemi parasysh profilin e tij. Këshilla iu përsërit kur ai u bë president, por ai e shmangu sërish heqjen e tyre. Dhe në këtë pikë, ato u kthyen në identitet të tij.

Edhe pse pamja vizive e Presidentit të Shqipërisë i ngjante paksa atij sirianë, ato iu pranuan. Dhe pikërisht, atëherë kur të gjithë me zor ia pranuan mustaqet, ai i hoqi. Ky New Year në të vërtetë u identifikua si New Yari, siç e përshkruajnë me humor në rrjetet sociale, gjestin e tij.

Por a ka gjasa të ketë një imazh të ri, Presidenti pa mustaqe në politikën e vitit 2015?

Në politikën shqiptare ka pasur disa herë simbolika të mjekrës dhe mustaqeve. I ndjeri Teodor Keko lëshoi mjekrën në vitin 1991 dhe premtoi se do ta hiqte kur të ikte Ramiz Alia. Bujar Nishani nuk besoj se ka bërë përbetime të tilla.

Ai është përbetuar se nuk do të kalojë asnjë kandidaturë të shumicës për çdo institucion shtetëror që varet prej tij.

Nuk besoj se ka hequr dorë nga ky betim.

Ai është përbetuar se do të propozojë vetëm kandidatura luajale të Berishës, në çdo vend bosh në sistemin gjyqësor apo institucione kushtetuese. Nuk besoj se ka hequr dorë as nga ky betim.

Ai është përbetuar se do të jetë luajal me Berishën dhe në qëndrimet e tij politike publike. Shihet qartë që nuk e ka shkelur këtë betim.

Ai është betuar politikisht se nuk e njeh qeverinë e Edi Ramës. Nëse shikoni faqen e tij në internet, fotografia e tij si President është me qeverinë e Kryeministrit Berisha, ndërsa qeverinë Rama edhe pse e ka dekretuar, nuk e ka në faqen e internetit. Pra, as këtë betim nuk e ka shkelur.

Ai ka garantuar se do të jetë një zyrë kuadri rezervë e Partisë Demokratike për çdo emër në dispozicion të PD­së, që i duhet një vend pune. As këtë betim nuk e ka shkelur duke shtuar organikën e presidencës.

Ai është betuar të mbajë lidhje korrekte personale me Berishën duke pirë kafe një herë në javë. Dhe këtë betim nuk e ka shkelur.

Pra, heqja e mustaqeve nuk mund të ketë lidhje me ndonjë përbetim politik siç ndodh rëndom. Duke qenë një shenjë e identitetit të tij, ajo është ndryshuar në ato rrethana që ka lindur dhe ka mbijetuar. Mundet, që idenë e parë e ka dhënë parukieria që ai fton dhe në festa zyrtare në Presidencë, pastaj e ka diskutuar me fëmijët dhe gruan, dhe në fund ka vendosur t’i heqë. Buja ishte e madhe. Më e madhe se çdo gjë tjetër që ai ka bërë si President. Kanë shkruar për të, të gjitha gazetat, rrjetet sociale dhe jehona vazhdon akoma. Ja pra, pse duhet t’i hiqte. Duhet të bëhej dhe ky një herë popullor, për një gjë të vetën. Dhe më të vetën se mustaqet, nuk kishte gjë tjetër. New Year, New Yari!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *