NJË MEGAINTERVISTË PËR TURPIN E MADH

(Rreth librit, megaintervistë me Afrim Tahirin, ish-Sekretarin e Përgjithshëm të BFI-së, me titull BASHKËSINË FETARE ISLAME E PRET NJË EPOKË E RE, të autores Albina Ajdari)

Shkruan: Mehmet Konushevci, Prishtinë

Ja dhe një emërtim socio-filozofik TURPI I MADH! Meqenëse rrjedh si sintagmë nga megaintervista e Afrim Tahirit, sakaq nënkuptohet se për cilin TURP bëhet fjalë, por, megjithatë, ky nocion në këtë rast na del shumëdimensional. Në këtë Turp të Madh përfshihen jo vetëm skandalet e turpshme që i paskësh shkaktuar Sulejman Rexhepi në BFI por, mbi të gjitha, pesha e këtij nocioni bie edhe mbi nëpunësit fetar brenda BFI-së që e heshtin këtë turp, mbi udhëheqësit e organeve dhe të institucioneve të BFI-së që i duartrokasin dhe e favorizojnë këtë turp, mbi hoxhallarët që me heshtjen e tyre i bëjnë “devam” kësaj maskarade të tmerrshme, ky Turp i Madh bie mbi deformuesit e së vërtetës që nxjerrin kokë jo vetëm nga birucet e BFI-së por edhe të BDI-së dhe të pushtetit që po vdes. Një Turp i Madh bie edhe mbi mediat që u bënë palë e korrupsionit, e vjedhjes, e rrenës dhe e zhvatjeve të Mulla Sulës. Pikërisht, për këtë konglomerat turpesh që e përbëjnë TURPIN E MADH flet kjo megaintervistë e Afrim Tahirit, me titull “BASHKËSINË FETARE ISLAME E PRET NJË EPOKË E RE”, me autor gazetaren e mirënjohur, Albina Ajdari.

Nga vetë titulli nënkuptojmë se kemi të bëjmë me një gjakim të flaktë të Afrim Tahirit dhe shokëve për një Institucion të dinjitetshëm për të gjithë myslimanët e vendit. Nuk ka institucion ndërkombëtar e i vendit që nuk nënvizojnë vazhdimisht se policia dhe gjyqësori i vendit janë tepër shumë të korruptuar dhe, pikërisht për shkak të kësaj dukurie edhe më tej po i shkon kungulli mbi ujë Mulla Sulës. Të mbërthyer nga kjo dukuri e fëlliqtë nuk mund të jetë imune as BFI-ja aktuale të cilën Mulla Sula e ka shndërruar në firmë private. Paramendoni, Mulla Sula e mbledh Rijasetin e delegjitimuar për t’i pyetur anëtarët ilegjitimë të saj nëse ia japin përkrahjen apo jo, kurse nuk i mbledh për të debatuar për dorëheqjen një vit më parë të Sekretarit të Përgjithshëm, Afrim Tahirit; nuk i mbledh për të debatuar rreth shumë fakteve të turpshme që i prezanton efendi Tahiri në aktin e dorëheqjes; nuk e mbledh asnjëherë Rijasetin për të debatuar për sërë argumentesh e faktesh që i prezantojnë tash e një vit NISMA për reforma në BFI e cila udhëhiqet nga njerëzit që dikur ishin elemente kyç të BFI-së, të cilët posedojnë shumë fakte e argumente të pamohueshme. Mulla Sula ua nguli hurin anëtarëve të Rijasetit, i komprementoi të gjithë duke ua marrur përkrahjen, pak me korrupsion, pak me frikësim, pak me dosje të poshtra që tashmë i ka në duart e veta për të gjithë ata që i sillen rreth këmbëve si shtatë shkurtabiqët rreth Borëbardhës. (Në kontekst, të gjithë këta shkurtabiqë ëndërrojnë që një ditë t’i kërcejnë lopthi Borëbardhës!!!)

Në këtë megaintervistë, të cilën Afrim Tahiri e boton pikërisht për shkak se Mulla Sula ka arritur që me paratë e fitrit dhe zeqatit të myslimanëve të vendit t’i blejë të gjithë mediat dhe portalet vetëm e vetëm që mos të dalë e vërteta e NISMËS në shesh, flet me një intelektualizëm të pashoq, me një guxim inelektual të paparë dhe me një gjuhë elokuente përplot me fakte dhe argmente. Duke folur ofron shumë të palara të Mulla Sulës dhe të bashkëpunëtorëve të tij në krim e korrupsion, nënvizon shumë fakte rrëqethëse por edhe mënyra se si do të tejkalohet kjo mutsihane e shkaktuar nga Mulla Sula. Afrim Tahiri me një durim prej një të devotshmi, me një siguri prej të çiltrit flet për momentet kur e ka kapur Mulla Sulën me pelë për dore, se si ia ka tërhequr vërejtjen, se si Mulla Sula i është përkulur duke e lutur i përlotur që mos ta lë dhe t’ia japë përkrahjen, deri në çastin kur kupën e ka mbushur me shpurdhjakun Mustafa Dautin, të cilin e ka pasur lavatriçe sekrete të shpëlarjes së fëlliqësirës së Sulejman Rexhepit.

Lexojeni këtë megaintervistë të Afrim Tahirit dhe do të keni shumë të qartë se cila bandë po udhëheq për momentin me BFI-në. Lexojeni këtë libër dhe do të shikoni se pse kjo bandë i ik debatit me cilindo nga udhëheqësit e NISMËS. Lexojeni këtë megaintervistë dhe do ta keni shumë të qatë se pse Mulla Sula po e shterrë arkën e BFI-së duke paguar e duke korruptuar media vetëm e vetëm që mos t’i japin hapësirë të vërtetës që del nga NISMA. Lexojeni këtë intervistë me të VËRTETËN E MADHE sepse do të habiteni se si do t’ju bijnë të gjitha maskat Mulla Sulës dhe bashkëpunëtorëve të tij, do të shikoni se pse ata e kanë gojën plotë me fe e rregulla fetare derisa të zbresin në xhepat e myslimanëve të ngratë dhe, menjëherë pastaj, të shtrojnë dreka e darka korrupsioni, banja e sauna familjare si dhe restorante e qejfe për grupet kriminele që e rrethojnë “zotin” e tyre.

Megaintervista BASHKËSINË FETARE ISLAME E PRET NJË EPOKË E RE, është një e Vërtetë e Madhe e cila të lë pa frymë dhe që ta ngacmon pusin e lotëve, të mbush me trishtim dhe me një urrejtje rrebeluese kundër bandës aktuale në BFI. Asnjë mysliman i vendit nuk mundet të kuptojë se me çfarë “islami” pajiset nga marionetat e Mulla Sulës  deri sa nuk do ta lexojë këtë megaintervistë.

Mbi të gjitha, kjo megaintervistë e Afrim Tahirit është një dry prej floriri që mbyllë dyert e çdo shtëpie myslimane për bandën dhe marionetat e Mulla Sulës. Kjo ka për të ndodhur shumë shpejt. Dhe, ato dyer do të hapen krah më krah vetëm pasi të kryhet ajo reformë e thellë në BFI për të cilën flet Afrim Tahiri në këtë megaintervistë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *