Një apel turpshëm i dështuar i Mulla Sulës

Sa herë që ndodhin vërshimat e mëdha në trojet shqiptare, Sulejman Rexhepit i bie “shiu në kollomoq”. Me gjasë Mulla Sula gjatë tërë vitit e ka vetëm një lutje “ishalla vërshohen shqiptarët”, sepse ky sakaq shpallë javën e grumbullimit të ndihmave financiare të cilat pastaj që të gjitha përfundojnë në xhepin e vet

Shkruan Mentor Thaçi

 

Vjeshta po e lë Shqipërinë me një rrebesh shiu të paparë më herët dhe me një vërshimë katastrofale, pamje kataklizme. Natyrisht, Shteti shqiptar, por edhe mbarë populli shqiptar, si çdo herë, edhe kësaj radhe do të dëshmojë se është popull solidar dhe se do të organizojë aksione bamirësi me qëllim që popullata e prekur nga këto vërshima të hyjnë në ditët e para të dimrit sa më të qetësuar pas përjetmit të vërshimave të tmerrshme.

Aksioneve të këtilla bamirëse gjithësesi që do t’i bashkangjitet edhe Sulejman Rexhepi, i cili, nuk ka asnjë dyshim se, paratë që do të grumbullonte, do t’i mbajë për vete që të gjitha. Ky gjest i tij antinjerëzor e antiislam tashmë i është bërë ves, sepse, keqpërorimin e aksioneve humanitare e ka përsëritur disa herë. Së fundmi, mbi 300-400 mij euro të tubuar nga shqiptarët anekënd botës, për vëllezërit nga Hasanbegu dhe rrethina, që të gjitha përfunduan në xhepin e tij si dhe në xhepin e lavatriçes së parave të pista të Mulla Sulës, te Mustafa Dauti.

Sot, në youtube, Mulla Sula na e percjell një apel personal të tij, një apel tepër anemik, një apel shumë të dyshimtë, pa kurrfarë doze të humanizmit, pa kurrfarë ndjenje të humanitetit, thjesht, një apel goje për tubimin e mjeteve materiale dedikuar vëllezërve në Shqipëri, të cilat, paska ndërmend që t’i nis përmes Mustafa Dautit!

Pa dyshim, që tani është e ditur se asnjë cent (nëse do të grumbullohen) nuk do të shkojnë në Shqipëri! Që tani dihet se, Mulla Sula myftilerëve të vet u ka thënë që ta ecin këtë apel, ta finalizojnë këtë aksion, e të mblidhen sa më shumë para, sepse, kjo katastrofë natyrore është e mirëseardhur në momentin kur në BFI nuk ka buxhet për rroga! Pra, organet e veta do t’i detyrojë që të mbledhin sa më shumë para për rroga, ndërsa, kur t’i lëshohen në dorë Mulla Sulës një sasi e madhe e parave, që të gjitha përfundojnë në xhepin e tij gjigant. Pra, vërshimat në Shqipëri do të përdoren si mjet për të mbledhur para për rroga të punësuarve në BFI, por, meqë Mulla Sula është hidhëruar me të gjithë të punësuarit, nuk është çudi që ato para të grumbulluara në këtë aksion humanitar “t’i hajë kuta”!

Pse kaq plotë dyshime në sinqeritetin e Mulla Sulës? Vetëm për faktin që deri më tani ka grabitur shumë aksione humanitare (30 mij euro për Somali, 40 mij euro për Siri, 300-400 mij euro për banorët e Hasanbegut me rrethinë etj)? Jo, por, thjesht, për nga mënyra se si me aq nonshalancë shpallë javë humaniteti!

Një Institucion normal dhe i sinqertë, fillimisht do ta mblidhte organin kolektiv, në rastin konkret Rijasetin, do ta ngriste një iniciativë të tillë, do të formonte komision për një iniciativë të tillë, komision që do të raportonte në fund se sa para u tubuan, ku shkuan, si shkuan, kush i mori, si i mori, sa nga ajo shumë u përdor për shërbime bankare etj. etj.

Mulla Sula nuk e ndjek këtë procedurë sepse organet e veta i llogarit si vegla pa kurrfarë dinjiteti, pa kurrfarë obligime, pa kurrfarë detyrime, thjesht, vegla që futen në veprim sipas dëshirës dhe motivit të “pronarit” të veglave.

Ndryshe, çdo formë tjetër do të mbante aromë vjedhjeje, kontrabande (kalimi i shumave të parave prej shtetit në shtet pa dyshim që është kontrabandë, krim, vepër penale)! Mulla Sula duhet të hapë xhirollogari të veçantë ku do të mblidhej fondi dedikuar banorëve të përmbytur në Shqipëri. Ose, do t’i urdhëronte të gjithë Myftinitë që të hapnin xhirollogari të tillë dhe, aty t’i tubonin mjetet dhe transaksionin në mes Myftinisë dhe Shtabit të Emergjencave, apo të Komunitetit Mysliman, ta kryente secila Myftini përmes xhirologarisë së vet. Paraprakisht, komisioni prej tre personave të caktuar nga Rijaseti, do të shkonte në Shqipëri, do të kontaktonte me insitucionet shtetërore përkatëse dhe do t’ua bënte me dije që BFI-ja ka shpallur aksion humanitar nga e cila pritshmëritë janë se do të grumbullohen, p.sh. rreth 400 mij euro! Kjo për arsye se këtyre Instiucioneve paraprakisht ju duhet të krijojnë një buxhet emergjent me qëllim që të dinë përafërsisht se si do ta ndihmojnë atë popullatë të prekur nga katastrofa natyrore.

Kjo është e vetmja rrugë legale, e ndershme, ligjore dhe islamike që do të duhej të përdorej para, gjatë dhe pas shpalljes së një apeli humanitar. Gjithçka tjetër është manipulim, keqpërdorim e hajni. Se do të jetë hajni, kjo tashmë u mor vesh nga fundi i apelit të Mulla Sulës kur thotë se, “ndihmat në Shqipëri do të dorëzohen përmes Organizatës Humanitare “Hilal”, e cila, sa për dijeni të Mulla Sulës tash e një vit është me xhirollogari të bllokuar, plus që në krye e ka lavatriçen e dëshmuar të parave të pista të Mula Sulës, Mustafa Dauti. Vetë forma e apelit, vetë toni i apelit, vetë ngjyrat bardh e zi të emocioneve të Sulejman Rexhepit, vetë pesha e anti-humanizmit në atë apel, si dhe forma se si do “të përfundojnë në Shqipëri”, janë dëshmi se ky apel do të dështojë, besimtarët e vendit do ta bllokojnë, kurse Mulla Sula do të flasë pastaj për një topitje të ndjenjave humane te besimtarët myslimanë apo te ajo përqindje manipulative e Mulla Sulës, prej 87 për qind e shqiptarëve “të pashpirt”!

Shqiptarët me shpirt apo pa shpirt, nuk japin më për Sulejman Rexhepin, i cili, pastaj, i bën rrush e kumbulla me politikanë që e amnistojnë për një copë tuli prej kurbanit të vjedhur që piqet e digjet në zgarën e Konakut. Mulla Sula tashmë është letër e lexuar…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *